Psikofakt

March 17, 2017 | 11:46

Pango: Shqiptarët nga trima dhe besnikë tek “qejfllëku” dhe gjaku mbi krevatin bashkëshortor

Edison Ypi

Edison Ypi

Ish-ministri Ylli Pango është shprehur se shqiptarët njihen si një popull trim dhe i besës. Sipas tij populli ynë karakterizohet nga tipare sa pozitivash aq edhe negative. Si ballkanas qe jemi ai nuk ka përjashtuar mundësinë se ne kemi në natyrë gjaknxehtesinë dhe qejfllëkun. Por nuk ka lënë pa përmendur dhe një fakt historik ku gjaku mbi krevatin bashkëshortor ishte diçka që u frenua nga sistemi diktatorial. Të gjitha këto komente lidhur me shqiptarë ai i ka bërë në një intervistë me Edison Ypin për Ypi.al.

Së pari një Falenderim për mundësinë që mu dha sepse kjo intervistë është në një farë mënyre një paraprezantim, apo pjesë sado e vogël e librit “Psikologji Shqiptare” (Sociale) që kam kohë që dua të nxjerr në dritë e që së fundmi shpresoj ta botoj këtë vit). Së dyti për të përjashtuar çdo keqkuptim. Unë e dua këtë vend dhe them se kam dhënë një kontribut sado modest këtu por mendoj se“Duke e njohur, dhe luftuar sëmundjen, dhe jo duke e mohuar apo duke u zemëruar me të (faza e parë dhe e dytë e psikologjisë të sëmurit rëndë, mohim i sëmundjes, zemërim me të, ujdi, depresion, pranim e nënshtrim asaj) mund të tentosh por edhe të shpresosh ta shërosh atë. Ndryshe agravohet e vimë aty ku kemi ardhur e nga ku nuk po dimë ku po shkojmë”.

Përveçse mesdhetarë dhe ballkanikë, a kanë shqiptarët cilësi psikofizike specifike të ndryshme nga fqinjët? Kanë si çdo popull. Është e njohur në psikologjinë sociale dhe në atë të popujve (Wundt, Gustave Lebon) se veç tipareve të përbashkëta, ka tipare të qenësishme që e dallojnë një popull nga tjetri.Ka tipare le t’i quajmë pozitive, ka negative. Tek ne siç është thënë e shkruar së paku, por edhe me sa mund të vërejmë, ka patur dhe ka veçori psikologjike specifike, tipike shqiptare, ndonëse në këtë plan edhe të diskutueshme. Kështu ndër tiparet më të spikatura të së shkuarës, përmenden trimëria, besa, temperamenti i rrëmbyer i tipit mesdhetar por edhe më i spikatur e i paarsyeshëm tek ne, etj. Në të shkuarën në bazë të të dhënave historike, fakteve, luftrave për ekzistencë kombëtare, institucioneve të kanunit, etj., mendoj se këto tipare kanë qëndruar.

Sa i takon historisë sonë pas pushtimit turk e sidomos nga 1944 e tëhu, mendoj se duhet gjykuar pa patriotizma folklorikë a romantikë a nacionalizma ekstreme, pa mburrje e lavde. Sa e si janë ruajtur e sa janë bjerrur tiparet e së shkuarës a së paku ato që besojmë se janë tipare të së shkuarës, për shkak të largimeve masive të shqiptarëve autoktonë, përzjerjeve me prurje të tjera popujsh, pushtimeve, sistemeve shoqërore e politike, globalizimit, ndikimit të mediave etj. Lind pyetja pra a është populli po ai apo ka ndryshuar, është përzjerë, ka firuar, humbur goxha ashtu si çdo popull tjetër. Vetëm po t’ i referohemi botimit prestigjioz “Historia e Francës” me bashkëautorë historianët të mëdhenj francezë, kompiluar nga George Duby, vë re se atje gjithëpranohet se francezët e sotshëm rrjedhin nga përzjerje të galëve, keltëve, kolonëve romakë të ardhur pas pushtimit të Jul Cezarit, e më vonë frankëve, gotëve, alemanëve, burgondëve, etj, etj, etj. Madje pranohet romanizimi e më vonë gjermanizimi i galëve paraardhësve më autentikë të francezëve të sotshëm. Për rrjedhojë back te pyetja juaj, është absurd të pretendohet uniciteti i prejardhjes sonë, e për rrjedhojë dhe i tipareve kaq të qëndrueshme psikofizike, karakteristike etj etj. Së paku me turqit, duam s’duam ne, ka një përzjerje të padyshimtë. Kësisoj veç atyre tipareve që dihen prej mesdhetari, ballkanasi etj. si gjaknxëhtësia, temperamenti, bavarderia, bravura, “qejflilliku” etj., kanë zenë vend e po mishërohen gjithnjë e më thellë sidomos te brezi më i ri tipare si: fodullëku bosh, vaniteti, interesi e humbja e karakterit, e besës, mashtrimi, sigurisht dhe frika, sidomos nga pushteti, nga të fortët, nga shefat, nga shumë e shumë të tjerë. Këto tipare ndofta i kanë edhe ballkanas a edhe europianë të tjerë por ne i kemi më të theksuara. Ne na erdhën radhë të këqiat që na goditën jo veç në jetën ekonomike e lirinë tonë, por si rrjedhojë edhe në karakter. Ndikuan me radhë pushtimi 500 vjeçar turk, diktatura, një tranzicion i çalë e me njëqind halle e probleme.

