Mirëqenie

November 25, 2015 | 13:40

Trokitja në derën e psikologut, turpi që duhet hequr si mendësi

Nga: Jonida Ponari

A diktojnë kërkesat në rritje për trajtim psikologjik, trokitjen më të shpeshtë në derën e psikologut?

Kushtet në të cilat jetojnë banorët e kryeqytetit diktojnë nevojën në rritje të qytetarëve të Tiranës për këshillim. Por a këshillohen kryeqytetasit, të cilët akoma s’kanë marrë veten këto dy dekada e gjysmë nga çrregullimi bipolar i kalimit nga një sistem politik diktatorial, që psikologut nuk i njihej emri në vendin tonë, aq më pak roli, në një Tiranë ku u hapën 100 dyer që sollën shumë risi, por dhe problematika të atashuara njëkohësisht?!

Puna e psikologut sot njihet dhe është integrale, unike dhe e çmuar për nga funksioni, në shumë institucione shtetërore dhe private. Por jo të gjithë i drejtohen atij, pasi pasojat e diktaturës kanë rrënjosur frikëra te qytetarët, madje dhe frikën e të shprehurit lirshëm e të kërkuarit të ndihmës profesionale. Këto qytetarë duhet të vetë ndërgjegjësohen për rrënjët e frikërave të tyre dhe jo se është interesi i portofolit të psikologut të ketë klientë, por se duhet zhvilluar një kulturë ndër brezërore ku të kërkuarit e ndihmës profesionale, jo vetëm që nuk është turp, e nuk të etiketon ty si të çmendur, por mbi të gjitha rrit mundësitë e të paturit të një shëndeti të mirë mendor.

Nuk mund të bëjmë përgjithësime, por më ka ndodhur që në biseda me individë të ndryshëm, të më thonë që kur kemi probleme e kemi më të lehtë të shkojmë te një mik, te një i afërt, se të “shesim” informacionin tonë personal e intimitetin tonë, madje duke paguar për seancat. Të tjerë kanë thënë: “Tmerr. Të shkoj te psikologu e përse, jam çmendur vallë? Duke harruar faktin se nuk është turp, se dhe mjeku që di si të kujdeset pak më tepër për veten në dimensionin mjekësor mund të sëmuret, e vetë psikologu që është i armatosur me dije të vetëndihmës psikologjike ka nevojë për seanca supervizimi. Po ata, klientët, kur do e kapërcejnë pengesën e mentalitetit të keqperceptuar? Apo kur diga të jetë gati duke shpërthyer, kur lumenjtë e problematikës së tyre të dalin nga shtrati? Në Tiranë, në klinika vijnë ata që i ka ardhur kufiri te thana, ata të cilëve për një pikë uji u derdhet ena e plakur nga durimi. A e ndryshojnë dot mentalitetin gjithëpërfshirës, misionarët e dëshirës për të ndihmuar njerëzit në nevojë, apo t’ia lënë kohës të punojë efektivisht? A duhet të bëjnë apel si formë diktuese për zhvillimin e një mendësie tjetër? Të mendësisë se të shkosh te psikologu, jo vetëm që nuk “ke luajtur mendsh” por përkundrazi, të ndihmon ta shijosh jetën më efektivisht. Profesioni i nderuar i psikologut, në vitin 2015 në Shqipëri është ende në fazat e para të zhvillimit të tij. Ai ndërkohë ofrohet realisht në klinika serioze nga profesionistë të shëndetit mendor, por dhe në mjedise jashtë klinike, duke lënë etikën profesionale shpeshherë të punojë si një emigrant në të zezë. Sigurisht, kjo sjell dhe ç’ekuilibra të fushës dhe e bën më

pak cilësor trajtimin e klientëve. Ndaj njohja e rolit të psikologut, rritja e kulturës së individit për përmirësim të kujdesit dhe mirëqenies psikologjike, implementimi i strategjive për të pasur psikolog në çdo komunitet apo poliklinikë shëndetësore, ofrimi i shkollave të mirëfillta psikologjike, përmirësimi i kurrikulës në Fakultetin ku studiohet kjo disiplinë nga ku të dalin profesionistë të mirëfilltë; të gjitha janë elementë që së bashku ndikojnë pozitivisht në përmirësimin e funksionimit të psikikës së qytetarëve.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top