Vetëm pak kohë më parë isha pjesëmarrëse në një trajnim për barazinë gjinore në vend. Kjo çështje nuk zien vetëm aty ku opinioni publik informohet çdo ditë mbi viktimat e shumta që shënohen nga dhuna në familje, por edhe më gjerë se kaq.
Dominimi i figurës mashkullore dhe lartësimi i tij merr udhë në disa drejtime, që nga ushtrimi i profesioneve, hartimi dhe gjuha e përdorur me dallim gjinor në tekstet shkollore, për të vazhduar me komunikimin dhe përçimin e lajmeve në media sipas ndasisë gjinore.
Por ka edhe më tej.
Gjithçka tregon se fenomeni është ende një mendësi e konservuar, e vështirë për t’u çrrënjosur. Dhe kur e thonë njerëz publikë e me peshë në shoqëri, s’ka se si të mos jetë e besueshme.
Ajo që financuesit e këtij projekti afatgjatë kishin marrë përsipër të bënin, ishte që përmes hallkave të duhura, të atyre që në Shqipëri njihen si përçues të ligjit apo marrjes së informacionit e kulturës së përparuar, të ofrojnë modele dhe alternativa pozitive në të mirë të kontrollit dhe përmirësimit të gjykimit, si dhe sjelljes në çdo aspekt shoqëror, pa lartësuar mashkullin më shumë apo në të kundërt, femrën.
Është për të ardhur keq që në vendin tonë mashkulli shihet me përparësi nga nëna e tij që prej lindjes. Është ajo që me një mentalitet të vjetruar vazhdon ta edukojë e ta trajtojë si më të mirin, të zgjuarin e të denjin për familjen, më shumë sesa vajza. Shembujt e pabarazisë në shoqërinë shqiptare vijojnë nëpër tregime të teksteve shkollore, për të vazhduar absurdin dhe me shembujt e problemave matematikore, ku edhe shifrat vërtiten rreth një mashkulli.
Në realitetin e të rriturve kjo konkretizohet me marrjen e posteve të larta nga meshkujt, por dhe sjelljen në përditshmëri të tyre ndaj femrave. Që këtu nis vazhdimësia e një kulture vendëse, hapat e së cilës shënojnë mandej gjurmë duke evidentuar dhe rastet ekstreme të pabarazisë, dhunën, ku mashkulli merr të drejtën absolute deri aty sa t’i marrë jetën gruas, vajzës apo nënës së tij. Kjo, sepse ashtu e ka parë qenien femërore, gjithnjë poshtë vetes, që nga fillimrritja e tij.
Prej projektit dashamirës të Kombeve të Bashkuara, UNESCO-s, Ambasadës Suedeze dhe asaj Holandeze në Tiranë, pjesëmarrësit në takim, pedagogë të gazetarisë, juridikut, kërkues shkencorë të gjuhës shqipe dhe përfaqësues të dikastereve të larta, dolën sërish në të njëjtin përfundim, duke unifikuar sërish qëndrimin e tyre rreth kësaj çështjeje.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.