Një virus që trondit botën, një pandemi dhe një shkatërrim i plotë i gjithë njerëzimit ashtu siç e njohim sot, një paralajmërim që na vjen nga e shkuara, një distopi më e fuqishme se “Rrëfenja e shërbëtores”, që sot tingëllon tmerrësisht reale dhe aktuale.
Bestseller ndërkombëtar! Kandidat për Man Booker Prize for Fiction, në 2003 dhe Oringe Prize for Fiction, në 2004. “Oriksi dhe Krejku” është njëkohësisht një histori e paharrueshme dashurie dhe një vizion rrëmbyes i së ardhmes, në një botë postapokaliptike.
Njeriu i Dëborës, i njohur si Xhimi para se njerëzimi të pllakosej nga një pandemi e tmerrshme, po rreket të mbijetojë në një botë, ku ai mund të jetë njeriu i fundit mbi dhé. Ai vajton për humbjen e shokut të tij të ngushtë, Krejkut, dhe të Oriksit, gruas së bukur e misterioze, me të cilën ishin të dashuruar që të dy. Në kërkim të përgjigjeve, Njeriu i Dëborës ndërmerr një udhëtim – me ndihmën e Krejkërve, fëmijëve sygjelbër të krijuar nga mendja brilante dhe e përbindshme e Krejkut – përmes natyrës së harlisur, që jo shumë kohë më parë pat qenë një qytet i madh, deri kur korporata të fuqishme e shpunë njerëzimin drejt një udhe të pakontrollueshme mutacionesh gjenetike.
Njeriu i Dëborës rreket të gjejë një shpjegim, për veten dhe për “fëmijët e Krejkut”, të krijuar në laborator, e vetmja formë e jetës inteligjente që ka mbijetuar në Tokë, fryt ekzemplar i inxhinierisë gjenetike. Janë të shumta gjërat që duan të kuptojnë ata, sepse janë krejt të paditur për marrëzitë e njeriut.
I botuar për herë të parë më 2003, Margaret Atwood na shpie në një të ardhme që tashmë është tepër aktuale dhe aspak “letërsi distopike e spekulative”, siç u cilësua asokohe. Me të njëjtën përzierje profecie dhe satire shoqërore me të cilën shkroi “Rrëfenjën e shërbëtores”, Margaret Atwood na dhuron një roman të mprehtë paralajmërues për të ardhmen e njerëzimit dhe për të sotmen e tij.
Siç kanë treguar Orwell-i, Huxley-i, Vonnegut-i dhe vetë Atwood-i në
“Rrëfenjën e shërbëtores”, rrëfimi letrar i një utopie të dështuar mund të na çelë sytë mbi të vërteta të panumërta për gjendjen e planetit. Bota jonë mund të jetë ajo e Oriksit dhe Krejkut pas pak vjetësh, pas vendimesh të çmendura të atyre që lëvizin fijet e saj.
Kritika
Skenari i Atwood-it fiton rëndësi për shkak të shqetësimit tonë aktual lidhur me bioinxhinierinë, klonimin, rigjenerimin e indeve dhe hibridet bujqësore, duke na lëshuar kështu një thirrje paralajmëruese […] The New York Times
Ky libër jashtëzakonisht magjepsës me një fantazi të lartë i bashkohet “Rrëfenjës së shërbëtores” në shoqërinë e të tjerë librave të shquar si “Më e mira e botëve” dhe “1984”, që i hedhin sytë drejt së ardhmes për të na paralajmëruar për rezultatin e miopisë njerëzore. The Times
Rrëmbyes dhe drithërues… Zotësia e Margaret Atwood-it ia kalon edhe Orwell-it. The New Yorker
“Mprehtësi, humor i zi dhe një rrëfim rrëmbyes… Margaret Atwood ka aftësinë ta joshë lexuesin. Usa Today
Margaret Atwood ka zënë prej kohësh vend mes shkrimtarëve më të mirë të gjuhës angleze sot, por “Oriksi dhe Krejku” mund të jetë vepra e saj më e mirë deri tani… E shkëlqyer, provokuese, e mrekullueshme dhe jashtëzakonisht ngjethëse. The Baltimore Sun
