FB

October 7, 2024 | 1:20

Orjona Tresa: Për gratë e jashtëzakonshme

 

 

 

E dashur GRUA, ti je forca e jetës!

Ti zgjohesh në mëngjes dhe gjen mendimin të ndërlidhur me veprimet që nuk justifikojnë vetëm detyrimet e tua si grua, por dhe atë të të praktikuarit me dashuri të gjithçkaje prek me duart e tua. Ngrihesh nga shtrati dhe me dashurinë e pareshtur nis të përgatitësh atë që do të jetë ushqimi i shijshëm për familjarët e tu. T’i nuk kursehesh e ndonjëherë largohesh pa mëngjesin apo vaktin tënd të ditës me vete sepse nuk të doli koha, por ti ndihesh e lumtur sepse je ajo që le shtruar në tryezë do të gëzojë familjen tënde.

Dhe kjo është e përditshme.

orjona

Ti sakrifikohesh duke u përpjekur që shtëpinë ta lësh të shtruar, të pastër, me aromën karakteristike të teshave të sapolara. Sepse mundohesh deri në ekstrem të mirëorganizosh veten pa përfunduar mirë dita, vë një lavatriçe në punë për të pasur kohë të nesërmen të mos i kesh nëpërkëmbë rrëmujshëm, mandej hekuros dhe sistemon ato që të nevojiten për ditën e re.

Dhe kjo shpesh herë e tejkalon ritmin e punës tënde administrative ku paguhesh për çka bën.

Edhe në punët e shtëpisë duhet të paguhesh… por këtë herë me mirësi.

E dashur grua, që mendja dhe duart nuk rrinë asnjëherë pa punë sepse të duhet të mendosh me të njëjtin ritëm çdo ditë, ndërsa shqisat e tua paralelisht janë në një miksim nevojash që u duhet dhënë zgjidhje. Sepse ndërsa je duke përgatitur diçka, gjen formulën për të zgjidhur diçka krejt tjetër. Aty merr forcën dhe medaljen e mirësisë.

E dashur grua, Ti je frymëzimi i ditës për familjarët e tu, je energjia të cilën ata kanë nevojë të konfirmojnë për ta nisur të mbarë dhe të frytshme atë. Dhe ku ka më bukur kur si shpërblim merr miratimin e tyre. Kjo të bën të ndihesh vërtetë grua.

Por ka nga ato që jeta u ka dhënë një mësim tjetër, atë që në kohërat moderne na bën përshtypje. Shumë ende nuk e kanë fatin të ndihen të përkëdhelura, sepse mentaliteti vijon t’u vendosë atyre kufij. Shfrytëzohen, keqtrajtohen, lëndohen. Ua marrin esencën e jetës, duke i bërë të ndihen fatkeqe, deri viktima. Dhe ato bëhen viktima të dhunës psikologjike dhe fizike për arsye nga më të ndryshmet, deri pa asfare të tilla. Sepse brishtësia, mirësia dhe përulja i ka thyer ato. Dhe ndoshta sepse kodet e vjetra, – të mbajtur fshehtas aty-këtu, – ku burri është zot i gjithçkaje, e lejojnë një gjë të tillë. Dhe këto janë kodet e mesjetës obskurantiste.

Por ka dhe nga ato gra që ndihen të lëna pas dore, pa një vlerësim apo fjalë të mirë, nga ato që shfrytëzohen pa masë dhe e gjejnë veten jashtë çdo kujdesi. Janë ato gra që u mohohet jeta në emër të të qenit grua, e thjeshtë, që nuk gjejnë kohën për veten edhe kur shëndeti i tyre është kritik, sepse ato nuk duan ta vazhdojnë më këtë udhëtim, duke u hedhur të vetëdijshme në duart e vdekjes.

E dashur grua, Ti nuk dorëzohesh asnjëherë, sepse ke lindur për të mos qenë kurrë e tillë. Je e brishtë, por njëherësh dhe shumë e fortë. Je e vetëdijshme për çdo hap që ndërmerr, je e sigurt pa e kthyer kokën pas për vendimin e marrë. Nëse ke vendosur ta bësh diçka e realizon atë, dhe kjo tregon vendosmërinë tënde.

Fuqia jote femërore e ka aftësinë të çajë rrugën e turmës përçmuese që dikton shoqëria. Ajo është autentike. Në diversitetin e jetës, plot ngjyra dhe nuanca delikate, udhëtimi yt zgjat një jetë, ndaj mos e harro kurrë veten, dhe as mos i lër dëshirat e tua pas dore! Bëhu luftëtare kampione, bëhu model dhe histori merite për energjinë që i ke dhënë jo vetëm jetës tënde!

 

Botuar në Revista Psikologjia Tetor 2023

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top