Ka një lidhje të drejtpërdrejtë midis bukurisë dhe operacioneve plastike. Të gjithë jemi dakord që njerëzit duhen gjykuar për atë që janë e atë që bëjnë dhe jo për pamjen e jashtme, e megjithatë jemi po ne që, thellë brenda vetes, e shohim pamjen e jashtme si përcaktues të mënyrës me të cilën vërejmë të tjerët. Përpara një pamjeje engjëllore, tërheqëse, joshëse, çarmatosemi dhe priremi të jemi më pozitivë e tolerantë. Stereotipi “e bukura është e mirë” na shtyn që brenda vetes të besojmë se njerëzit tërheqës kanë edhe karakteristika të tjera pozitive.
Vihet re që femrat, të cilat bëjnë operacione plastike, e konsiderojnë veten si objekte për t’u parë e admiruar dhe vazhdimisht e shohin veten nga perspektiva e tjetrit. Por, gjithashtu, ekziston mendimi se femrat e bukura mendohet se janë edhe të suksesshme. Si rrjedhojë, skalitet ideja se bukuria e arritur edhe përmes operacioneve do të ndihmojë një person të arrijë suksese. Nga ana tjetër, ekspozimi që në fëmijëri ndaj bukurisë ideale të kukullave Barbie, dëmton vetëvlerësimin në moshë të re, pasi vajzat nuk do të jenë të kënaqura me imazhin e tyre, i cili mund të mos i përafrohet kukullës Barbie. Për të pasur vetë imazh pozitiv, shumë femra i drejtohen operacioneve plastike. Mediat investojnë në një mënyrë të frikshme ndaj kritereve të “së bukurës”. Natyra e njeriut përpiqet, në mënyrë indirekte, të kërkojë si një nevojë psikologjike, aprovimin nga të tjerët, prindërit, partnerët, fëmijët, kolegët dhe miqtë. Në gjithë jetën e njeriut ka një dëshirë të madhe: të jetë i pranuar.
Kompleksi obsesiv çon drejt operacioneve plastike
Pasiguritë që ekzistojnë brenda individit, prej pamjes së jashtme janë simptoma të problemeve të fshehura psikologjike, si depresioni, të cilat mund të fashiten përkohësisht nga operacionet. Ndonjëherë njerëzit e varin vetëvlerësimin e tyre te dukja e jashtme, duke u përpjekur që të perceptohen të bukur. Kjo bëhet edhe në rrafsh krahasues me të tjerët dhe me atë sesi u dukemi të tjerëve dhe sesi mund të reagojnë të tjerët ndaj tipareve tona, apo pamjes sonë të jashtme në raste të ndryshme. Ky krahasim mund të ketë pasoja pozitive, negative emocionale e psikologjike. Ka fakte shkencore, të cilat sugjerojnë se idetë në lidhje me rëndësinë e bukurisë që kemi, formulohen që në fëmijërinë tonë. Kur fiksimi për një pjesë të pamjes sonë të jashtme shkon në ekstrem, merr forma patologjike, atëherë kemi diagnoza psikiatrike dhe njëra prej tyre quhet: çrregullimi dismorfik trupor. Kjo është arsyeja se përse disa njerëz janë të varur ndaj operacioneve plastike dhe nuk kënaqen kurrë me përfundimin e tyre. Ekzistojnë rastet ku një “defekt” jo në proporcion me tiparet e tjera çon në vetëvlerësim të ulët, stres, ankth, pakënaqësi të vazhdueshme te njeriu dhe, në rastet më të rënda, izolime nga shoqëria.
Psikologu në fillim, më pas operacionet plastike
Vërejmë se, për arsye të ndryshme, njerëzit vendosin që të bëjnë një ndërhyrje kirurgjikale. Kjo po kthehet në një modë edhe të frikshme, sepse njerëzit ngjajnë me njëri-tjetrin edhe pa pasur lidhje gjaku. Por, ajo që i vë ata në rrezik është edhe mungesa e rolit të psikologut gjatë ecurisë së tyre, që nga momenti i marrjes së vendimit për të bërë një ndërhyrje deri në çastin pas realizimit të operacionit. Gjithashtu është edhe mungesa e informacionit që pacientët kanë, për sa u përket rreziqeve të ndërhyrjes. Psikiatria premton të na kthejë ekuilibrin e brendshëm që kemi humbur, ndërsa kirurgjia estetike na ofron mundësinë për të përmirësuar pamjen tonë të jashtme. Por ndryshimet mes këtyre degëve të mjekësisë s’janë aq të thella sa mund të duket në pamje të parë. Në të vërtetë, të dyja ato kanë si qëllim të rivendosin harmoninë fizike e psikike, që rastis të na mungojë. Përveç të tjerave, pas bukurisë (ose jorehatisë që mund të na shkaktojë imazhi ynë) fshihet “e brendshmja” e secilit prej nesh. Bashkëpunimi mes këtyre disiplinave sa vjen dhe bëhet më thelbësor, jo vetëm për të kuptuar arsyet e vërteta që fshihen pas ndërhyrjeve mjekësore, por edhe për ta ndihmuar pacientin të fitojë siguri të brendshme më të madhe. Nga ana tjetër, beteja e vazhdueshme për të ndjekur idealin e së bukurës, te vetë tërheqësit, çon në nivele të larta stresi dhe në ankth kronik. Dështimi në përmbushjen e këtij standardi çon në pakënaqësi, vetëvlerësim të ulët e dëshpërim tek ata, të cilët vetëvlerësimi bazohet edhe në tërheqjen fizike.
Opinion personal
Personalisht nuk jam kundër dëshirës së askujt për t’u ndier më mirë me veten dhe me trupin e saj/tij. Nëse një operacion plastik ndihmon dikë që të ndihet më mirë në lidhje me pamjen e vet dhe nëse ky ndryshim e bën të jetë më i qetë në shoqëri, apo në jetën e përditshme, atëherë mendoj se ka një vlerë pozitive. Aprovoj operacionet te njerëzit e moshës së rritur, të cilët, për hir të profesionit, u duhet të zgjasin rininë, por jam kundër operacioneve te të rinjtë e të rejat që kërkojnë të ndryshojnë në kërkim të
bukurisë ideale të propaganduar. Unë mendoj që vendimi për ndërhyrje të tilla, që synojnë një ndryshim estetik dhe jo shëndetësor, mund të merret vetëm nga vetë personi, kur ai ka arritur maturinë fizike e mendore. Janë dhe prindërit ata që shpesh u bëjnë presion fëmijëve që të mësojnë, por ka prindër kohët e fundit që po i çojnë vetë fëmijët të bëjnë operacione plastike, duke menduar se kështu do të jenë më të suksesshëm.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.