Fundjavat kulturore marrin vlerë kur brenda tyre bartin një qëllim fisnik. Por, të dish se si t’i organizosh dhe menaxhosh ato, duke bërë bashkë figura dhe personalitete, sidomos nga fusha e artit, nuk është fort e lehtë. Një shembull të tillë e gjeta në Ferizaj, mes bashkatdhetarëve tanë, të cilët më treguan se sa bukur është të organizosh iniciativa të tilla, se sa bukur është të mbështetësh iniciativa të tilla, se sa bukur është të mblidhesh dhe të takohesh në emër të gjuhës dhe fjalës, të diskutosh, trajtosh dhe të ngresh problematika, se sa bukur është të kthesh në vëmendje autorë dhe vepra monumentale të shqiptarisë. Këtë e bënë “Muzat e Jezercës”, një grup intelektualësh nga Ferizaj të mbledhur rreth Klubit Letrar “De Rada”, të cilët shënuan tek unë emocione që do të mbesin gjatë.
Nisja nga Tirana
U gjenda me një ftesë mendueshëm, për të qenë pjesë e një aktiviteti kulturor në Ferizaj. Fundjava më ngacmoi, marrë parasysh shpengimin nga rutina e ngjeshur profesionale, e cila na mban gjithmonë peng kah angazhimeve të tilla që në fakt, duhet të shndërrohen në obligim. Kështu, të premten e 26 Prillit, pas një udhëtimi komod dhe një ndalese të shkurtër në Prishtinë, (takimet me miqtë e ngushtë vendas nuk duhen lënë pas dore) u gjendëm në Ferizaj. Aktiviteti ku do të merrnim pjesë mbështetej nga Ministria e Kulturës, por dhe nga vendorët, që në bashkëpunim me Klubin Letrar kishin menduar t’u krijonte të gjithë komoditetin të ftuarve në tri ditë-netët e aktiviteteve kulturore-letrare.
Dita e parë
Ferizaj, konsiderohet si një qytet ku kultura është prioritet, dhe për këtë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve organizon çdo vit aktivitete nga më të larmishmet. Kështu, dhe kolonia letrare “Muzat e Jezercit” u mblodh në edicionin e 7-të për të faktuar të qenët pjesë e një prej këtyre aktiviteteve. Vendtakimi na bëri të gjithë bashkë. Ishim gati 30 të ftuar por që gjatë rrugëtimit u bashkuan dhe shumë të tjerë. Disa të njohur mes tyre, të tjerë vendosën kontakte për herë të parë. Mbrëmja e parë nisi me çeljen e një ekspozite karikature, në ambientet e shkollës së parë shqipe në Ferizaj, sot Shkolla e Artit.
Me autorë Selajdin Hajdini dhe Imri Musliu, anëtarë të shoqatës së vjetër “Hithi”, u sollën në vëmendje portrete personalitetesh nga bota e politikës dhe artit, dhe tematika të kohës mes vizatimeve satirike në rreth 30 punime. Për t’iu bashkëngjitur aktivitetit “Muzat e Jezercës”, ishin aty figura të ndjeshme si Migjeni, Rexhep Qosja, Bujar Kapexhiu, Xhon Lenon etj., por edhe vizatimet me temë “Bashkimi Europian”, “Buka”, “E dukshmja dhe e padukshmja”, “Drejtësia” etj,.
Mbrëmja vijoi me natën e poetike, ku pjesëmarrës ishin autorë që prezantoheshin për herë të parë, si dhe të njohur, që vinin nga trojet shqiptare. Spikatën me vargun e tyre Prof. Preng Maca, Shkëlzen Halimi, Naime Beqiraj, Rozafa Shpuza, Kliton Nesturi, Xhevat Latifi, Donika Dabishevci, Aziz Mustafa dhe Besim Zymberi. Poetët, na bënë t’i shijonim muzat e tyre krijuese falë edhe aftësive të tyre interpretative si dhe prej shoqërimit në kitarë nga kantautori Dren Loxha.
Nuk mund të lë pa përmendur dhe pjesëmarrjen e Zëvendësambasadorit të Kroacisë në Prishtinë, Nedjeljko Špilek, me vëllimin poetik dygjuhësh “Qyteti i shpirtrave” i cili u përurua me këtë rast. Me një vlerësim kritik për librin u paraqit Arsim Hamiti, nënkryetar i KL “De Rada”. Autori lexoi pjesë nga libri në gjuhën kroate, ndërsa në gjuhën shqipe erdhën të interpretuara nga Drita Miftari.