A është e mundur të mos ndryshosh nën gjithë këtë trysni?

Për rrjedhojë e për shkak edhe të mungesës së demokracisë, edukimit demokratik e inercisë së shtypjes e presionit mbi ne, ne kemi edhe më pak ndjenjë qytetarie e përgjegjësi qytetare si ballkanas e aq më pak nga mesdhetarë të tjerë, e kjo është edhe shkak edhe pasojë e humbjes, bjerrjes së vlerave karakteriale, e kultivimit në vend të tyre të frikës, indiferencës qytetare (joqytetare), bindjes civile, kujtesës së dobët qytetare, etj. Kemi humbur e mohuar mjaft vlera sidomos në 45 vjet diktaturë e më pas në këto 27 vjet e nuk i dihet si do i vejë edhe më vonë. Kemi dalë e jemi përhapur edhe nëpër botë si vaji në lakër e nuk po dimë të mblidhemi as këtu e as atje rreth vlerave të përbashkëta të dikurshme, apo atyre që i pretendojmë si të dikurshme, e në vend të tyre po përvetësojmë edhe pa kriter, edhe vlera të mira por edhe jo të tilla ngado që shkojmë. Kemi përqafuar loj lloj fesh por jo në mënyrë bazale, e as të qenësishme, besime formale, për interesa të çastit, imitime sjelljesh të të huajve që për ta janë të qëndrueshme e të formësuara prej kohësh. Kemi a na ka mbetur shumë pak frymë kolektiviste në sensin e mirë bashkëpunues e frutdhënës të këtij koncepti, e jo të kolektivizmës së imponuar integrale, pothuaj fare grupi, e asfare clubi, (si ajo e anglezëve). Nuk bashkëpunojmë, nuk kemi besim në partnershipe e as tek vëllai madje. Jemi bërë superindivudualistë, egoistë in extremis, jetojmë gjoja në kapitalizëm extrem por ky nuk është as kapitalizëm madje. Është veç diçka ekstreme e nuk di se cilit lloj, kjo po.

