Prozë poetike nga Alketa Burimi
Një vajzë e re — e pastër, e ndrojtur dhe e pafajshme — u përqesh nga bashkëmoshatarët. Jo për atë që ishte, por për atë që nuk kishte: rroba të shtrenjta, markat më të fundit, imazhin që kjo shoqëri e sëmurë ka ngritur në fron si vlerë. Në një botë ku pasqyra vlen më shumë se zemra, ajo nuk pa më asgjë që ta lidhte me jetën. Dhe një ditë, zgjodhi të mos jetojë më.
Ky shkrim është një përgjigje që nuk mund të mungojë. Për të gjitha pasqyrat që reflektojnë vetëm sipërfaqe. Për të gjitha vajzat që ndihen të padukshme, të pavlefshme, të papërkryera në gjuhën e ftohtë të një bote moderne që ngatërron vlerën me pamjen. Është një thirrje: për ta parë veten me dritën e së vërtetës, jo me sytë e një shoqërie që adhuron imazhin, por shpesh harron shpirtin.
“Lumturia nuk është një emocion i rastësishëm, por fryti i jetesës së virtytshme.”
— Aristoteli
Mëngjeset e saj kishin një ritëm të butë, si një melodi e heshtur që zgjohej bashkë me të.
Drita e diellit përkëdhelte sipërfaqen kristaltë të pasqyrës,
ku drita dhe misteri vallëzonin në një harmoni të pashprehur.
Ajo afrohej dhe pëshpëriste me zë të butë: “Mirëmëngjes, pasqyra ime e dashur…”
Ishte një rit i përditshëm — një miqësi e heshtur mes saj dhe reflektimit që e përshëndeste.
Pasqyra nuk ishte thjesht sipërfaqe, por një dëshmitare e çdo çasti të fshehtë.
Por atë mëngjes… diçka ishte ndryshe.
Një rrudhë e lehtë mbi vetull. Një hije dyshimi në sy.
Një ndjesi që trazon shpirtin përpara se të marrë formë në fjalë.
“Përse nuk më pëlqen vetja sot?” – pëshpëriti.
“Buzëqeshja ime duket e mjegullt… sikur një hije fshihet pas saj.”
Ah, moj pasqyrë… ndoshta je bërë e turbullt — tha, duke kaluar pëllëmbën mbi xham.
Një rreze solli me vete një mendim të kthjellët: A është imazhi më i vërtetë se ndjesia që kam për veten?
Nëse pasqyra do të fliste, çfarë do të më thoshte?
A do të më siguronte, apo do të më pasqyronte thjesht, në heshtje?
Një buzëqeshje e zbehtë u shfaq në fytyrën e saj.
“Shpresoj që mbretëresha mos të të pyesë sot…”— tha lozonjare.
“Pasqyrë, moj pasqyrë, kush është më e bukur se unë?”
Pasqyra, në heshtjen e saj argjend, sikur kishte përgjigjen gati:
“Një vajzë që kërkon më shumë se bukurinë. Një vajzë që sheh përtej.”
Pëshpëriti ajo, si një sekret që nuk kishte më frikë ta zbulonte.
Dhe me buzëkuqin e saj, vizatoi një zemër të vogël mbi xham:
“Të dua! Mos më harro, pasqyra ime!”
Por një ditë… heshtja zgjati më shumë. Erdhi një mëngjes që nuk trokiti më në xham.
As zëri. As buzëqeshja. Vetëm drita… që priste kot.
Pasqyra priti… por imazhi nuk u shfaq. Drita ishte aty, por hija e saj mungonte.
Mungesa u bë peshë — një boshllëk që rrethonte xhamin.
Ditët u kthyen në javë, javët në muaj. Dhe kur u kthye… vajza nuk ishte më e njëjta.
E lodhur. E heshtur.
Por brenda asaj heshtjeje fshihej diçka që nuk kishte qenë aty më parë.
Jo vetëm trishtim… por një vetëdije e re.
Një zë i brendshëm që nuk ishte më thjesht një pëshpëritje —
por një kërkesë për të kuptuar veten përtej dhimbjes.
Filloi ta pastronte pasqyrën me gishta, sikur të donte të fshinte më shumë se pluhurin.
Si të donte të fshinte gjithçka që i ishte ngjitur në shpirt nga fjalët e botës.
Si të donte të gjente nën atë sipërfaqe një shikim që i përkiste asaj dhe vetëm asaj.
Pasqyra vështroi jo vetëm fytyrën, por shpirtin pas saj.
Një hije e re ishte aty — por edhe një etje për dritë.
“Shiko…” – pëshpëriti pasqyra me butësi. “Ti më ke munguar.
Por tani duket sikur nuk më shikon mua, por diçka tjetër — përtej.”
Ajo kujtoi fjalët e Aristotelit.
Lumturia nuk është ndjesi kalimtare, por përmbushje e shpirtit përmes virtytit — Eudaimonia.
Jo një bukuri që të tjerët admirojnë, por një paqe që buron nga brenda.
Dhe në këtë kuptim… pasqyra nuk reflekton vetëm pamjen, por edhe shpirtin që përpiqet të ndriçojë.