Dita e dytë
Zgjimi në Ferizaj ishte një poezi më vete. Si një ditë pushimi, e shtunë, cicërimat e zogjve në sfond krijonin vargun e tyre melodik. Takimi i mëngjesit ishte i afërt, bash në pikëtakimin e caktuar në këto tri ditë bashkë. Aktivitetet e kësaj dite bartnin një specifikë të veçantë, u takonin dy personaliteteve të shquara të letërsisë shqiptare.
Ngjitja për në Jezercë ishte si një përhumbje magjike, mes pyllit të gjallë dhe pllajave të kadifenjta të gjelbra, dikur territore lufte dhe transhe mortajash. Sot jeta aty lulëzon, si çdo filiz i rimbirë për të rrëfyer vazhdimësinë, në kërcejtë dhe trungjet e pemëve që kanë zhbërë çdo gjurmë. Në ditën e dytë të kolonisë letrare u ngjitëm pranë një territori ku Ferizaj dukej në pëllëmbë të dorës. Oksigjeni ishte 100% organik, i patrysnuar nga gazrat kimikë. Të pranishmit ishin mbledhur, me interes të shprehur gjithë sy e veshë për të qenë pjesë e tryezës për nder të 210 vjetorit të lindjes së Jeronim de Radës dhe 100 vjetorit të lindjes së profesor Jup Kastratit.
Kryetarja e Klubit Letrar “De Rada” Zyrafete Shala mikpriti të ftuarit e veçantë, të cilët mbajtën kumtesat e përfaqësuara me mjeshtërinë e fjalës. I pari në kumtesë ishte Prof. dr. Agim Vinca, i cili bëri një ndërthurje të shkëlqyer mbi figurën e rilindësit Jeronim De Rada dhe studiuesit që i kushtoi jetën që në moshën 16-vjeçare, akademikut titan, Jup Kastrati. Mandej, referuan me fjalën e tyre dy bijat e dijetarit të shquar, Dr. Fatmira Kastrati dhe Prof. dr. Diana Kastrati, të cilat rrëfyen mbi karrierën e gjatë dhe përkushtimin e palodhur të atit të tyre në nxjerrjen në dritë të themeluesit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare në mërgim, De Radës.
Në këto kumtesa mbajtën fjalën e tyre prof. asoc. dr. Abdurrahim Maxhuni, Prof. ass. dr. Faton Krasniqi, shkrimtari Kemajl Aliu, shkrimtari Abdyl Hajredini, shkrimtari Preng Maca si dhe shkrimtari Bekim Kelmendi, të cilët ngritën si shqetësim mungesën e figurës së plotë të Jeronim De Radës nëpër tekstet aktuale shkollore, deri dje të përfaqësuari më së miri, si dhe botimet e reja studimore të sjella në vëmendje përmes këtij takimi.
Dita e dytë “Muzat e Jezercës” vijoi me vizitën në memorialin e UÇK-së, në tokën ku heronjtë luftuan për ardhmërinë e trojeve. Një emblemë simbolike dhe gjurmë të lëna në vendngjarje, si dëshmi e kohës jo fort të largët.
Takimet vijuan pas një pushimi ndalesë në investimet turistike buzë rrjedhës së Nerodimes, mikpritje e ëmbël nga bashkëkombas të një gjaku. Mbrëmje e dytë poetike u mbajt sërish në Shkollën e Artit në Ferizaj. Aty lexuan poezitë e tyre: Avni Halimi, Xheladin Rexhepi, Sabit Rrustemi, Nexhat Rexha, Valbona Mulaj, Arsim Halili, Muharrem Kurti, Nafije Zogaj, Mirela Papuçiu, Faruk Tasholli dhe Ismet Delija.
Dita e tretë
Klubi Letrar “De Rada” e kishte mirëmenduar ditën përmbyllëse të Kolonisë Letrare “Muzat e Jezercit”. Vizita në Parkun e Lirisë ishte tejet domethënëse, ndonëse për një çast u përhumba në rrëfimet për të.
Arsim Hamiti na rrëfeu se lufta me serbët për çlirimin e Kosovës kishte përvijuar në këtë zonë, për rrezikun që mbarte deri para shtatë vitesh, se si pushtuesit kishin minuar çdo hap për ta bërë dëmin shumë të madh. Parku i Lirisë bart një histori të re jete, shprese. Sot është shndërruar në një oaz të gjelbër. Parku i Lirisë është një destinacion i preferuar për vendasit, një pyll orbital ku dominojnë lisat shtatlartë, dushqet dhe trëndafilat.
Një bisedë mes miqsh letrarë dhe jo vetëm, e përmbushi misionin e saj. Të tjerë, të rinj në Muzën e radhës, do të mund të rrëfejnë ndjesi të pashlyeshme, ashtu sikundër unë e përjetova me pjesëmarrjen time.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.