Më kujtohet një episod kur isha në Boston për studime pasuniversitare. Më kishte kapur një dhimbje dhëmballe që po më çmendte dhe po qaja hallin se veç dhimbjes e torturës së dentistit, do të më duhej të paguaja qimet e kokës. Ksenia, një lloj kujdestareje e pasuniversitarëve, një ukrainase e amerikanizuar që jetonte atje prej 20 vjetësh, më qetësoi duke më thënë se do të më shpinte te një miku i saj. Shkuam dhe pasi mbarova punë mirë e bukur pagova diçka simbolike, shumë më pak se ajo që mendoja. Kjo më habiti. E dija që ky ishte një përjashtim (sot e mot shqiptarët e emigracionit vinë në Shqipëri për të kuruar dhëmbët se është ku e ku më lirë). Por ky rast më habiti edhe për një arësye tjetër; edhe këtu paska mik, edhe këtu paska njerzillëk, edhe këtu paska ndërhyrje për mirë. Ky ishte një mësim për mua e për atë mentalitet që edhe sot shqiptarët në një pjesë të madhe të tyre i bën të mendojnë për një “kapitalizëm (migjenian) qen të pamëshirshëm, me bark shekullor gjithnjë të pangijshëm”. Se njeriu është vetëm ujk për njerinë e se edhe të vrasësh a së paku xhvasësh vëllanë për para është e justifikuar nga sistemi. Kjo si rrjedhojë e ndërkalljes së disa tipareve gjoja të justifikuara e të një mentaliteti ekstremal sipas të cilit, “thuaj ç’të duash, i fortë ky o vëlla, ja hudhi të gjithëve” (Është fjala për dobiçin e suksesshëm që i bën të gjitha, ju a fut të gjithëve e nuk i hyn gjemb në këmbë). Këto lidhen pak edhe me pyetjen tjetër tuaj më poshtë, mbi diasporën shqiptare aspak bashkëpunuese mes vedi kudo në botë. Do e shohim edhe më poshtë.

Sa i takon cilësive fizike, kam mendimin se shqiptarët e Shqipërisë së Veriut, ata të jugut dhe ata të Shqipërisë së Mesme (përjashto Tiranën – qytet që është konglomerat të ardhurish nga të gjitha krahinat a trevat e Shqipërisë) kanë disa dallime mes tyre. Nuk po hyj në detaje a tipare fizike që do i takonte t’i jepte më saktë një antropologu, por së paku për shqiptarët e Shqipërisë së mesme dhe ata të zonave fushore që e përjetuan më së lehti asimilimin por edhe të atyre që u nënshtruan me dëshirë edhe për shkak të venomeve (përfitimeve) (zona të fushta të Gjirokastrës, Tepelenës, Vlorës etj) mund të thuhet se janë më pranë tipareve të zaptuesve të vjetër, dhe kjo spjegohet thjesht nga 500 vjet pushtim që më së shumti zotëroi fushat, d m th solli logjikisht edhe përzjerje. Se këtu veç ushtarëve e jeniçerëve zbarkuan dhe qindramijra kolonë turq që veç me forcë, por edhe ashtu butë butë, ngjizën tek ne veç fesë, zakoneve të tyre, mentalitetit anadollak që e pasqyrojmë më së mbrapshti në numrin e panumërt të kafeve (të dytët në botë për frymë popullsie) edhe tek mjaft fëmijë, paraardhës tanë, shartuar me shqiptarët vendas. Të mos harrojmë se mu tamam në atë kohë kur ata hynë furishëm në qytete si Kruja a Shkodra, popullsitë gjakpastra të këtyre qyteteve, o u zhdukën e u kaluan në teh të thikës masivisht, o u dëbuan me marrëveshje tej kufive (Itali) ku themeluan familje zulmëmëdha që kanë emër të shquar si familja Durazzo në Gjenova etj. Lind pyetja, kush e zuri vendin e tyre në Krujë e në Shkodër. Përgjigjen duhet ta japin historianët seriozë e jo pseudopatriotët politikë që nuk janë ulur një herë këmbëkryq tu bjerë koka mbi arkiva por bëjnë heroin antiarmik me fjalime propagandistike pa bukë.

Kam edhe më për Psikologjinë Shqiptare: E kam dhe si Hyrje libri, siç thashë. Ka psikologji turmash, racash (Lebon) popujsh, sociale (Ëundt), po ka edhe psikologji kombëtare që bashkon njerëz nën karakteristika të përbashkëta specifike që rrjedhin e ngjizen nga gjuha e zakonet e përbashkëta, nga historia, që ngjizen pse jo dhe nga politika e politiqejt e mediat e vendit: Këto meqë ra fjala kane ngjizur jo pak, në pjesët e liga të shpirtrave tanë, (se dhe e mira dhe e liga aty janë). Dhe kësisoj mbi bazën e teorisë së modeleve të Bandurës, modeli i politikanit pusht që fiton gjithshka e bën çdo gjë pa i hyrë gjemb në këmbë, pa shkollim mirëfilli por mirëfilli pusht, bën që të mbushen sallat me të rinj arrivistë të etur për para e pushtet pa punë që ëndërrojnë të ndjekin shembullin e tyre pa e lodhur kokën me shkollë e pa i thënë një herë punës tungjatjeta.

