Pediatrja e njohur Lira Gjika, aktive në rrjetet sociale, përpiqet të sjellë në vëmendje problematika nga marrëdhënia prind-fëmijë, shqetësimet e kohës si dhe të ofrojë mbështetje me këshillat e saj. Një nga situatat e prekshme është edhe ajo e kohëve që po kalojmë, tejzgjatja e pandemisë dhe frikërat e shtuara, sidomos nga ana e të vegjëlve. Ajo çfarë tërheq vëmendjen mjekja, është mbështetja që duhet të tregojnë fëmijët për t’u folur fëmijëve sa më shumë, përmes informacioneve të thjeshta që ata munden për t’i qetësuar dhe lehtësuar përjetimin.
“Në këto kohë të vështira të Covid-it, prindër, flisni me fëmijët tuaj edhe pse mund të jenë të vegjël. Ata do t’ju kuptojnë më mirë se sa i kuptoni ju. Mos u trembni nga pyetjet e tyre, por përpiquni t’i jepni një përgjigje sa më të vërtetë. Kur nuk dini të përgjigjeni, i thuhet fëmijës thjeshtë, se nuk dini t’i përgjigjeni.
E para, nuk do të gënjeni, dhe e dyta do t’i tregoni një të vërtetë që e lehtëson fëmijën: se dhe të rriturit nuk i dinë të gjitha dhe ata vazhdojnë të mësojnë çdo ditë.
Flisni me fëmijët për frikën se mos sëmureni apo se mos ndodhë që të humbni jetën, pasi shumë njerëzve u ka ndodhur.
Flisni me fëmijët për mërzinë që provoni dhe pasigurinë, padurimin se kur do të mbarojë ky ankth i keq. Ju që keni humbur të afërmit mos i përjashtoni fëmijët nga zija që përjetoni për njerëzit e dashur që nuk janë më.
Fëmija nuk ka mekanizma trunorë dhe mendorë që të kuptojë pse silleni në mënyrë përjashtuese me të. Ai apo ajo mendojnë se ju nuk i konsideroni dhe prandaj e gënjeni. Prindër, kur fëmija i di gjërat nuk do t’u bezdisë me pyetje dhe nuk do të grindet e të humbë besimin ndaj jush, por përkundrazi do të jetë edhe më i vëmendshëm e i kujdeshëm për ju”.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.