I shkëlqyer, nuk e lëshon dot nga dora… Atwood-i është njëkohësisht e magjishme dhe e fuqishme. Tejet inteligjente dhe përvëluese, me fantazi të madhe e dhembshuri që s’i mungon kurrë, ajo është një rrëfimtare gojëmbël, që i fsheh barnat e forta dhe të nevojshme të komentit të saj thumbues ndaj shoqërisë nën balsamin e personazheve jashtëzakonisht të koklavitura e rrëmbyese, si dhe situatave intriguese e përfshirëse. The Atlanta Journal-Constitution
Autorja
Margaret Atwood, vepra e së cilës është botuar në mbi dyzet e pesë vende, është autorja e më shumë se pesëdhjetë librave në prozë, poezi, ese kritike, si dhe romanesh grafike. Përveç “Rrëfenjës së shërbëtores”, tashmë një serial televiziv që ka fituar disa çmime, ndër romanet e saj renditen Cat’s Eye, kandidat për Çmimin Booker; Alias Grace, i cili ka fituar Çmimin Giller në Kanada dhe çmimin Mondello në Itali; “Vrasësi i verbër” fitues i Çmimit Booker në vitin 2000, botuar nga Botime Pegi në 2017; si dhe trilogjia MaddAdam, pjesë e parë e së cilës është pikërisht “Oriksi dhe Krejku”. Përpos Çmimit Booker, ajo ka fituar edhe çmime të tjera, si: Çmimin Arthur C. Clarke, Çmimin e Paqes të Industrisë Gjermane të Librit, Çmimin Letrar Ndërkombëtar “Franz Kafka”, Çmimin e Arritjes në Jetë, nga PEN Center USA, dhe Çmimin e Inovatorit nga Los Angeles Times. Në vitin 2019, ajo u bë anëtare e Urdhrit të Shoqëruesve të Nderit për kontributin në letërsi. Jeton në Toronto.
Fragmente nga libri
1)-Mjafton, – vazhdoi Krejku, – që të eliminosh një brez. Një brez çfarëdolloj. Një brez brumbujsh, pemësh, mikrobesh, shkencëtarësh, folës të frëngjishtes apo ku di unë se çfarë. Mjafton të zhdukësh një brez dhe loja mbaron.
2)-Njerëzit kanë aftësinë të përfytyrojnë vdekjen dhe e shohin teksa afrohet. Por kjo për ta shërben si një afrodiziak. Një qen apo një lepur nuk sillet kështu. Marrim zogjtë, për shembull. Gjatë periudhave kur ushqimi është me pakicë, femrat prodhojnë më pak vezë ose nuk çiftohen. Të gjitha energjitë, zogjtë i shpenzojnë për mbijetesë, duke pritur të vijnë ditë më të mira, ndërsa njerëzit shpresojnë që shpirtin e tyre ta fusin brenda një personi tjetër, një versioni të ri të vetes dhe të jetojnë përgjithmonë.
3)-Xhimi, shihi gjërat me sy më realist. Është e pamundur që burimet ushqimore të jenë në përpjesëtim të drejtë me rritjen e popullsisë. Homo sapiens-i ka aftësinë ta frenojë urinë. Ai bën pjesë tek ato specie të rralla që nuk e ndalin riprodhimin edhe kur shterojnë burimet. Me fjalë të tjera – dhe kjo sigurisht ka njëfarë limiti – sa më pak hamë, aq më shumë pallojmë.
4)-Po thua që si specie, jemi të dënuar nga shpresa?
–Mund ta quash shpresë, po mund ta quash edhe dëshpërim.
–Me shpresë, pa shpresë, të dënuar jemi, – ia bëri Xhimi.
–Vetëm si individë, – ia ktheu Krejku me një ton të gëzueshëm.
5)Sigurisht (tha Oriksi), vlera monetare nuk mund ta zëvendësonte dashurinë. Të gjithë fëmijëve duhej t’u falej dashuri, të gjithë kishin nevojë për dashuri. Edhe ajo kishte nevojë për dashurinë e nënës, atë dashuri në të cilën ende besonte, dashurinë që e kishte ndjekur në formën e zogut, përmes xhunglës, që ajo të mos kishte frikë e të mos ndihej e vetmuar. Por ja që s’mund t’i mbante shpresat te dashuria. Dashuria vinte e ikte, të paktën kishe një vlerë monetare…
6)Kur një qytetërim kthehet në pluhur e hi, – tha ai – mbetet vetëm arti. Imazhet, fjalët, muzika. Struktura imagjinare. Pikërisht këto i japin kuptim jetës së njeriut.
Titulli: Oriksi dhe Krejku
Autore: Margaret Atwood
Përktheu: Erdi Ibro
Zhanri: Roman
Data e botimit: Tetor, 2021
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.