Prof. Dr. YLLI PANGO

Vendet europiane janë vrarë e prerë mes vedi, por nuk flasin për “armiqësi historike”, “urrejtje shekullore”. Ekzistojnë “armiqtë shekullorë të shqiptarëve dhe Shqipërisë”?

Janë vrarë e prerë dhe ata, ja Franca me Gjermaninë fjala vjen, armiq shekullorë disa shekuj, por erdhën në një mendje gradualisht se kështu nuk funksiononte e duhej gjetur një rrugë që tu jepte më shumë qetësi, paqe e së bashku me to edhe më tepër zhvillim apo ndalim shkatërrimi. Por patën mendje të mëdha a burra të mëdhenj shteti që e bënë këtë, madje edhe mbi bazën e një bashkimi akoma më të gjërë, atij Europian, në thelbin e të cilit ishte aleanca frankogjermane. Ata i vunë në udhë të mbarë të gjithë: Robert Schuman, Konrad Adenhauer..etj, etj. (Ne ku i kemi këta e ku jemi akoma). Gradualisht në mënyrë alternative kjo së bashku me planin Marshall pas luftës së dytë botërore, ndikoi edhe në rritjen e mirëqënies e shkoi akoma më lart faktori kulturë: e përgjithshme, art, qytetare, por sidomos demokratike. Tradita ishte e thellë. Feja me baza. Pastaj kjo mirëqënie kjo kulturë çoi më tej bashkëpunimin e paqen, këto përsëri mirëqënien e erdhëm te Europa e Bashkuar. Ku e ku me ne. Vazhdojmë ende mburremi me harmoninë fetare, i mbushim mendjen vehtes, pastaj të huajve, pastaj të huajt na i mbushin ne, e ne përsëri ja mbushim vehtes e e bëjmë mendjen top, se kemi harmoni të paparë fetare. E kam shkruar që në vitin 1996 kur u ktheva nga Sh.B.A, në librin „Psikologji Sociale“ se tek ne nuk ka patur bazament fetar, shkolla e edukim mirëfilli fetar, prandaj nuk ja kemi varur shumë faktit në quhemi Asmon apo Aristidh, Xhevrie apo Anastasi e jemi martuar mes vedi pa problem e jemi përzjerë se nuk ka ndodhur ndonjëherë të grihemi për fe që pastaj të pajtohemi e të na quhet se jemi shumë harmonikë në lëmë të saj. (Lexojeni dhe Nolin më poshtë). Si mund të ngjizësh diçka nga copra të thyera, kur nuk ke thyer kurrë kurrgjë. Mburrja absurde e një gazetareje, shkrimtarit të njohur francez Michel Houellebecq, për harmoninë tonë të jashtëzakonshme fetare solli natyrshëm reagimin ironik, në rastin më të mirë të habitur të tij. ” Interesant. Atëhere nuk duhet të kini patur luftra. Duhet të kishit qenë të zhvilluar goxha“ (një lloj përqasje me problemet në zhvillimin e Gjermanisë e Francës gjatë luftrave të tyre fetare e më pas harmoninë pas pushimit të tyre). Nënkuptimi mëse i qartë. Jeni më të prapambeturit në Europë?! Ç’u solli kjo harmonia fetare?

A ekziston ajo që quhet “energjia vetshkatëruese e shqiptarit”?

