Mirëqenie

April 3, 2020 | 8:06

Olta Marku: Të ndërgjegjësohemi mbi Autizmin

 

Olta Marku, psikologe këshillimi

Olta Marku, psikologe këshillimi

– Çfarë është Autizmi?

Autizmi është një çrregullim kompleks i zhvillimit, i cili prek shumë aspekte të tij, që nga mënyra se si një njeri e sheh botën e tij dhe mëson nga eksperincat e tij, deri në mungesën e dëshirës për kontakt social. 

1

Autizmi është çrregullim neurobiologjik kompleks e shumëplanësh i zhvillimit të njeriut, pjesë e Çrregullimeve të Spektrit Autik. E veçanta, patologjikja, çrregullimi esencial dhe paaftësia e fëmijëve për të zhvilluar marrëdhënie normale me persona të tjerë dhe për të reaguar normalisht ndaj situatave që prej fillimit të jetës.

Diagnostifikimi me Autizëm po vjen në rritje ditët e sotme. Kjo është diagnozë aq e gjerë sa në të mund të përfshihen individë të vlerësuar me koeficientë inteligjence të përparuar apo edhe me vonesë të zhvillimit mendor. Fëmijët me autizëm mund të jenë fjalëshumë ose të heshtur, të afeksionuar ose të ftohtë, metodike ose të çorganizuar.

Fëmijët me Autizëm kanë përgjithësisht të dëmtuar 3 fusha të veprimtarisë së tij: – marrje-dhënien sociale – komunikimin verbal-jo-verbal – llojin e aktiviteteve ku përfshihet, të cilat janë përsëritëse e tejet ritualistike. Secila prej këtyre fushave mund të jetë e dëmtuar lehtë ose rëndë, duke shkaktuar paaftësira të niveleve nga më të lehtat tek më të rëndat.

Dëmtimi i marrëdhënieve sociale | Prindërit janë të parët që vënë re se fëmija është indiferent ndaj njerëzve dhe përqendrohet në vetëm disa sjellje e aktivitete të veçuara, duke i përjashtuar gjithë të tjerat.

2

Komunikimi verbal dhe jo verbal dhe aktivitetet përsëritëse |  Një nga simptomat e para të autizmit është shmangia e kontaktit me sy, ku fëmija i largohet çdo lloji kontakti me sy, si me fëmijët e tjerë po ashtu edhe me prindërit dhe reagon pak ose aspak ndaj ngacmimeve të ambientit duke u përqendruar për periudha mjaft të gjata kohe në veprime a veprimtari që i përsërit e i përsërit vazhdimisht. Fëmija duket sikur ‘nuk ia ka nevojën’ përdorimit të fjalëve, fjalive a diskutimit, dhe, edhe nëse i përdor, i vë pak apo aspak për të realizuar komunikimin social. Për pasojë, e ka të vështirë të përfshihet në lojëra me fëmijët a njerëzit e  tjerë sepse ato i prishin stilin ritualistik. Fëmija me Autizëm mund të mos i shfaqë që në fillim këto simptoma, por pas një periudhe zhvillimi normal nis të bëhet indiferent e i larguar nga ambientet apo veprimtaritë sociale.

– Diagnostifikimi

Në shumicën e rasteve simptomat e Autizmit janë të matshme me disa instrumenta apo teste vlerësimi që në moshën 18-muajshe. Prindër të kujdeshëm apo specialistë të mirëformuar qëllon t’i identifikojnë shenjat e para edhe më herët. Si rregull, një diagnozë e konfirmuar e Autizmit mund të vendoset rreth moshës 2 vjeç, pavarësisht se në praktikë është rreth dy vjeç e gjysëm tre, pikërisht atëherë kur problemet me të folurin janë bërë më të dukshme.

– Trajtimi

Autizmi mbetet ende një çrregullim i trajtueshëm. Disa modele terapish bëjnë sot të mundur të kontrollojnë e modifikojnë simptoma specifike duke sjellë përmirësim të dukshëm e të qëndrueshëm. Një plan i mirë trajtimi vë në lçvizje një grup specialistësh që koordinojnë punën për të modifikuar simptomat bazë: dëmtimin e marrje-dhënieve sociale, komunikimin (verbal e jo-verbal) dhe veprimet a sjelljet përsëritëse e obsesive. Sa më e herët ndërhyrja, aq më të mira duhet të jenë rezultatet. Modelet terapeutike janë të shumëllojshme, nga ndonjëherë të ndihmuara edhe nga barna që i përshkruajnë mjekët, por ato më të suksesshmet janë kur familja përfshihet në mënyrë thelbësore.

– Të ndërgjegjësohemi dhe të mbështesim Autikët

Mbështetje, mbështetje, mbështetje… Fëmija autik dhe prindërit kanë nevojë për mbështetje, ngrohtësi e dije, sepse bëhet fjalë për një rrugë të gjatë e të mundimshme. Vitet e fundit është rritur ndjeshëm numri i fëmijëve me këtë sëmundje. Fëmijët që janë me këtë sëmundje kanë probleme në të folur ose nuk flasin fare ose nuk reagojnë për punë individuale. Ne nuk duhet t’i gjykojmë ato, se ne fund të fundit edhe ata janë fëmijë. Ata kanë talente në fusha të ndryshme si muzikë, pikturë etj. Fëmijët janë gjithmonë mirë, por janë ndryshe, ata e konceptojnë ndryshe, mendojnë ndryshe, veprojnë ndryshe, por gjithmonë janë duke bërë gjëra.

Të ndërgjegjësohen. Ta kuptojnë drejt autizmin. Ta kuptojnë si gjendje jo si sëmundje dhe të japin mbështetjen e tyre, kontributin e tyre.

Nëse je duke udhëtuar në autobuz, dhe fëmija ka një sjellje, atëherë njerëzit është më mirë të heshtin dhe kjo është ndihma më e madhe. Nëse je në një kënd lojrash, prindërit nuk duhet t’i pengojnë fëmijët të luajnë me fëmijët me çrregullim të spektrit autik, përkundrazi, nëse i shtyn ata drejt bashkëveprimit, ka dhënë ndihmesën më të madhe. Në kopsht ose në shkollë, nëse shoqja apo shoku i bankës e ndihmon atë që të ruajë përqendrimin dhë të ndjekë mësimin, duke e mbajtur afër siç mban afër një shok tipik, kjo do të ishte e përkryer. Prindërit duhet t’i stimulojnë fëmijët e tyre të ndërgjegjësohen.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top