Pas disa vitesh pritje, ribashkimi i “Friends” është bërë realitet dhe tashmë seriali ka edhe një datë zyrtare publikimi. Pas mungesës së gjatë në të cilën ndikoi edhe pandemia, është publikuar edhe traileri, raporton “Harpers Bazaar”.
“Friends: Reunion” do të jetë në dispozicion në “HBO” dhe “HBO Max” nga data 27 maj, ndërsa kasti ka filluar xhirimet muajin e kaluar.
“Friends” ishte një nga sitcom-et më të mëdha të viteve ‘90 dhe përfundoi në vitin 2004. Shfaqja me 10 seri pritet prej një kohe të gjatë nga fansat dhe u bë e mundur falë shërbimeve të transmetimit, si “Netflix”.
Të gjashtë anëtarët e kastit origjinal: Matthew Perry (Chandler), Jennifer Aniston (Rachel), Courteney Cox (Monica), Lisa Kudrow (Phoebe), Matt LeBlanc (Joey) dhe David Schwimmer (Ross), do të marrin pjesë.
Ata do të shfaqen së bashku me yjet e tjerë joprotagonistë, duke përfshirë Maggie Wheeler (Janice), James Michael Tyler (Gunther), Reese Witherspoon (Jill) dhe Tom Selleck (Richard), si dhe Elliott Gould dhe Christina Pickles, të cilët luajnë prindërit e Ross dhe Monica-s, Jack dhe Judy.
Të ftuar të famshëm, përfshirë David Beckham, Lady Gaga, BTS, Cara Delevingne, Mindy Kaling, James Corden, Malala Yousafzai dhe Justin Bieber, pritet të shfaqen gjithashtu.
Një ‘teaser’ i ribashkimit, i publikuar dy ditë më parë, tregon 6 aktorët që ecin së bashku me një version melodik të kolonës zanore të “Friends”, “I’ll Be There For You”, nga The Rembrandts.
Burimi / Panorama Plus
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.