Është tek çdo njeri: e ka shkruar Frojdi. Instikti i vdekjes, thanatos. Veç tek ne ka një dallin: ne e bëjmë vetshkatërrimin pa dashur të vetëshkatërrohemi, por ndërkohë që tentojmë apo jemi duke a menduar se po ndërtohemi, po lumturohemi, po ecim përpara. Se dhe kur ka vënë veten në rrezik për të fituar, me mijëra herë këtë shekull, njeriu ynë i ri e i vjetër në të gjitha kuptimet, e ka bërë këtë se ka synuar për të fituar, jetuar, madje sa më mirë, vetëm ai e familja e tij ama…dhe si pa e kuptuar është vetëshkatërruar: si natyrë, si vend, si mendje e si zemër,…si…shumë si…e ndonëse së fundmi edhe e ka kuptuar këtë, vijon edhe sot e kësaj dite vetshkatërrimin sistematik. Kësisoj ky lloj vetshkatërrimi ngjan vetëm në emër me atë të Frojdit apo mund të thuhet se është frojdist se tek ne vepron një lloj subkoshience vetshkatërruese e shfaqur allo soj. Ky është një lloj absurdi por ndofta edhe një lloj ligjësie. Lidhur me këtë të parin ka edhe një absurd të dytë më të madh që ndofta sikur e zbut, zmuson a e bën disi më të pranueshëm këtë të parin: Lufta brenda llojit në të gjithë rruzullin tonë (por sidomos tek ne): Të gjithë ne jemi specie a lloje të së njëjtës formë ekzistence e si të tilla haemi egërsisht e sistematikisht ndër shekuj me njera tjetrën. Pikërisht si specie të të njejtit lloj. Kështu unë jam ajo formë ekzistence që për të më dalluar (kot) nga një individ i të njëjtit lloj p.sh nga individi Ramë, më kanë vënë një emër tjetër. Ky individ Ramë, që në lindje, ngjizet, edukohet, formohet asisoj që ta quajë për detyrë të luftojë e shkatërrojë çdo individ tjetër të llojit të tij, ta poshtërojë, shkatërrojë e denigrojë, atë, ta çojë në djall, thjesht për një kompleks të vetin, për shkak të një stimuli të brendshëm shkatërrues të çdo lloj vlere të llojit që i takon, a ndofta edhe të edukatës specieshkatërruese që ka marrë. Dhe çon më tej veten e të gjithë specien, në një shkatërrim të paparë. Po të vijojmë seicili kësisoj, i bie që ne për tu coptuar (veç sipas vedit) duhet të veprojmë si ai. Për ta shtyrë akoma më tej zgjedhim të copëtohemi edhe ligjërisht me njeri tjetrin. Kësisoj ndahemi në parti ku i nxjerrim sytë njeri tjatrit, jo për ideale a bindje, as për fe e parime (harrojini këto), por veç për një dëshirë e një qëllim për të cilin jemi atje: të përfitojmë sa më shumë për vehte e t’i lemë çelsat e kashtës tjetrit. Brenda atyre partive ndahemi më pas edhe në grupe a grupazhe, klane a tarafe, ku secila mbron gjoja emrin, nderin, pronën, domenin e vet. Ka edhe ndarje mbi ndarje që dihen si ndarja në raca, për të përbuzur njeri tjatrin, në shtete të mëdha e të vogla për të ushtruar hegjemonira e sa e sa ndarje të tjera në lloje, nënlloje, specie e ku në seicilën syresh, veç urrejtjes për të tjerë e themi dhe e konstatojmë edhe për tanët, „të vetët”: se lufta brenda llojit është më e keqja” e pas kësaj vazhdojmë edhe më keq me konsekuencë. Ndërkohë që mbi të gjitha këto ndarje në lloj lloje jemi goxha në luftë brenda atij më të madhit të njejtit lloj, llojit njerëzor. Tani mendoni se ku vemi me këtë ndarjen brenda llojit tonë të vogël.

Çfarë përbën për psikologun një vilë madhështore me disa kate, me basen dhe me të gjitha, në një fshat të thellë të Shqipërisë?

Në daç në një fshat të thellë, në daç në një të afërt a qytet qoftë, edhe me më shumë kate po të doni, ajo vilë a grataciel qoftë, mbetet e ulët, e cekët, diçka si një e fryrë e vogël pa rëndësi, mbi syprinën e madhe të tokës, që nuk e fut a s’e merr dot me vehte nën dhe, sikur ç’të bësh, e që dikur do tretet edhe mbi dhe edhe nën dhe, me tsunamin e parë natyror a njerëzor qoftë.

A është e vërtetë që shqiptari njihet në pamje?

