FB

September 13, 2025 | 17:30

Parentifikimi: Kur fëmija merr rolin e prindit

 

Në strukturën tradicionale të familjes, rolet janë të përcaktuara qartë: prindërit ofrojnë kujdes, mbështetje dhe udhëheqje, ndërsa fëmijët marrin përkujdesje dhe përjetojnë një fëmijëri të mbrojtur. Megjithatë, në disa raste, kjo ndarje e roleve përmbyset, dhe fëmija vihet në pozitat e një të rrituri, duke marrë përgjegjësi që tejkalojnë kapacitetin e moshës së tij. Ky fenomen njihet në literaturën psikologjike si “parentifikim” (parentification).

silvana-uka-465x620Parentifikimi përbën një formë të qetë por të thellë të abuzimit emocional dhe zhvillimor, që shpesh nuk vërehet nga të tjerët, por që lë pasoja afatgjata në personalitetin e individit.

Termi “parentifikim” u zhvillua për herë të parë nga Ivan Boszormenyi-Nagy në vitet 1960, një nga themeluesit e terapisë familjare sistemike. Ai e përshkroi “parentifikimin”si një proces në të cilin një fëmijë trajtohet nga prindërit si një të rritur dhe merr përsipër role prindërore ndaj prindërve ose vëllezërve dhe motrave.

Dy lloje kryesore të parentifikimit janë:

1.Parentifikimi emocional – Fëmija bëhet burimi kryesor i mbështetjes emocionale për prindin. Ky fëmijë dëgjon problemet personale të prindit, ndihmon në vendime të vështira ose është “shpatulla për të qarë”.

2.Parentifikimi instrumental – Fëmija kryen detyra praktike të të rriturve, si përgatitja e ushqimit, kujdesi për vëllezërit më të vegjël, menaxhimi i financave apo mbajtja e shtëpisë.

Parentifikimi nuk është gjithmonë i dëmshëm në çdo formë, por kur është i vazhdueshëm, i pabalancuar dhe i pavetëdijshëm, ai kthehet në një burim serioz dëmtimi emocional.

prinderimi

Shkaqet që çojnë në parentifikim janë të shumta dhe komplekse. Ato lidhen me rrethana sociale, ekonomike, shëndetësore dhe psikologjike si:

-Probleme të shëndetit mendor të prindit (si depresioni, ankthi, varësia ndaj substancave).

-Humbja ose mungesa e njërit prind (divorc, emigrim, vdekje).

-Varfëria ose mungesa e mbështetjes sociale, që i detyron prindërit të mbështeten tek fëmijët.

-Kultura patriarkale apo rolet tradicionale të ngurta gjinore, që e ngarkojnë sidomos vajzën e madhe me përgjegjësi të rënda.

-Familjet me dinamikë të çrregullt, ku fëmija ndërhyn për të mbajtur stabilitetin emocional të prindërve.

Parentifikimi mund të ndikojë në zhvillimin emocional dhe social të fëmijëve në mënyra të ndryshme, sidomos nëse ato nuk marrin njohje apo mbështetje për këtë rol të ngarkuar.

Pasojat afatgjata përfshijnë:

-Ankth dhe ndjenjë e përgjegjësisë së tepruar.

-Vështirësi në vendosjen e kufijve në marrëdhënie.

-Ndjenjë faji kur nuk ndihmojnë të tjerët.

-Prirje për të zgjedhur marrëdhënie ku duhet të “shpëtojnë” partnerin.

-Vështirësi në përjetimin e gëzimit apo relaksimit – ndihen “keq” kur nuk janë duke ndihmuar dikë.

-Rrezik për zhvillimin e çrregullimeve si depresioni ose çrregullime të personalitetit.

 

Në disa kultura, përfshirë shumë shoqëri tradicionale si ajo shqiptare, ndihma e fëmijës ndaj familjes shihet si diçka normale. Kur një fëmijë humbet fëmijërinë, ndjenjat, dhe vëmendjen prindërore për të plotësuar nevojat e të rriturve, atëherë nuk kemi më edukim të shëndetshëm, por zhvillim të shtrembëruar emocional.

Shumë të rritur që kanë qenë të parentifikuar, mbajnë modele të njëjta në jetën e tyre të mëvonshme:

-Marrin gjithmonë rolin e kujdestarit në marrëdhënie.

-Nuk  kërkojnë ndihmë.

-Kanë vetëvlerësim të varur se sa “të dobishëm” janë për të tjerët.

-Kanë tendencë të injorojnë nevojat e tyre emocionale.

Trajtimi dhe ndërhyrja terapeutike

Terapia psikologjike, veçanërisht terapia e brendshme familjare, terapia psikodinamike dhe terapia njohëse-sjellore (CBT), ndihmojnë të rriturit të kuptojnë rolet që kanë luajtur në fëmijëri dhe të ndërtojnë një identitet më autentik, me kufij të shëndetshëm.

Objektivat kryesore terapeutike përfshijnë:

-Ndërgjegjësimin e traumës së parentifikimit.

-Heqjen e fajit dhe rivlerësimin e vetes jashtë rolit të “shpëtimtarit”.

-Vendosjen e kufijve të qartë në marrëdhënie.

-Zhvillimin e ndjenjës së vetëvlerësimit që nuk lidhet me të qenit i dobishëm.

Pra parentifikimi është një proces i heshtur që shpesh kalon pa u vënë re nga të tjerët, por që ndikon thellësisht në jetën e një fëmije. Edhe pse disa fëmijë mund të zhvillojnë pjekuri dhe përgjegjësi si pasojë e tij, shumë të tjerë mbeten emocionalisht të plagosur dhe të paaftë të përjetojnë marrëdhënie të balancuara në jetën e tyre të mëvonshme. Prandaj, është thelbësore që prindërit, mësuesit, terapistët dhe shoqëria në tërësi të jenë të ndjeshëm ndaj këtij fenomeni dhe të mbështesin një zhvillim të shëndetshëm të fëmijëve, ku ata të ndihen të lirë të jenë fëmijë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top