Është mirë të mbajmë mend kur takojmë të tjerët në mënyrë që të mos supozojmë asgjë për atë person, kur diçka krejtësisht e ndryshme mund të jetë rasti. Për të gjithë emigrantët kudo ndodhen, tregon forcën e madhe që keni brenda jush!
Arta Llana, psikologe klinike
Edhe pse mund të mos jeni në punën e dëshiruar, ju nuk keni humbur asgjë profesionalisht nga ajo që keni qenë më parë, thjesht keni humbur vetëm kohën dhe jeni sorollatur e vonuar për shkak të informacionit.
Të kesh informacionin e duhur është një mundësi e cila qartëson më shpejt rrugën drejt të shkuarit sërish në karrierën tënde që e ke pasur më parë, për të cilën ti vërtet ke investuar dhe e ke arritur me forcat e tua.
Përjashtoj mungesën e gjuhës, (e cila është vërtetë barrierë pavarësisht aftësive) dhe mendoj se çdokush nuk duhet të humbë BESIMIN tek vetja, dhe as VETËVLERËSIMIN.
Akoma më shumë, mos të lejojë askënd të ndikojë në SHPRESAT që mban dhe aq më tepër mos të lejojë askënd t’i tregojë që NUK MUNDESH!
Kushtet e secilit janë të ndryshme dhe përkundrazi, mjafton si SUKSES edhe të qenit emigrant, pasi tregon forcën e madhe për t’ia dalë përshtatjes edhe në rrethana të cilat jo domosdoshmërish përputhen me njohuritë, intelektin dhe aftësitë e tua personale.
Madje, forca dhe aftësia për të përballuar çdo rrethanë, është PËRTEJ ÇDO SUKSESI, dhe mendoj se ka aq shumë njerëz në këtë botë, të cilët kanë tejkaluar gjithë literaturat e shkruara, me mënyrën e tyre personale për të gjetur gëzim në gjithçka që jeta i sjell.
Për ta mbyllur, kartonat janë një zanat që të japin një punë të rehatshme, anë ekonomike por nuk do i japin kurrë askujt DINJITETIN, FISNIKËRINË dhe as të qenit i NJERËZISHËM, pasi këto nuk ka shkollo që t’i mëson.
“Nëse hyjnitë do të plotësonin lutjet e njerëzve, njerëzimi do të shfarosej si pasojë e të këqijave që njerëzit kërkojnë për njëri-tjetrin”, thoshte Epikuri.
Kështu besoj, që të gjithë janë mjaftueshëm të rritur për të kuptuar se jo të gjithë janë aq dashamirës për të parë tjetrin të arrijë diçka, se ndryshe kjo botë nuk do kishte vuajtje fare.
Secili ka situatat e veta personale me njerëz të ndryshëm, për të cilat nuk është i detyruar të shpjegohet, por njëkohësisht nuk mund të hedhë dot poshtë përjetimin e tij dhe as nuk është e ndershme ta gjykojmë. Njerëz të ndryshëm, është fakt që janë njohur ndryshe në rrethana të ndryshme nga të tjerë.
Kështu, rëndësi ka që DRITËN brenda nesh askush nuk e vjedh dot, dhe as nuk ndikon dot pa lejen tonë në mënyrën se si do t’i përgjigjemi një situate.
Ju uroj gjithë të mirat të gjithëve!
Jeta është kaq e bukur, ashtu siç vjen me misteret e saj, të cilat askush nuk i zbulon dot përveçse në kohën e duhur!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.