Kjo lidhet edhe me pyetjen 1: Kur kam zbritur për herë të parë me nja dy miq në Stamboll, këtu e çerek shekulli më parë, pasi kemi bredhur mirë e mirë rrotull, më ka thënë njeri syresh, tashmë këtu e 27 vjet emigrant i suksesshëm atje: “E more a e pe sa shqiptarë ka këtu”. Nuk ishte fjala për shqiptarët emigruar ndër shekuj atje, por më tepër për turqit sivëllezërit e të cilëve, i hasim shpesh këndej nga ne, sidomos në Shqipërinë e Mesme. Kësisoj sa i takon fizionomisë së paku në një vështrim të shpejtë dallon tipare jo shumë të ndryshme, por gjithsesi ka disa diferenca mes shqiptarëve të Shqipërisë së Mesme e asaj të veriut, e ndofta edhe të një pjese (asaj ortodokse) të Shqipërisë së Jugut. Te tre këto grupe po i quaj, janë natyrisht shqiptarë në tipare, gjuhë, kulturë, mentalitet, ndonëse me disa ndryshime, por gjithsesi jetesa në të njëjtin teritor të vogël, martesat mes vedi, sistemet politike, ekonomike, regjimet ushqimore etj., të cilave u janë nënshtruar ndër disa shekuj i ka bërë fort të afërt a pothuaj të ngjashëm me njeri tjetrin. Pra edhe nëse ka patur diferenca ato janë zbutur. (Unë nuk po hyj më tej në tiparet e tyre, pasi dija e më hollësishme është një fushë, antropologjisë, së cilës nuk i takoj. Këto tipare i ka analizuar sado me një lloj idealizimi a purizmi të përkorë, antropologu ynë i parë, Aleksandër Dhima, në librin e tij “Hyrje në Antropologji” duke i identifikuar të gjithë pothuaj tërë bashkëatdhetarët tanë me “një tregues horizontal koke që përfshihet pothuaj tërësisht në klasat brakicefale (ballë i ngushtë e kokë e shkurtër) ”fq. 145)). Them se i ka përgjithësuar ca si tepër. Pastaj më tej kanë lindur e janë theksuar diferenca të tjera sidomos mes shqiptarëve të zonave fushore (ku turku ka depërtuar totalisht) e atyre malore ku ka patur një pavarësi mjaft më të madhe. Në fusha ka patur pra më shumë përzjerje, asimilim, pra edhe më shumë turqizim në çdo aspekt. Siç e thashë edhe më lart francezët e sotshëm rrjedhin nga përzjerje të llloj lloj popujve, ndër të cilët dy: romakët e gjermanikët, janë popuj pushtues asimilues të galëve. Për rrjedhojë pranohet romanizimi e më vonë gjermanizimi i galëve paraardhësve më autentikë të francezëve të sotshëm. Për rrjedhojë është absurd të pretendohet pastërtia e uniciteti i popullit a racës, prejardhjes, i cilësdo, pra edhe racës tonë, e për rrjedhojë e i tipareve tona fort të ngulitura historike, karakteristike etj etj. Pas kaq e kaq përzjerjeve, inondimeve kulturore, fetare, shpirtërore etj. Së paku me turqit, duam s’duam ne, ka një përzjerje të padyshimtë. Dhe këtu nuk ka asgjë të keqe. Të gjithë popujt e botës në rrethana e kontekste të caktuara historike, janë përzjerje e do të jenë gjithnjë e më shumë të tillë, e sidomos në periudhën e sotme të globalizmit e të shkurtimit të distancave por edhe të thyerjes së mjaft barrierave psikologjike, kulturore, fetare. Së paku kjo është e ardhmja sado e afërt a e largët edhe e atyre vendeve a popujve që aspirojnë purizmin e racave, feve, a ideologjive të tyre e që sot e kanë bërë botën të duket më e ndarë se dekada më parë. Duan s’duan edhe këta popuj e kanë brenda prej kohësh, edhe kundër dëshirës së tyre, përzjerjen, në besime, kulturë, zakone, raca etj., etj..

Pse ndodh që turku, rusi, polaku, rumuni etj. në kurbet jetojnë në bashkësi, e ruajnë njëritjetrin dhe integrohen shpejt, ndërsa shqiptari rri veç, shqiptarin tjetër e xhvat, dhe integrohet me vështirësi, ose kurrë?

