Nga Focus / Përktheu e përshtati Adela Kolea
Më 4 Tetor 1883, Orient Express – treni i mbretërve ose mbreti i trenave – do të niste udhëtimin e tij të parë nga Parisi drejt Stambollit. Shpikësi i këtij treni ishte Georges Nagelmackers (1845-1905), inxhinier belg, trashëgimtar i një familjeje bankierësh. Kjo do të përbënte zanafillën e një epoke udhëtimesh luksoze, të rezervuar vetëm disa të privilegjuarve.
Kjo është historia magjepsëse e trenit më të famshëm në botë, në të cilin kanë udhëtuar mbretër, vipa, spiunë…
Nisi pra, më 4 Tetor 1883, rrugëtimi i parë i trenit Orient Express, treni më luksoz i të gjitha kohërave, në linjën Paris-Stamboll. Përgjatë harkut kohor në vazhdim kanë ndryshuar segmentet e udhëtimit të kësaj tipologjie treni, kanë ndryshuar vendet e përshkuara nga treni, destinacionet, “Compagnie Internationale des Wagons-Lits” – “Shoqëria Ndërkombëtare e Vagonave – Shtretër” nuk ekziston më, megjithatë, shoqëri private ofrojnë udhëtime luksoze mbi trena elegantë për rrugëtime të gjata ndërkombëtare dhe trenat e këtij kalibri vazhdojnë t’i quajnë ende “Orient Express.”
Është ky një emërtim që ka bërë të ëndërrojnë breza të tërë udhëtarësh sqimatarë dhe ka frymëzuar romancierë, si Agatha Christie, me romanin “Vrasje mbi Orient Express”, Ian Fleming, me romanin “007, nga Rusia me dashuri”, etj.
Por, është në të njëjtën kohë, një emërtim ky i trenit “Orient Express”, që shkon përtej narrativës dhe në realitet ka përbërë një subjekt të mirëfilltë të frekuentuar nga spiunë, i ngarkuar plot intriga e mistere.
➡Nga PARISI në STAMBOLL
E madhja aventurë nisi pra më 4 Tetor 1883, kur mes resh me avull dhe fishkëllimës së sinjalit të nisjes, treni u largua nga “Gare de l’Est” – “Stacioni Lindor” i Parisit, me destinacion Stambollin, atëherë Kostandinopojë.
Në turmën e madhe elegante, që merrte pjesë në inaugurimin e udhëtimit të parë, nuk mungonin skeptikët. Mes tyre kishte nga ata që e konsideronin udhëtimin me tren Paris – Stamboll, njëlloj sikur “të pretendoje të shkoje në Hënë”, – kështu pati shkruar në artikullin e tij në Le Figaro, gazetari Edmond About. Ky gazetar, së bashku me 40 shkrimtarë e personalitete, qenë të ftuar specialë për udhëtimin e parë inaugurues të trenit.
Ndërkohë, të elektrizuar siç ishin të gjithë, sugjerimi nga personeli i bordit të trenit për të marrë edhe një revolver me vete, nuk bënte gjë tjetër, veçse ta stimulonte edhe më shumë adrenalinën.
Treni Orient Express ishte me të vërtetë një bizhuteri e çmuar elegance e teknike.
Duke nisur që nga vagonat -“kabina”, të tëra realizuar në dru “Teak” të llakuara e të shkëlqyeshme.
Druri “Teak” përfitohet nga një pemë, Tectona dhe sot kjo lloj bime rritet vetëm në Afrikë e Azi.
Kabinat ishin të ngrohura me avull dhe të ndriçuara me gas.
“Wagon-lit” -“Vagoni i shtretërve” ishte i pajisur me kabina të rehatshme për fjetje për natën, që gjatë ditës shndërroheshin në divanë praktikë:
Një risi për kohën kjo.
Gjithçka ishte e kuruar në detajet më të imta.
“Çarçafët ndërroheshin e parfumoseshin përditë, rafinim i praktikuar ky, vetëm nga familjet e pasura për epokën”, – do të shkruante gazetari About.
Vagoni përfshinte edhe një sallë biblioteke, një salon për zonjat dhe një hapësirë komode për të praktikuar shkrimin nga të interesuarit e Letrave, ku ata mund të punonin të qetë.
Në vagonin-restorant, një chef “me yje” gatuante ushqime të rafinuara.
➡Një Grand Hotel mbi shina
Në vagonin-restorant gjithçka servirej në pjata porcelani dhe shoqërohej nga verëra shumë cilësore.
Me lëkundjet e trenit, vera a rrezikonte të derdhej nga gota?
Jo!
Inxhinieri i hekurudhave, Delaitre, kishte menduar edhe për këtë.
Falë disa strategjive teknike që në ndërtim të vagonave, kishte mundësuar atë që, edhe e mbushur plot e përplot me verë, një gotë të mos e derdhte as edhe një pikë lëng jashtë saj, gjë që ai e kishte verifikuar personalisht.
Udhëtimin Paris-Stamboll, treni Orient Express e përshkoi në katër ditë.
Ndërsa, në 1889 arriti ta kryejë në tri ditë, duke perfeksionuar kohën e udhëtimit.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.