Psikofakt

October 24, 2016 | 11:35

Opiumi dhe feja

Nga Edmond Tupja

Nga Edmond Tupja

Sigurisht, atij që ka jetuar në kohën e diktaturës hoxhiste ky titull mund dhe duhet t’i kujtojë thënien e famshme të Marksit “Feja është opiumi i popullit”, thënie që shpjegon, ndër të tjera, edhe vendimin e PPSH-së në vitin 1967 për mbylljen e institucioneve fetare, ndalimin e praktikave fetare dhe persekutimin e klerit në Shqipërinë komuniste. Gjithsesi, nuk do të jetë kjo tema e këtij shkrimi, çka lexuesi i vëmendshëm i kësaj rubrike të përjavshme patjetër e ka parandier tashmë me të vënë re që në titullin tim renditja e dy termave është ndryshe nga ajo në citatin e Marksit.

Opiumi, njëlloj hashashi që nxirret nga lulëkuqja e tipit Papaver somniferum, njihej që në lashtësinë e epërme (sumeriane, pastaj greke) për vetitë e tij qetësuese, pastaj ai u bë i njohur edhe në Azi para rreth një mijë vjetësh, na mëson zoti Internet, dhe, në fillim të mesjetës, u përdor kundër dhimbjeve nga mjekësia arabe dhe perse. Sot, droga, sidomos në formë hashashi, marijuane apo kanabisi, me gjithë përpjekjet e qeverive të njëpasnjëshme shqiptare që nga viti 1991 për ta luftuar atë, është bërë tashmë tejet e njohur, masive, popullore dhe kultivimi i saj, për fat të keq, i papërmbajtshëm.

Rrjedhimisht, duke i përmbysur termat e thënies së Marksit, mund të pohojmë me plot gojën dhe penën se droga, pra, opiumi, po bëhet feja e shqiptarëve. Sidoqoftë, po t’i referohemi historisë së përhapjes së opiumit në rruzullin tokësor, zoti Internet na mëson se në shekullin XIX, në Kinë, për tre vjet rresht (1839-1842), u zhvillua lufta e opiumit midis Mbretërisë së Bashkuar, pra, Britanisë së Madhe, dhe Perandorisë Qing, luftë që u quajt kështu për arsye se britanikët, qysh nga viti 1773, kishin monopolin e tregtisë së kësaj droge në atë vend, ndërkohë që kinezët e ndaluan përdorimin e saj.

Ç’është e vërteta, britanikët nxirrnin fitime tejet të majme nga trafiku i opiumit duke shitur çdo vit miliona tonë nga ky mall. Lufta e opiumit plasi kur Kina e ndaloi importin dhe konsumin e opiumit, duke shkatërruar një stok prej më se 1000 tonësh. Fundi i kësaj lufte dihet: Britanikët e fituan atë dhe, njëkohësisht, fituan të drejtën të sheshin opium në Kinë. Rreth 15 vjet më vonë plasi lufta e dytë e opiumit ku u implikuan, përkrah britanikëve, edhe rusët, amerikanët dhe francezët. Le t’i kthehemi tani situatës ku ndodhet sot vendi ynë drogëkultivues dhe të këqyrim luftën që qeveria i ka shpallur pikërisht drogës. Zhvillimi i kësaj lufte, e para e këtij lloji në Shqipërinë tonë tmerrësisht demokratike (mos vallë do të ketë edhe një të dytë sipas shembullit të aleatëve tonë të dikurshëm strategjikë?), po tregon se sa më dëshpërimisht përpiqet qeveria ta shtrijë këtë luftë në të gjitha zonat ku kultivohet furishëm kanabis sativa, aq më e qartë bëhet se mundësitë për ta fituar atë po zvogëlohen gjithashtu dëshpërimisht, sepse, me sa duket, me gjithë përfshirjen serioze të ndërkombëtarëve në këtë luftë, Karteli Shqiptar i Drogës, ndryshe nga perandori Qing i Kinës së dikurshme, e ka kuptuar dashurinë e madhe të popullit shqiptar për Lejdi Drogën, e ka kuptuar aq thellë, saqë nuk do të jetë e largët dita kur vetë qeveria shqiptare, e sotmja apo ajo e nesërmja, pak rëndësi ka, do ta shpallë si fitore të papërsëritshme legalizimin e Lejdi Drogës ose, më saktë, shenjtërimin e Shën Mari-Juanës!

Pas kësaj, citati i Pashko Vasës sipas të cilit “Feja e shqiptarit është Shqiptaria” do të shndërrohet triumfalisht në “Feja e shqiptarit është Shën Mari-Juana”. Së fundi, për sa i përket Marksit dhe thënies së tij të famshme se “Feja është opiumi i popullit”, po e përsëris atë që tashmë e kam shkruar më lart, pra, “Droga po bëhet feja e popullit shqiptar”. Sidoqoftë, nëse më lejohet, po guxoj të korrigjoj Marksin, duke e plotësuar si vijon thënien e tij të famshme: “Feja është opium për popullin, por populli paska nevojë për opium”, pra, në qoftë se nesër, me sa duken bathët (me “a” ose me “y”, pak rëndësi ka), ne do të themi “Droga është feja e shqiptarit”, do të na duhet detyrimisht të shtojmë aty për aty “sepse shqiptari paska nevojë për këtë fe” dhe e gjitha kjo, natyrisht, në emër të Artit, Bririt dhe Shpirrës së Shtrenjtë! Amin!

Botuar në gazetën Panorama

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top