Ka reminishenca plot nga e kaluara por edhe ynere nga e tashmja njeriu ynë i ri e i vjetër: Nën Turqinë pas Skënderbeut, pati nga ata që e tradhëtuam shoshoqin, për pak pushtet e për venome. Disa ndrruan fenë e ca shitën bashkatdhetarin. Në diktaturë njeriu i ri i partisë tradhëtoi a spiunoi, mohoi e denigroi deri burri gruan, vëllai vëllanë, në demokraci-zeza grabitëm toka e pasuri që nuk na takonin, me dokumenta fallso a fare pa dokumenta, i xhvatëm pronën njeri tjetrit,.. vramë edhe vëllanë për para tokë, trashëgim… kësodore humbi besimi. Humbi apo s’u bë kurrë vëllazëria. Prandaj na vjen turp. Nga kjo që kemi bërë por sidomos sepse kemi dhe frikë nga njeri tjetri. Atëherë në kohë të merhumit kishim frikë se mos na fusnin në burg për një fjalë goje, e sot se mos na i hedh e na i fut në biznes, në borxhe, në lojë a bixhoz, deri në motrën e gruan, miku, kushëriri, i afërmi. Ku ka bërë vaki kaq gjatë e gjerë kjo? Kërkund. Në të kundërt duhet të ishte. Krejt ndryshe. Ku ta gjesh të bashkëpunosh e të besosh. Kontrata e parë mes njerëzish, nuk ka qenë në letër, por në fjalën e dhënë. Më pas u forcua fryma e bashkëpunimi, besimi e e mira e punës në partnership. Në botë kjo. Se ku ta gjesh të bashkëpunosh e të besosh. Gjeneron më shumë ide, punë, energji. Nuk është thjesht një e një bëjnë dy: Shumë aritmetikë energjish. Është sinergji. Të gjithë fitojnë më shumë kur punojnë në grup, në partnership. Ndaj janë bashkë dhe diasporat kudo në botë. Ne jo. Ku e ku ta shmangim njeri tjetrin. “Shqiptarë” themi, “më mirë mos u afro me ta”. Ma kanë thënë dhe mua kur shkova në Boston. “Më mirë me të huaj. Edhe gjuhën e mëson më mirë, edhe terbietet“. Ai shqiptari i Maqedonisë që rrit ujq, e pamë një ditë në TV e tha bukur: „Pse ju tremben ujqit njerëzve (ty jo)“ e pyetën. „Po ç’t’ju them“ qeshi. „Njeriu është bërë më i keq se ujku,. Si të mos i trembet ujku atij?!!“ Unë vetë e kam një ujk, qen-ujk, në shtëpi Akiron. Është i racës Akita. Qeni i parë që u miqësua me njeriun, thuhet në enciklopedi. A ju kujtohet filmi me Richard Gere? I atij lloji është. Kur e pyetën një pronar Akite, pse s’e kap topin e hedhur ky qen, pse nuk bindet…etj. , ju tha. „E po i tillë është ky“. ” Po për çfarë është ky qen atëhere?“. “Ky qen është bërë për të dhuruar dashuri” tha ai. Po kjo nuk është pak. Kjo është ajo që na mungon. Të tjerat janë cirk. Dhe pyet dikush pastaj. “Po ne si jemi bërë kështu xhanëm. Nuk dhurojmë as të zinjtë e thonjve”…

A është e vërtetë se shqiptarët vriten aq tepër mes vedi ngaqë Shqipëria është vend tmerrësisht i bukur dhe i pasur?

Vriten se nuk e kuptojnë a nuk e dinë, shumica, që jetojnë në një vend kaq të bukur për nga natyra, klima, trashëgimia kulturore por jo për nga dora e njeriut. Dhe një pjesë e madhe e jona nuk e njeh madje pothuaj pasurinë turistike e kulturore, natyrore e të trashëguar, të vendit ku jeton dhe e shpenzon jetën në mënyrën më të shëmtuar të mundshme, në pjesët më të shëmtuara të vendit duke i bërë ato më të shëmtuara me antiveprën e vet, me ndërtime pa leje, bajga, ndyrje. A e di që në Bylis s’ka qenë shumica dërrmuese e shqiptarëve. A e dini sa pak kanë shkuar në Valbonë? A e dini se jugun perlë të Shqipërisë e kanë zbuluar shumica pas viteve 1990 e 2000? Sepse shumica rri e shpenzon kohën jo atje por shëmtuar, në kafe, në kafe të bukura e të shëmtuara por duke shpenzuar orë të tëra të shëmtuara. Dhe pastaj sigurisht vrasim shoshoqin mu në mes të shesheve të qyteteve, në kafene, frymëzuar edhe nga e shëmtuara. Por natyrisht në luftën kush e kush ta zaptojë më shumë pjesë të të bukurës që ta bëjë…edhe më të shëmtuar. Sa për pasurinë e vendit, nuk i ka lënë njeri ta dinë, apo s’ua ka bërë me dije se sa të pasur janë. Madje as mediat kur zbulojnë diçka të këtij lloji, pasi u shpëton goja për pak e mbyllin a i urdhërojnë ta mbyllin menjëherë. Kësisoj vazhdojnë njerëzit vazhdojnë të jetojnë në varfëri e në shëmti.

