Pashka, në thelbin e saj liturgjik dhe shpirtëror, është një ftesë për të ndërmarrë një udhëtim të brendshëm drejt asaj që Papa Françesku e quan “mister”. Ky mister mund të përkthehet si procesi i kalimit nga errësira e ngujimit vetiak drejt dritës së një vetëdijeje të re.

Sipas liturgjisë kristiane, Pashka nuk është një ngjarje statike, por një Triduum (treditësh) që pasqyron ciklin universal të ekzistencës njerëzore: vuajtjen, vdekjen dhe ringjalljen. Të hysh në këtë mister do të thotë të kesh guximin të përballesh me “të premten” e dhimbjeve tona, me humbjet dhe kufizimet që na bëjnë të brishtë, pa u mbytur prej tyre. Liturgjia na mëson se nuk ka ringjallje pa kaluar nëpër kryq, një koncept që në psikologji rezonon me idenë se transformimi i vërtetë kërkon pranimin e krizës si mjet rritjeje.
“Hyrja në mister” kërkon një thyerje të logjikës sonë mbrojtëse dhe racionale. Ajo na fton të lëmë mënjanë siguritë e rreme dhe të lejojmë që përvoja e shpresës të depërtojë aty ku më parë kishte vetëm braktisje. Në këtë kontekst, Pashka bëhet një metaforë e fuqishme e qëndrueshmërisë shpirtërore, ku guri i rëndë i varrit, që shpesh përfaqëson traumat apo ankthet tona më të thella, rrokulliset për të hapur një horizont të ri kuptimi. Ky proces liturgjik e fton njeriun të mos mbetet spektator i jetës së tij, por të bëhet pjesëmarrës aktiv në aktin e rilindjes, duke kuptuar se jeta nuk është një rreth vicioz vuajtjesh, por një spirale që ngjitet drejt dritës, për aq kohë sa jemi të gatshëm të përqafojmë misterin e ndryshimit dhe të pashpjegueshmes.
Pashkë do të thotë që nuk duhet të dorëzohemi kurrë përballë dhunës, abuzimit dhe vetëshkatërrimit.
Jeta mund të mbizotërojë mbi natyrën dhe planetin, përballë fatkeqësisë së luftës dhe pasojave të saj. Jeta gjithmonë mund të triumfojë mbi vdekjen. Dhe kjo varet nga ne. Njeriu është gjithmonë i lirë të zgjedhë midis së mirës dhe së keqes, dhe e bën këtë çdo ditë me vendimet e tij.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

