Nga Orjona Tresa
Çfarë do të bënit nëse do të kishit një orë për të jetuar? Shumëkujt kjo pyetje mund t’i shkaktojë një panik mendimesh në kokë. Ideja për të sistemuar shumë gjëra njëherësh, amanetet e fundit. Eh,… qoftë larg ajo ditë!
Më ngacmoi shumë kjo pyetje. Më ngacmoi edhe gjuha me të cilën psikoterapisti i njohur amerikan Riçard Karlston, shkroi një letër të gjatë kushtuar dashurisë së jetës së tij, Kristinës. Jo pa kast e kish bërë këtë. Edhe pse në ditët e fundit të jetës, ai donte të linte gjurmë të bukura, emocione pozitive dhe shpresëdhënëse. Ai shkroi historinë më të bukur kushtuar shpirtit binjak në tetëmbëdhjetë vjet bashkë.
Një burrë fisnik, i cili jetoi në paqe dhe mirësi, dha shembullin e përkryer të njeriut që zgjodhi qetësinë dhe dashurinë për t’u përballur me të mirën dhe të keqen në jetë. Një orë për të jetuar, një orë për të dashuruar. Kë do të telefonoje dhe, pse po pret akoma? Ky libër ka ngacmuar shumë personazhe botërorë, të cilët gjithashtu u kanë shkruar më pas nga një letër të gjatë dashurie njeriut të zemrës.
Të ndjesh dhe luftosh për dashurinë është gjëja më e bukur që mund t’i ndodhë çdo njeriu.
Por si veprimet edhe fjala ka forcën dhe vlerën e vet në dashuri. Ajo shëron shpirtin dhe të bën t’i rikthehesh edhe një herë çasteve, kujtimeve, emocioneve të veçanta që kanë shënjuar vitet, me njeriun që ke në krah. Atyre çasteve kur një bashkëbisedim i ngrohtë ka zbutur një inat brenda teje, kur një dhimbje është shëruar nga përkujdesja e tij, kur nga humbja e një të afërmi ke marrë përqafimin e gjatë dhe shpresëdhënës për jetën. Aty do të gjesh me siguri energjinë që deri atë çast mund të kish shteruar, burimin e gëzimit, lumturisë dhe kënaqësisë për ta jetuar jetën.
Thonë se është e vështirë të gjesh shpirtin binjak, gjysmën e vetes, atë që përmbush dhe që të plotëson Ty. Jeta ka vërtetë beteja, sfida, ulje-ngritjet e saj. Por duke e konsideruar në dy, ajo bëhet më lehtësisht e përballueshme. Jeta më ka mësuar se nëse di të falësh në çift, të japësh dashuri, mbështetje, ide, do të ndihesh mirë me veten, por ndërkaq do t’i falësh kënaqësinë e njëjtë partnerit, pse jo fryteve të dashurisë, fëmijëve. A nuk është kjo gjëja më e rëndësishme? Për mua, PO. Është gjëja më e rëndësishme që kam bërë ndonjëherë dhe nuk do të rresht së pari nën këtë optikë gjërat. Sepse unë e çmoj jetën si dhuratën më të veçantë!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.