“Pasqyrë e dashur…” – pëshpëriti ajo. “Ti ke një fuqi të çuditshme mbi mua.”
Një lot rrëshqiti mbi sipërfaqen e saj të ftohtë.
“Por bota jashtë duket e lodhur. Zemrat shpesh bosh. Imazhet janë të rreme.”
Jetojmë në një botë ku imazhi është bërë dogmë.
Reflektojmë fytyra të rregulluara, por shpirtra të lodhur.
Buzëqeshje të ngrira, por jo gëzim të vërtetë.
Shoqëria mat vlerën me pamjen, jo me thellësinë.
Dhe ato që nuk përshtaten… shpesh mbeten në hije.
“Pse nuk vishesh si të tjerët?” – pëshpërisin buzët me ngjyrën më të fundit.
“Nuk ke para për këpucë të reja?” – qeshin të tjerët.
“Telefoni yt është ende i vjetër… pse nuk ke një iPhone?”
Këto fjalë nuk lënë mavijosje në lëkurë… por gdhenden në shpirt.
Disa vajza ecin përpara me kokën lart. Të tjera… nuk e përballojnë dot.
Heshtja bëhet më e madhe se zëri.
Dhe një ditë… vendosin të mos shihen më në pasqyrë.
Pasqyra i pret. I kërkon. Ka nevojë për to.
Ato janë imazhet më të bukura… por mungojnë.
Në atë çast, pasqyra bëhet më e kthjellët.
Reflekton dritën dhe një zë të butë:
“Sot, pasqyrat janë të trishtuara. Reflektojnë bukuri sipërfaqësore, por jo shpirt.
Mos harro të investosh në veten tënde. Aty fshihet bukuria e qëndrueshme.
Aty lulëzon përjetësia.”
Pasqyra pëshpëriti një të vërtetë të harruar:
“Ti nuk je krijuar për t’u pëlqyer… Je krijuar për të qenë.”
Vajza dëgjoi këtë zë brenda vetes. Dhe për herë të parë… nuk kërkoi miratim.
Kërkoi veten. Mbylli sytë. Mori frymë.
Pa veten — jo si imazh, por si qenie.
Dhe kur i hapi sërish… pa më shumë se një reflektim. Pa veten.
Sepse ajo vajzë më në fund e kishte gjetur veten… Në pasqyrën e së vërtetës.
Pasthënie nga autorja –
Për vajzat që nuk e panë veten në kohë.
Në dritën e pasqyrës, shumë vajza kanë kërkuar një arsye për të qëndruar… por nuk e kanë gjetur.
Fjalët që u thanë, imazhet që u imponuan, duart që munguan — u bënë hije më të forta se drita e tyre.
Dhe një ditë… zgjodhën të mos shihen më kurrë.
Ky shkrim është për to. Për ato që heshtën shumë, që qeshën vetëm për të mos u parë duke qarë. Për ato që u ndëshkuan për thjeshtësinë dhe ndjeshmërinë.
Por është edhe për ato që ende shikohen në pasqyrë dhe nuk gjejnë veten.
Mos u dorëzo!
Pasqyra mund të gënjejë. Shoqëria mund të gjykojë. Por brenda teje ka një dritë që s’ka nevojë për leje për të ndriçuar.
Ti nuk je një e metë. Je një jetë — e papërsëritshme. Ji! Sepse vetëm kështu, bota fiton dritë. Dhe ndoshta… kjo pasqyrë, që dikur priste në heshtje, tani ka marrë zë. Dhe me zërin e saj të butë, por të palëkundur, reflekton me një dritë tjetër. Një dritë që nuk vjen nga rrobat, nga marka, as nga sy që shikojnë, por nuk shohin. Është një dritë që lind nga brenda: e qetë, e vërtetë, e qëndrueshme.
Vajza e dikurshme, ajo që kërkonte veten në një imazh të huaj, sot ka mësuar të shohë përtej xhamit.
Sepse pasqyra nuk e përcakton më atë. Ajo e pasqyron — siç është: me ndjeshmëri, me plagë, me dritë të vetën. Dhe ndoshta kjo është më e rëndësishme se çdo përgjigje: Të jesh vetvetja në një botë që kërkon të të ndërrojë, është një akt guximi.
Prandaj, nëse po lexon këtë dhe ndihesh e humbur: Kthehu te pasqyra, por jo për të parë sa të ngjan me të tjerët! Shiko veten për atë që je! Sepse pasqyra nuk është më aty vetëm për të pasqyruar — por për të kujtuar.
Se çdo vajzë që ndihet e padukshme, ka një dritë brenda që nuk shuhet.
Bukuria nuk është gjë që shihet… por që ndriçon nga brenda. Kjo pasqyrë tani flet. Reflekton me një dritë tjetër – një dritë që nuk vjen nga jashtë, por nga thellësia e shpirtit.
Një dritë që thotë: “Ti nuk je këtu për të qenë perfekte. Je këtu për të qenë e vërtetë. Dhe e vërteta… është dritë që s’ka nevojë për miratim.”
Prandaj, nëse ndonjëherë nuk e gjen veten në pasqyrë… kujtoje këtë: Nuk është pasqyra që të përcakton. Je ti që e ndriçon atë!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.