Editorial

April 17, 2024 | 7:04

Orjona Tresa: Liria, si koncept dhe si praktikë shqiptare

A jemi të lirë? Kjo është njëra nga pyetjet. A ndihemi të lirë? Kjo është një tjetër pyetje. Sepse mund të jesh i lirë por nuk ndihesh i lirë, dhe konceptet janë krejt të kundërta.

orjona

Liria në fakt është një term ekzistencial por me bazë krejt relative. E megjithatë konceptet rreth saj na i mësojnë që në vogëli. Në fakt liria është sa përjetuese, – në mënyrë krejt personale, – po aq dhe një e drejtë themelore, po t’i referohesh ligjshmërisë dhe konventave. Gjithsesi sërish kjo është pjesa teorike, sepse në praktikë gjithçka ndryshon. Mësimin e vërtetë rreth kësaj të drejte, – pra të lirisë, – e lexojmë gjatë jetës që bëjmë: ajo që zgjedhim ne, dhe në jo pak raste ajo që na e diktojnë të tjerët. Dhe përsëri kemi të bëjmë me dy gjëra krejt të ndryshme.

Por le të ndalemi tek koncepti i lirisë si trajtesë praktike në Shqipërinë tonë. Sepse, me sa duket, krejt ndryshe nga çdo vend tjetër, edhe në këtë pikë ne kemi një “stil” të veçantë.

Ndasitë gjinore janë një pengesë drejt të qenit i lirë. Tek ne kjo është e thelluar, ndërkohë që në vendet e zhvilluara Perëndimore, një model i tillë është tejkaluar prej kohësh.

Pavarësisht periudhave të jetuara, në mbretërinë e dikurshme, gjatë periudhës diktatoriale komuniste apo në demokracinë liberale, në Shqipëri djemtë janë më të pavarur se vajzat. U jepet kjo mundësi si e drejtë që pa lindur. Pastaj vazhdon me edukimin, trajtimin, favorizimin, motivimin, mbështetjen, përkrahjen etj. Ju mund të kundërshtoni këtë ide me plot të drejtë. Por dhe duhet që ta mbroni atë që do të vendosni përballë saj. E vërteta është se realiteti shqiptar na evidenton një pasqyrë të qartë se përse liria me bazë gjinore anon nga faktori “Y”.

Të gjitha këto i bëjnë ata të përjetojnë një liri ndoshta edhe më “të shfrenuar”. Të ndihen të përkëdhelur. Të mendojnë se mund të bëjnë gjëra të gabuara e të ndaluara, se mund të kenë të drejtën e vetëvendosjes për gjithçka, në shoqëri, punë apo familje. Dhe më e keqja është se u mbushet mendja se të gjitha këto i kanë të fituara që me lindjen e tyre si meshkuj.

Ndaj dhe punët na shkojnë mbrapsht. Sepse në koncept jemi ende një shekull prapa. Dhe të mendosh në vitin 1923 po aq sa dhe në 2023, është fatkeqësi. Dhe këtë fatkeqësi ne e përjetojmë çdo ditë në këtë fillim mijëvjeçari.

Meshkujt janë ata që vrasin gratë, me armë të ftohta dhe me armë zjarri. Meshkujt janë ata që rrahin gratë. Meshkujt janë ata që të vrasin dhe me fjalë, duke të fyer përditë dhe duke të penguar të drejtën tënde themelore: lirinë. Por meshkujt janë gjithashtu ata që të vrasin dhe si “pa dashje”. Sepse duke pasur ‘të drejtën” të bëjnë ç’të duan, u japin makinave nëpër rrugë me shpejtësi skëterre, pa kuptuar se nga aksidenti i mundshëm pasojat bien mbi femrën që kanë në krah apo në sediljen e pasme. Se duan të duken fort trima, sidomos kur u mungon energjia mendore.

Po jetojmë kohë kur liria jonë është e kërcënuar çdo ditë. Ne rendim të zbërthejmë kuptimin e saj teorik, por në praktikë gjithçka ndryshon. Dhe kjo është fatkeqësia jonë.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top