Në fokus

October 5, 2017 | 11:42

Pafundësia e fundit…

pafundesi

Nuk ka asnjë fije logjike mbi shpirtin, dashurinë e zemrën. Janë të gjitha ndjenja, të pa prekshme e të pakapshme nga një aparat. Ama, janë gjithçka i japin kuptim jetës e ekzistencës.

Jemi pjesë të një cikli, që nuk na e ka fshehur kurrë askush. Na kanë mësuar e shpjeguar shpesh, se si përjetësia nuk ekziston, se si njerëzit vijnë e ikin nga jeta, se si jeta vazhdon gjithmonë dhe gjithë kohën.

Nga Anisa Zaçe  Psikologe Klinike & Këshillimi

Nga Anisa Zaçe
Psikologe Klinike & Këshillimi

Na e kanë treguar, ama nuk qenke ndonjëherë gati ta jetosh e provosh.

Ekziston çdo ditë, të paktën një njeri në botë që humb dikë të shtrenjtë. E që do të thotë, të paktën një njeri në botë, çdo ditë, është i pa ngushëllueshëm. E që do të thotë, të paktën një person tjetër në botë ka mundësinë të japë një përqafim që nëse nuk do arrijë të bëjë shumë, të paktën do ngrejë shpirtin në këmbë.

Thonë që çdo gjë ndodh për një arsye. Patjetër që kështu duhet të jetë. Ose, të paktën kështu do vazhdojmë ta besojmë, sepse e kemi të nevojshme.
Nuk ka receta për humbjet. Nuk gjen një ilaç për dhimbjet e shpirtit. Ashtu si ty askush nuk të uli të të fliste për dhimbjen dhe nivelet e saj, ashtu as ti nuk do të mund ti flasësh dikujt. Nuk mund t’i tregosh askujt si është fizikisht ndjenja e mallit për përqafimin e munguar, djegia e kraharorit nga mungesa e një pjese shpirt që ndoshta as nuk dije që e kishe.

Por, këto lloj fundesh të prezantojnë me pafundësinë. Të tregojnë se si nuk ekziston një limit kohe e hapësire. Se ndonjëherë ato që na lidhin e na bashkojnë shkojnë përtej dimensioneve të njohura nga syri e dora njerëzore. Shpirtrat lidhen në yje e ndrisin në netë të ftohta, lidhen në rreze dielli e çajnë retë e qiejve të vrenjtur. Shpirtrat lidhen në ëndrra e takohen atje, thonë porositë e lëna pezull, japin përqafimet e lëna gjysëm.

Ka një pafundësi të tërë fshehur pas fundit të njohur nga limiti i njerëzores. Një pafundësi plot ndjesi ngjyra-plotë, porsi një ylber që bluros qiellin gri të shiut.
Ka një hapësirë mes jetës e vdekjes, ka një hapësirë mes zgjimit dhe gjumit, ka një hapësirë mes ëndrrës e makthit, aty do shihemi sërish. Do shihemi me këdo nuk e shtrëngojmë dot më mes krahëve, por do mund t’i tregojmë jetën mes ëndrrave. Ndërkohë, si premtim të thënë pa fjalë, do jetoj në maksimum, ça nuk jetove dot ti, do shoh botën edhe për ty, do ngjis maja edhe për ty, do bëhem ça ëndërrove dhe urove gjithmonë, të më shohësh ti.

Ka një arsye që universi është krijuar në këtë formë, për të na lënë të lidhur përtej realiteteve që njohim. Ka një arsye që shpirtrat njihen mes jetëve, pse dikush ngjan i afërt dhe pse i panjohur, se shpirtrat që dikur kanë shtrënguar duart, ri-gjehen gjithmonë. Do rigjehemi në të tjera dimensione, e do grindemi edhe ngacmohemi, e pastaj do ulemi të pimë kafe bashkë, ku duke më shkelur syrin do më tregosh histori, dhe në fund do përqafohemi për të thënë me krahë çfarë nuk ditëm të themi me fjalë.

Nuk më pëlqeu ky fund, por do mësoj të dua këtë pafundësi.
Do të të kërkoj në qiell, vazhdo ma shkel syrin herë pas here. Hajde ndonjëherë si ato fluturat që nuk qëndrojnë asnjë sekond në një vend, ashtu siç nuk qëndroje ti. Po ta shtrëngoj shpirtin në kraharor, fluturo qetësisht, jemi mirë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top