Pyetja “Kur duhet të filloj të kujdesem për shëndetin tim?” shpesh lidhet me një moment të caktuar në jetë: një krizë shëndetësore, një analizë jo të mirë apo një humbje në rrethin familjar. Por ekspertët e shëndetit mendor dhe mjekësisë parandaluese paralajmërojnë se kjo pyetje duhet të shtrohet shumë më herët sesa mendojmë, madje që në dekadën e dytë të jetës.
Më mirë të dish sesa të presësh
Kujdesi për shëndetin nuk është një reagim, por një kulturë jetese na mëson psikologjia. Ndaj, ndjenja e paprekshmërisë që kemi në rini është një iluzion që na kushton shtrenjtë më vonë. Kur mësojmë të jemi të vetëdijshëm për trupin dhe mendjen që në moshë të re, krijojmë një marrëdhënie të shëndetshme me veten, dhe kjo është forma më e mirë e kujdesit.
Por nga duhet t’ia nisim?
Shumë njerëz pyesin nëse është e mjaftueshme të bëhet eko e një organi të vetëm, zakonisht zemrës ose mëlçisë, apo ka nevojë për një spektër më të gjerë? Dhe mbi të gjitha, a ka një moshë të caktuar? Për profesionistët e fushës, shëndeti është një sistem. Një organ i vetëm nuk të tregon gjithë historinë. Sëmundjet shpesh janë të heshtura dhe nuk kufizohen në një vend të trupit. Për shembull, udhëheqës të fushës së kardiologjisë parandaluese, si American Heart Association (AHA), rekomandojnë që kontrolli i hershëm dhe i plotë i faktorëve të rrezikut që lidhen me: kolesterol, presion gjaku, sheqer, masa trupore, aktivitet fizik, etj., duhet të fillojë që në adoleshencë, jo vetëm kur ka probleme të dukshme me një organ. Madje, sugjerohet një qasje gjithëpërfshirëse, që përfshin:
Analiza gjaku (kolesteroli, sheqeri, hormonet, funksionet e veshkave/mëlçisë)
Kontrolle të tensionit dhe zemrës
Ekografi abdominale dhe tiroide
Kontrolle të shikimit dhe dëgjimit
Vizita periodike te dentisti
Vlerësim psikologjik bazë, për të kuptuar nivelin e stresit, ankthit apo shenja të hershme të lodhjes mendore
Mosha kritike: 25, 35 dhe 45+
Në të 20-at: krijohet baza. Ushqimi, gjumi, aktiviteti fizik dhe kontrolli i stresit janë themel i shëndetit afatgjatë. Vizitat te mjeku nuk duhet të bëhen vetëm kur ka dhimbje.
Në të 30-at: fillojnë ndryshime hormonale dhe metabolike që duhen monitoruar. Është koha për të bërë analizat e para të plota dhe për të ndërtuar dosjen personale të shëndetit.
Pas të 40-ave: rritet rreziku për sëmundje kardiovaskulare, diabet, probleme me shtyllën kurrizore dhe shëndetin mendor. Kontrolli duhet të jetë vjetor dhe i shumëanshëm, jo sporadik.
Jo vetëm trupi, por edhe mendja
Psikologët theksojnë se shpesh ne nënvlerësojmë shëndetin mendor, ndërkohë që ai është thelbësor në mirëqenien tonë të përgjithshme. Nivelet e larta të stresit kronik mund të ndikojnë drejtpërdrejt në zemër, imunitet dhe cilësinë e jetës. Sepse, një mendje e lodhur është po aq e rrezikshme sa një organ i sëmurë, theksojnë psikologët. Sipas ekspertwve tw fushës, çdo njeri të paktën një herë në vit të bëjë një vlerësim psikologjik, një bisedë me profesionist për të kuptuar nivelin e stresit, lodhjes emocionale dhe mënyrën si përballemi me jetën.
Shëndeti është investim, jo shpenzim
Ekspertët bien dakord: kujdesi për shëndetin nuk është luks, por domosdoshmëri. Nuk mjafton të ndjekim simptomat, duhet të ndjekim sinjalet, edhe kur ato janë të padukshme. Një eko e vetme nuk mjafton, shëndeti është më shumë se kaq. Ai kërkon vëmendje të përhershme, kontroll të gjerë dhe një qasje që përfshin trupin, mendjen dhe stilin e jetesës.
Nis sot, jo kur të bëhet vonë!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.