Editorial

December 18, 2024 | 7:06

Orjona Tresa: Civilizimi, më shumë se domosdoshmëri!

 

Nevoja për përqafim të kulturës së zhvillimit, rritjes si shoqëri ku secili respekton veten, dhe tjetrin. Përpjekja që secili duhet të bëjë për më shumë kujdes në marrëdhënie me të tjerët, të japë nga vetja dhe të marrë modelin pozitiv, është baza për harmoninë e një vendi, konsideruar edhe me gabimet “e vogla” si pjesë e mësimit.

orjona

Por çfarë ndodh me ne si shoqëri, përse shkojmë dhe vijmë rreth të njëjtit qerthull, atij ngërçi që menduam se pas “çlirimit nga zinxhirët”, do të mund të merrte drejtimin e duhur falë edhe ndihmës, ndikimit të Perëndimit?

Nisur nga vetja, me një status të konsiderueshëm dhe pjesë e ndikimit shoqëror, kulturor përmes penës mediatike, sillem në përsëritje të së njëjtës temë, sepse kjo më ndikon çdo ditë, të cilën e konsideroj të papranueshme. Unë kam jetuar periudhën në kapërcimin e ndryshimit të regjimeve dhe e kam të qartë të bëj dallimin pse jo.

Me sa duket 32 vjet ishin të pamjaftueshme për të bërë rokadën e mjaftueshme. Dhe ne kemi mbetur peng i asaj lirie të munguar, ku të jetuarit në diktat na përçudnoi lirinë e mendimit, e veprimit, të të mësuarit, lirinë e dashamirësisë dhe mirësisë. Menduam se brezat e rinj do të sillnin një frymë të re demokratike, e cila dhe pse e dhënë më shumë se me pash, nuk e zhbëri dot atë model për të cilin nuk ishim dhe as nuk jemi me fat që e përfituam  të ndikuar nga kushtet.

Jetojmë në një vend ku respekti në shoqëri duket si tabu, mirënjohja apo falënderimi duket utopi, përshëndetja një çudi dhe nevoja për ndihmë një abuzim. Për të gjitha ka një shpjegim: mungesë edukate dhe kulture.

Më vjen shumë keq që e shpreh kaq hapur një mendim të tillë, (dhe në fakt mendimet duhen shprehur drejtpërdrejt) por janë situatat e përmendura, që më shqetësojnë në vazhdimësinë, duke pretenduar se liria do të na kishte tjetërsuar edhe në këto drejtime. Por me sa duket jo! Janë gdhendur steriotipe zakonore e krahinore, të cilat ushqejnë brezat e rinj, në pamundësi për të shkuar më lart, tek liria e vërtetë, mirësia dhe njerëzorja mbi të gjitha.

Në kohët e sotme, bombardohemi kryesisht nga informacione me bum çmimesh sa i takon shportës. Dhe thjeshtë qajmë hallin e rritjes 20 lekë të çmimit të bukës. Kur në fakt, sot, ne kemi nevojë për atë ushqim shpirtëror që ndikon në mendjet tona dhe na mban me këmbë në tokë. Nuk kemi nevojë vetëm për ulje çmimesh të paqena, gënjeshtra që na mbajnë peng shitoreve, pasqyrime të rreme të shoqërisë apo propagandën që godet për të na deformuar mendimet. Sot kemi nevojë për atë që shoqëritë e përparuara kanë, lirinë, respektin për veten dhe për gjithçka që na rrethon. Civilizimi është një tren i pandalshëm për shoqëritë, më shumë se një domosdoshmëri. Është një synim i madh i shoqërisë për të përparuar në mënyrë harmonike. Respekti për kulturën e zhvillimit, bashkëpunimi dhe më shumë kujdes ndaj të tjerëve janë themelet që ndihmojnë në ndërtimin e një shoqërie të fortë dhe të qëndrueshme. Duke dhënë shembullin pozitiv dhe duke kontribuar në një mjedis më të mirë shoqëror, mund të ndihmojmë në ndryshimin pozitiv të botës. Dhe gjithçka nis me arsimin, atë cilësor. Ai i jep vlerë jetës së një individi të mbarë për veten dhe shoqërinë.

Fundviti është një periudhë për të bërë një bilanc përmbyllës. Ndalemi dhe reflektojmë për atë çfarë bëmë mirë apo keq, çfarë duhet të përmirësojmë në vitin që vjen dhe nga ku duhet t’ia nisim për të dhënë kontributin tonë për mirë. Sepse deri tani jemi mësuar të urojmë: Mot më mirë! Dhe këtu kemi parasysh gjithmonë anën materiale. Por nuk është vetëm kjo.

Natyrshëm pjesë e rrugëtimit vit pas viti janë ngjarjet që kanë shënuar jetën tonë sociale, profesionale, ato që na kanë mbetur më shumë në mendje dhe që kanë qenë një përvojë aspak e këndshme. Nëse dominon kjo e fundit, për të cilën më rezulton kështu, atëherë kulturalisht shoqëria jonë vijon të mbetet në stanjacion. Në mos, po me një regres që shpesh nuk duam as ta pranojmë. Mungesë vullneti apo platforme, nuk di të them. Por më vjen keq, e përsëris, që nuk kemi mundur të ndryshojmë në kaq shumë vjet, duke dëshiruar atë që popujt perëndimorë e kanë tejkaluar prej shumë e shumë vitesh. Kulturën e të jetuarit në shoqëri të civilizuar, emancipuar.

Nëse ka jetë, ka ende shpresë për të ndryshuar. Ndaj le të shpresojmë ende nëse ajo që varet nga secili prej nesh pozitivisht dhe dashamirësisht, mund të ndihmojë për të bërë ndryshimin që na nevojitet si shoqëri!

“Mos mallko errësirën por ndiz një qiri”, është një nga shprehjet ikonë të së shenjtës Nënë Tereza. Secili nga ne duhet të bëjë diçka në favor të progresit. Dhe pas një viti padyshim do të jemi vërtet më mirë se sot.

 

Gëzuar!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top