Marrëdhënie

April 11, 2016 | 7:47

Pavarësi fëmijës? Shenjë dashurie

Ema dëshiron që të shkojë në shkollë në këmbë së bashku me disa shoqe të sajat. Edhe pse shkolla nuk është shumë larg nga shtëpia, unë trembem t’ia jap këtë të drejtë. Është vetëm 7 vjeç, a nuk është pak shpejt?”, pyet Veronika, nëna 42-vjeçare e vajzës, së cilës edhe pak ditë i kanë mbetur nga festa e abetares… Kurse Adriana thotë: “Vjet kur ishte 6 vjeç doja ta çoja djalin tim në një kamp. Edhe atij i pëlqente shumë, por përfundimisht nuk e mora këtë vendim. Mamaja ime më tha se është shumë i vogël…”. Dhe sërish një rast tjetër: “Vajza ime 10 vjeç shkoi në ekskursion me shkollën dhe fjeti dy net jashtë shtëpisë, isha aq shumë e shqetësuar. Nuk di nëse duhet ta lejoj sërish një herë tjetër… me atë shqetësim që provova...”, thotë Majlinda… Nuk janë të vetmet raste.

Përgjithësisht, prindërit përballen me nevojën për pavarësi të fëmijëve të tyre dhe me të njëjtat dyshime që u shfaqen. Por pas moshës 6-vjeçare fëmijët fillojnë e hedhin hapat e parë drejt autonomisë: shkojnë në shkollë, kalojnë edhe ndonjë pasdite atje, frekuentojnë qendrat sportive. Dëshira dhe nevoja për pavarësi nuk u përket vetëm adoleshentëve. Çdo moshë e shpreh këtë nevojë njerëzore. Për shembull, një fëmijë gjashtëvjeçar dëshiron të flejë në dhomën e vet dhe të vishet vetë. Dhjetë vjeç ai është mjaft i aftë për të zgjidhur një konflikt me shokun e vet, ose për të bërë detyrat pa mbikëqyrjen e prindit.

“Pavarësia është një e drejtë e fëmijëve që, si të gjitha të drejtat, ka një anë tjetër të medaljes, që është detyrimi”. Por, nga ana e prindit, jo gjithnjë pavarësia njihet në moshën e duhur: një fëmije nëse e meriton, nëse ka mësuar të jetë në sjellje mjaftueshëm, të organizojë veten dhe kohën e tij, nëse respekton rregullat dhe detyrimet familjare, duhet t’i lejohet pavarësia.

Prindërit duhet të dinë ta vlerësojnë se kur është momenti i përshtatshëm që mund ta lejojnë fëmijën të ketë përvoja të pavarura. “Ndonjëherë mendimet rreth fëmijërisë sonë dhe raporteve që kemi pasur me prindërit mund të na ndihmojë për të kuptuar më mirë se si duhet të sillemi me fëmijët tanë”, thonë psikologët. Në fund të fundit të gjithë kemi qenë fëmijë, kurse të rriturit na ndalonin të shkonim në festa ose për të kaluar natën në shtëpinë e një shoqeje. KUJTOHUNI: Të njihni pavarësinë e fëmijës është një mënyrë e demonstrimit të dashurisë ndaj tyre. Nëse i duam fëmijët duhet të duam edhe lirinë e tyre. Bëjeni me kujdes, në kohën dhe mënyrën e duhur.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top