FB

July 23, 2025 | 15:45

Pandemia e Covid-19 ka plakur trurin tonë, edhe pa infeksion. Ja çfarë thotë studimi i fundit!

 

Një ekip kërkimor britanik ka zbuluar se përhapja e koronavirusit SARS-CoV-2, virusi përgjegjës për pandeminë COVID-19, ka përshpejtuar plakjen e trurit edhe tek njerëzit që nuk janë infektuar kurrë.

kovidStudimi, i botuar në revistën prestigjioze Nature Communications, tregon se pandemia ka pasur pasoja të mëdha në shëndetin neurologjik jo vetëm tek të infektuarit, siç është dëshmuar më parë, por edhe tek individët që nuk kanë rezultuar pozitivë për virusin. Sipas kërkuesve, ky efekt negativ lidhet me stresin dhe vështirësitë psikologjike të shkaktuara nga masat kufizuese të pandemisë. Humbja e punës, izolimi, prishja e lidhjeve shoqërore, ndalimi i udhëtimeve dhe privime të tjera të lirisë ndikuan rëndë në shëndetin mendor global, deri në atë masë sa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar për një valë të vërtetë “erozioni të shëndetit mendor”.

Studiuesit nga Qendra e Kërkimeve Biomjekësore në Queen’s Medical Centre dhe Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin e Nottinghamit, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Zemrës dhe Mushkërive në Imperial College London, zbuluan se përhapja e virusit lidhej me një plakje të përshpejtuar të trurit, edhe tek personat që nuk kishin pasur infeksion.

Ekipi, i udhëhequr nga Dr. Ali-Reza Mohammadi-Nejad nga Qendra e Imazheve Sir Peter Mansfield dhe Instituti Kombëtar për Kërkime Shëndetësore (NIHR), përdori një model parashikues të bazuar në inteligjencë artificiale, i trajnuar me skanime MRI të kryera para marsit 2020. Në studim morën pjesë mbi 15,000 persona të shëndetshëm, me një moshë mesatare rreth 62 vjeç dhe shumica gra. Të dhënat u morën nga UK Biobank – një nga bazat më të pasura të të dhënave shëndetësore në botë.

Për analizë u përdorën dy grupe: një grup kontrolli që iu nënshtrua dy skanimeve të trurit para pandemisë, dhe një grup tjetër që kishte një skanim para dhe një pas shpërthimit të pandemisë. Përdorimi i inteligjencës artificiale lehtësoi zbulimin e shenjave të plakjes së trurit, siç janë: trashësia e reduktuar e korteksit, vëllimi më i vogël i lëndës gri, çrregullimet në lëndën e bardhë, etj. Këta faktorë mund të tregojnë se mosha biologjike e trurit nuk përputhet gjithmonë me moshën kronologjike.

stres-pandemia2

Analizat zbuluan se grupi i pandemisë përjetoi një përshpejtim mesatar prej 5.5 muajsh në plakjen e trurit, krahasuar me grupin e kontrollit. “Rezultatet tona tregojnë se, pavarësisht nga dallimet fillestare në moshën e trurit dhe faktorët e tjerë shëndetësorë, pandemia ka përshpejtuar ndjeshëm procesin e plakjes së trurit,” shpjeguan autorët e studimit. Efekti u vërejt më tepër tek burrat dhe tek ata me kushte të pasigurta sociale.

Edhe pse pjesëmarrësit nuk kishin rezultuar pozitivë për COVID-19, autorët nuk e përjashtojnë mundësinë që disa prej tyre mund të kenë qenë të infektuar asimptomatikë, çka do të thotë se interpretimi i rezultateve duhet të bëhet me kujdes.

Megjithatë, studimi përforcon idenë se përhapja e SARS-CoV-2 ndikoi në trurin e njerëzve, pavarësisht infektimit. Është me rëndësi të theksohet se vetëm individët që kishin rezultuar pozitivë shfaqën rënie të ndjeshme në funksionin njohës në teste të veçanta – përfshirë probleme në zgjidhjen e detyrave, ngadalësim në arsyetim dhe dobësim të kujtesës. Një studim tjetër më herët kishte treguar se pacientët me COVID-19 të rëndë mund të përjetojnë një plakje të trurit të barasvlershme me 20 vjet brenda vetëm një viti.

Detajet e këtij studimi u publikuan me titullin “Accelerated brain ageing during the COVID-19 pandemic” në Nature Communications.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top