Prej tre vjetësh bashkëjetoj me një grua 5 vjet më të madhe se unë. Tani ajo kërkon që të kemi një fëmijë bashkë. Dhe gjithnjë e më shumë këmbëngul. Ndihem ende i ri për t’u bërë baba, s’jam veçse 25 vjeç, por nëse e kundërshtoj dëshirën e të dashurës sime, do të thotë t’i jap fund marrëdhënies, gjë që nuk e dëshiroj. Ndihem mirë me të…
Jo rrallëherë më ka rastisur të dëgjoj nga çiftet e reja të kenë këtë dilemë. Shpesh ndodh që njëri nga partnerët të ketë dëshirë të kërkojë diçka dhe tjetri të mos jetë në të njëtin element dëshirash, pritshmërish apo synimesh. Nuk është e lehtë të përballesh me një dilemë të kësaj natyre. Pyetja ime është, a mos ndoshta po e shikoni këtë çështje “bardh e zi”? Pra, ose ju do të keni një fëmijë bashkë ose lidhja juaj merr fund. Mos ndoshta është fëmija që do të mirëmbajë lidhjen tuaj tani e tutje? Shpresoj të mos jetë kështu. Sigurisht që fëmija është një hallkë shumë e rëndësishme e lidhjes, kërkon impenjim dhe përgjegjësi nga ana e të dy partnerëve dhe mbi të gjitha dëshirën e përbashkët për ta pasur. Por nëse është vetëm një partner që e kërkon dhe tjetri mund të jetë në ambivalencë midis moshës, kohës, marrëdhënies etj., atëherë është e rëndësishme që ju t’i jepni kohën vetes tuaj që të kuptoni më mirë se çfarë dëshironi dhe se kur e dëshironi. Ju e keni këtë të drejtë. Vetëm kështu do të marrësh një vendim në kohën e duhur dhe si duhet. Nëse do të jetë kështu dhe vendimi për të pasur një fëmijë do të ishte më i sigurt dhe si rrjedhojë do të ndihmonte në mbarëvajtjen e shëndetshme të marrëdhënies suaj. Si do të shkonte një marrëdhënie midis dy partnerëve, ku dëshira dhe siguria për të pasur një fëmijë buron vetëm në një drejtim? Bashkëveprimi do të ishte shumë i vakët dhe ju do të ndjeheshit shumë i frustruar, i stresuar dhe kontributi do të linte për të dëshiruar. Ajo, marrëdhënia që ju të dy si partnerë kërkoni të mos përfundojë, nëse do të zgjidhnit këtë rrugë, me siguri që do të përfundonte shumë shpejt. Ju këshilloj që të flisni hapur me partneren tuaj. Mundohuni nga ana tjetër të kuptoni nevojat e saj, pasi në moshën që ajo ka, kërkesa për të pasur një fëmijë është e natyrshme. Duke kuptuar fillimisht nevojat e saj, mund t’i tregoni reflektimin tuaj. Ndoshta ju një ditë do ta dëshironi këtë fëmijë po aq sa edhe ajo, por për momentin ju nuk ndjeheni gati të bëheni baba kaq shpejt. Komunikimi është përherë një aset i sigurt drejt një marrëdhënieje pozitive në rritje.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.