FB

December 15, 2021 | 10:55

Origami, arti i palosjes së letrës dhe të dhuruarit dashuri

Jemi në prag festash dhe pak nga arti i origamisë na nevojitet më shumë se kurrë, sidomos kur ndodhemi para pakove të dhuratave të cilat duam t’i paketojmë bukur për të dashurit tanë.  Shumëkush beson se origamet janë një lojë për fëmijët, por në realitet është një formë arti e lindur në Japoni e cila  aplikohet tashmë edhe nga studiues dhe artistë në dizajn, në sektorin e hapësirës, në robotikë, mjekësi dhe në arkitekturë.

Përgatiti Rudina Koromani, psikologe klinike

Origamia ka origjinë shumë të lashtë: aktiviteti i palosjes së materialeve në forma të dallueshme shkon paralelisht me shpikjen dhe përhapjen e vetë letrës. Me palosjen e letrës, një fletë e thjeshtë dydimensionale shndërrohet në një formë tredimensionale, kështu që mund të jetë një mjet i shkëlqyer komunikimi për çdo lloj kompanie që dëshiron të përcjellë një ide, një markë apo një produkt. Fjala origami rrjedh nga japonishtja: “oru” që do të thotë të palosësh dhe “kami” që do të thotë letër.

Origamia është arti i palosjes së letrës, i cili shpesh është lidhur me kulturën japoneze.

Lindja e letrës në Kinë, në fillim të shekullit të II pas Krishtit, shënon fillimet e këtij arti. Megjithatë, ishin japonezët ata që e bënë letrën gjithnjë e më të butë dhe më rezistente duke përdorur orizin, dhe mbi të gjitha ata që e bënë origamin Art.

Origjina e origameve japoneze lidhet me fenë Shinto. Ndër format më të hershme janë të ashtuquajturat gohei, të përdorura në raste ceremoniale dhe të formuara nga shirita të palosur në forma gjeometrike, të lidhura me një fije ose një shufër druri për të kufizuar hapësirat e shenjta.

Në përdorimin modern, fjala “origami” përdoret si një term gjithëpërfshirës për të gjitha praktikat e palosjes, pavarësisht nga kultura e origjinës së tyre.

Qëllimi është që një fletë letre e sheshtë katrore të shndërrohet përmes teknikave të palosjes në një figurinë. Numri i vogël i palosjeve bazë të një origami mund të kombinohet në mënyra të ndryshme për të bërë dizajne pafund figurash gjeometrike  nga më të thjeshtat e deri tek më të ndërlikuarat. Modeli më i njohur i origami është vinçi japonez prej letre. Në përgjithësi, këto dizajne fillojnë me një fletë letre katrore, anët e së cilës mund të jenë me ngjyra, printime ose modele të ndryshme.

Një shembull tjetër i origami të hershem në Evropë është “parajita”, një zog i stilizuar, origjina e të cilit daton të paktën në shekullin e nëntëmbëdhjetë…bëhet fjalë për figurinën e famshme të profesorit tek filmi Casa de Papel.

Wet folding : Palosja e lagësht është një teknikë origami e zhvilluar nga Akira Yoshizawa, teknikë që përdor ujë për të lagur letrën në mënyrë që të mund të manipulohet më lehtë.

Ata që hyjnë në këtë botë të çuditshme krijojnë diçka që miksohet mes artit dhe matematikës ku me kalimin e kohës eksperimentet e ndryshme kanë çuar në rezultate të paimagjinueshme. Rregullat bazë janë të thjeshta, mjafton të kesh një fletë letre për të palosur, qoftë edhe në mënyrë shumë komplekse, për të krijuar një lloj skulpture: gërshërët apo ngjitësi nuk lejohen.

Origamet janë tashmë pjesë e përditshmërisë sonë; në paketime të ndryshme, ambalazhime e deri ne algoritmet e programeve kompjuterike.

E ndërsa në algoritmet matematikore origamike mbërrijnë vetëm pak individë, shumica prej nesh mbetet në argëtimin me to gjatë sfidës së paketimit të dhuratave. Do ishte shumë kollaj t’i paketonim dhuratat tona në dyqane, por asesi nuk do merrni kënaqësinë që ju jep një “krijim” i juaji…dhurata merr më shumë vlerë kur çdo detaj i tij ka prekjen tuaj.

Ps: sigurisht që për paketimin e dhuratave mundësojani vetes një ngjitës e një palë gërshërë. Rregullat e artit të origameve vlejnë vetëm për profesionistët.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top