FB

May 5, 2023 | 7:20

“Numri dy” / Historia e Martin Hill, djaloshit që u rendit i dyti në audicionin për rolin e Herri Poter, sjellë me një fantazi melankolike në romanin e David Foekinos

 

Suksesi dhe dështimi janë një fije larg njëri-tjetrit, po a është lumturia prej suksesit gjithnjë e garantuar, kurse dështimi domosdoshmërisht një humbje?

da

Më 1999, u zhvillua audicioni për gjetjen e aktorit kryesor që do të luante rolin e Herri Poterit, rol që do ta shndërronte djaloshin fitues në njeriun më të famshëm në botë. Qindra kandidatë morën pjesë në atë audicion, por në fund mbetën vetëm dy. Ky roman tregon historinë e djalit që nuk u zgjodh.

Martin Hilli është një djalë i vogël dhjetëvjeçar, me një jetë të zakonshme. Aq sa mund ta lejojnë kushtet ku jeton pas divorcit të prindërve. Thuajse rastësisht, teksa ndjek të atin në një shesh xhirimi, Martini i bie në sy një producenti që po zhvillon filmin e parë të sagës së Herri Poterit. Fazë pas faze, djaloshi do të kalojë qindra kandidatë të tjerë, derisa në finale do të mbeten vetëm dy rivalë. Por fitues i rolit do të jetë djali tjetër. Kësisoj, Martinit do t’i shkërmoqen të gjitha shpresat që kishte ushqyer dhe tani e tutje do të krahasohet vazhdimisht me triumfin e gjithëpranishëm të rivalit të tij. Si mund ta marrë veten nga ky dështim, kur aventurat e magjistarit të vogël dhe përshtatjet e tyre kinematografike do të arrijnë sukses pas suksesi?

da1

Si do të jetojë Martini pas kësaj që ai e quan dështimin më të madh të jetës së tij?

Ky roman i ri i David Foenkinos-it, zbavitës dhe i pazakontë, nuk është thjesht historia e një dështimi. Martini thuajse ia doli mbanë, për një fije nuk e arriti suksesin dhe vendi i dytë është padyshim më i padurueshmi. Një fantazi melankolike përshkon gjithë romanin, që arrin të kapë me saktësi dhe lehtësi përhumbjen e një djaloshi që përballet vazhdimisht me krahasimin e asaj çka mund të kish qenë jeta e tij.

Kritika

Pena e parezistueshme e Foenkinos-it arrin të na bëjë të buzëqeshim përmes fatkeqësive të njëpasnjëshme që godasin Martinin e gjorë. (…) Autori arrin të tregojë që ndoshta nuk është kurrë vonë që njeriu të marrë në dorë frerët e jetës së vet, ndonëse sot, më shumë se kurrë jemi pre e diktaturës së lumturisë së të tjerëve. – La Presse

Ky roman është një reflektim mbi ringritjen e vetes në sfondin e suksesit të sagës së Herri Poterit. David Foenkinos e shndërron një ide gjeniale në një roman magnetik. – La Croix

Një meditim i ndjeshëm dhe dashamirës mbi shpëtimin nga dështimi. – Le Parisien

Zbavitës dhe melankolik, mizor dhe dramatik. – Le Figaro Littéraire

Zor se mund të gjesh një libër më intrigues se ky. – Elle

Një histori e gjallë, e mprehtë dhe zbavitëse. – L’Obs

Autori

autori

David Foenkinos është i njohur në Shqipëri përmes librave të tjerë të tij, botuar nga Pegi, si: “Delikatesa”, “Sharlota” dhe “Zigzage takimesh”. Në maj 2014, ai ka qenë i pranishëm në promovimin e librit të tij të parë të botuar në Shqipëri, “Delikatesa”. Ai është shkrimtar, regjisor dhe skenarist i famshëm francez. Është nderuar shumë herë me çmime nga më të ndryshmet, ndër të cilat Reanaudot dhe Goncourt des lycéens për romanin “Sharlota”.

Fragmente nga libri

1) Lumturia nuk varet nga kushtet e këqija të minatorëve; lumturia është gjithnjë disi borgjeze.

2) Sot jetojmë nën diktaturën e lumturisë së të tjerëve. Ose, mbase, të lumturisë që ata pretendojnë…

3) Kur hyj në Instagram dhe shoh jetën e mrekullueshme të njerëzve të tjerë, ndihem sikur jeta ime është një hiç, një dështim.

4) Çfarë ishte suksesi në fund të fundit? Po dështimi? Shqetësimi i tij buronte nga fantazma e një fati tjetër, që dukej më i mirë. Po në të vërtetë, çfarë dinte ai nga jeta e përditshme e Tjetrit? Jo ndonjë gjë të madhe, përveçse çfarë thoshin mediat dhe industria e ëndrrës.

5) Në njëfarë mënyre, secili kishte ëndërruar jetën e tjetrit. Secili kishte dëshiruar atë që nuk kishte. Drita e njërit, ishte errësira e tjetrit.

 

davide

Titulli: Numri dy

Autor: David Foenkinos

Përktheu: Adelina Jaku

Zhanri: Roman

Data e botimit: maj, 2023

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top