Fëmijëria, një kohë sa e largët po aq dhe e afërt. E largët për ne të rriturit, pas një rrugëtimi tanimë të hershëm, të lënë pas, dhe e afërt, në të tashmen e provuar tek fëmijët tanë. Një periudhë e bukur, e dlirë, emocionuese, ku çdo pritshmëri bëhet një mësim për të dy brezat. Por le të ndalemi në një aspekt të veçantë, që nis pikërisht nga ajo që cilësohet si ‘periudha e pafajësisë’, fëmijëria. Një moshë e cila na mëson dhe dikton shpesh leksione të reja jete.
Në një botë ku prindërit konsiderohen si mësuesit e vetëm të fëmijëve, harrojmë një fakt të thjeshtë, por shumë të rëndësishëm, edhe fëmijët tanë kanë diçka për të na mësuar. Përtej pafajësisë së tyre dhe naivitetit që shpesh i karakterizon, ata posedojnë një mençuri natyrale dhe një mënyrë unike për të parë botën, nga e cila mund të mësojmë shumë.
Im bir, në moshën 3-vjeçare më diktoi tiparin e të mbajturit të fjalës. I rritur deri atë kohë në shtëpi, (sepse kishim zgjedhur ta mbanim larg virozave) po afrohej periudha për ta dërguar në komunitet, në kopsht, për të vijuar ciklet e rritjes. Ne si prindër zgjodhëm t’ia komunikonim çdo ditë këtë rregull të mirë, për të cilin na u shpreh: “Mirë-mirë, do të shkoj në kopsht!”. Në fillim na u duk sikur një premtim i atyshëm, siç bëjnë në fakt fëmijët e rritur në shtëpi me teka dhe naze. Por edhe ne prindërit nuk jemi pa gjë, se edhe ne ndonjëherë e kemi ca problem ta mbajmë fjalën, duke u justifikuar. Megjithatë, në rastin e birit tonë na rezultoi ndryshe. Ai jo vetëm e mbajti fjalën, por tregoi një vendosmëri për të na e mësuar dhe ne autenticitetin e vet. Përpos kësaj, na tregoi edhe kurajën, si çelësi i vazhdimësisë për t’u përballur me çdo gjë.
Fëmijët na mësojnë se durimi dhe përpjekjet e përsëritura janë virtytet e duhura për të arritur qëllimet. Ata gjithashtu na kujtojnë se është e rëndësishme të mbajmë një qëndrim pozitiv dhe të mos dorëzohemi përpara sfidave. Këtë im bir e tregoi me dëshirën për të shkuar në kopsht sikundër ditën e parë deri në ditën e fundit të ciklit trevjeçar. Kështu vijoi rrugëtimi arsimor edhe me ciklet pasuese, me të njëjtën qasje. Por çfarë na mësojnë tjetër fëmijët? Pafund virtyte të mira. Ata na mësojnë se çdo pengesë mund të kapërcehet me durim dhe këmbëngulje, dhe se çdo dështim është thjesht një mundësi për të mësuar dhe për të përmirësuar. Ne si prindër shpesh kemi frikë nga gabimet dhe mund të ndjehemi të pasigurt kur diçka nuk shkon siç e kishim planifikuar. Por fëmijët tanë na kujtojnë se gabimi është një hap në rrugën e mësimit dhe se çdo përpjekje, pa marrë parasysh rezultatin, na afron më shumë me qëllimet tona. Ky është një mësim i vlefshëm për të gjithë ne: të pranojmë gabimet dhe t’i shohim si mundësi për të mësuar dhe për t’u bërë më të fortë. Në jetën tonë të mbushur me stres dhe angazhime, fëmijët na mësojnë rëndësinë e të qenët të pranishëm, të gëzojmë edhe çastet më të vogla. Lumturia e tyre nuk është vetëm një lodër apo një mundësi për të luajtur, por një mënyrë për të gjetur gëzimin pa kushte. Dhe ky gëzim shpërfaq dhe dashurinë, atë të një fëmije që ta rrëmben pa interes. Sepse dashuria nuk ka nevojë për arsye apo kushte. Ajo është një leksion i vlefshëm jete që mund të sjellë më shumë harmoni në marrëdhëniet tona.
E ndërsa fëmijët na sfidojnë çdo ditë me emocionet e tyre të pastra, ne rritemi bashkërisht emocionalisht, duke mësuar të përballemi me situata të ndryshme të jetës, të cilat na detyrojnë të jemi më të mirë, më të dashur dhe më të përgjegjshëm.
Marrëdhënia prindër-fëmijë është një shkëmbim i vazhdueshëm. Ashtu si ne përpiqemi t’i drejtojmë ata drejt një të ardhmeje më të mirë, edhe ata ndihmojnë që ne të bëhemi versionet më të mira të vetes. Prandaj, le t’i dëgjojmë dhe të mësojmë prej tyre, sepse çdo ditë është një mundësi për të rritur shpirtin dhe mençurinë tonë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.