Krimi në familje është dukuri e përkohëshme apo historike?

Ka qenë dukuri historike në periudha përpara sistemit diktatorial, është frenuar nga ky sistem që arriti të kishte kontroll mbi çdo gjë, edhe mbi gjakun e mbi krevatin bashkëshortor, mbi ëndrrat e mbi flokët, por pasi ai sistem perëndoi, krimi në familje u ringjall me sistemin që erdhi, sistem me qeverira që nuk ishin e nuk janë në gjendje të kontrollojnë jo më krimin në familje por as atë më spektakolar në mes të kryeqytetit, përpara kamerave e në sy të gjithë botës. Natyrisht që me ndrrimin e brezave e mentaliteteve, me hapjen gjithnjë e më të madhe, kjo dukuri do të mund të mbetet e të vazhdojë të quhet „e përkohshme“ si gjithë tranzicioni ynë, sa të vimë në islla. Problemi është sa e përkohshme. Sa gjatë e përkohshme, sa kohë kjo e përkohshme…

Jo rrallë shqiptari që revoltohet për hiçgjë, për shembull në bilardo, ikën në shtëpi rrëmben kalashnikovin dhe vjen vret mikun, megjithse e di se pas pak do burgoset dhe do kalojë gjysmën e jetës në burg. A ekziston “vrasja për motive të dobëta” apo cilësime të tilla janë lajthitje mediatike sepse arësyet e këtyre vrasjeve janë më të thella? Pak e ekzagjeruar në pamje të parë por e vërtetë në jo pak raste…

Sigurisht që ndodh por janë edhe arësye më të thella. Por edhe kur ndodh vërtet për motive të dobta, akoma më thellë gjëndet motivi i shkatërrimit gradual e vajtja drejt fundit së bashku me viktimën edhe e autorit të krimit: nën trysninë e vobektësisë apo dëshirës për pasurim ekstrem të menjëhershëm, nxitjes apo provokimit mediatik, modeleve vrastare, kotësisë së jetës, bravurës idiote të joprotagonistit që kërkon me insistim protagonizëm. Kësisoj ndodh krimi që motivohet dobët për të tjerët, por rëndshëm karshi vetes apo nga vehtja.

I qetë, nervoz, ndërtues, shkatërrimtar, imagjinativ, fantazioz, apo me cilën tjetër fjalë të vetme mund të cilësohet një shqiptar tipik?

Të gjitha në një (all in one) veç qetësisë, por janë të tilla dhe për jo pak popuj të tjerë ndofta në doza e përpjestime më harmonike. Duhet kuptuar që nuk jemi special e as të veçantë. Në asnjë aspekt. Jemi edhe ne si mjaft popuj të tjerë, sidomos si ata mesdhetarë. Se është dhe kjo, mosnjohja e vetes, një nga arësyet që nuk na le të ecim përpara, të vetkorigjohemi, të vemë gishtin në plagë. (“Njih vetveten, sekreti i lumturisë” thoshte orakulli i Delfit). Por as edhe inferior, nuk jemi sepse me hapjen e madhe, mjaft djem e vajza së këtejmi, po japin prova që mund të bëjmë edhe ata, atë që bëjnë edhe të tjerët në art, sport, teknikë, se thjesht kemi edhe ne sy, veshë, gojë, duar e këmbë,…mbi të gjitha tru normal që po ju krijuan kushtet jep atë që kanë dhënë e japin edhe trutë e të tjerëve anekënd globit të vogël.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top