Ka fjali që të përmbysin nga brenda, edhe pse duken të thjeshta. “Nuk mund të shërohesh nëse nuk je i gatshëm të heqësh dorë nga ajo që të lëndon” është njëra prej tyre. Sepse shërimi nuk vjen thjesht nga dëshira për të qenë mirë, por nga guximi për të lënë pas dhimbjen që na ka shoqëruar për vite me radhë.
Shpesh qëndrojmë në marrëdhënie që na shkatërrojnë, në vende që na zbrazin, jo sepse nuk dimë të ikim, por sepse kemi ndërtuar identitetin tonë mbi atë dhimbje. Sepse jemi mësuar me të. Dhe truri ynë – i ndërtuar për mbijetesë, jo për lumturi – zgjedh gjithmonë të njohurën, edhe nëse është e dhimbshme.
Fëmija që kemi qenë dikur ka mësuar të idealizojë prindërit edhe kur ata mungonin emocionalisht. Dhe si të rritur, kërkojmë të njëjtën dashuri të munguar tek ata që na lëndojnë, duke shpresuar se një ditë do të na shohin, do të na duan, do të na riparojnë. Por kjo shpresë është një kurth.
Shërimi është të thyesh këtë magji. Të shohësh realitetin pa iluzione. Të heqësh dorë nga idealizimi dhe pritjet. Sepse dhimbja nuk është identiteti yt. Nuk je ai që duron gjithmonë, ai që nuk është dashur kurrë. Ti je më shumë se historia jote e vjetër.
Të shërohesh do të thotë të thuash “mjaft”. Të ndalosh së lypuri dashuri aty ku vetëm je përshtatur. Të fillosh të mbrosh veten. Të thuash “jo” ku dikur thoje “po”. Të mos shpjegohesh aty ku nuk të dëgjojnë. Të mos pranosh të jesh më i fundit në listë.
Sa herë që zgjedh veten, je duke u shëruar. Sa herë që lë pas atë që të konsumon, po kthehesh në shtëpi.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.