Marrëdhënie

December 18, 2017 | 10:29

Për dashurinë, me dashuri nga Parisi

Udhëtimi me avion bën që gjithmonë të presësh me kokë nga dritarja dritat e para. Sidomos kur udhëtimi ka qënë me turbulenca të vazhdueshme. Sepse nuk bëhesh dot shumë trime në 5767metra lartesi mbi tokë, e me shpejtësi minimale 606 kilometra në orë. Kështu që ato dritat e para përveç se janë vërtet një ndër pamjet më të bukura që të rezervon universi, të bëhen shenjë jete në ndonjë moment.
Ja ndjej mungesën lartësisë dhe ndjesisë që të jep ky lloj udhëtimi, andaj dhe gjithmonë e shijoj.

Anisa Zaqe, psikologe klinike, diplomuar në Francë dhe psikologe këshillimi, diplomuar në UT

Anisa Zaqe, psikologe klinike, diplomuar në Francë dhe psikologe këshillimi, diplomuar në UT

U riktheva për të tretën herë në këtë qytet. Këtë radhë ndihem sikur kam jetuar prej vitesh. Unë gjithsesi vij nga një qytet i vogël që nuk e njeh udhëtimin nëntokësor. Ndërkohë që këtu është mjeti kryesor. Në fillim më trembte, se të imponon të vraposh gjithë kohës, sikur je gjithmonë vonë. E këtë radhë rrëmuja e këtij vendi me 5 milionë banorë më riktheu qetësinë.

Bie shi pothuaj gjithmonë këtu. Edhe fryn shumë erë. Kjo e bën që të jesh pothuaj gjithmonë duke u shtrënguar e mbërthyer rrugëve të tij.
Ka disa gjëra që i kam parë sa herë kam ardhur, e besoj do i shoh gjithmonë. Nuk mungon kurrë një grua në moshë me një pallto bezhë, perla në qafë dhe kapele. Nuk ka rëndësi në cilën lagje je, do e gjesh patjetër një grua të tillë.
Ndoshta për faktin që e quajnë qyteti i dashurisë, edhe pse për mua nuk është ashtu, do ndeshesh me siguri me një çift me duar shtrënguar që lëshojnë dashuri në ajër.
Mund të jetë në ato pak qytete që rënia e shiut nuk do të thotë domosdoshmërisht përdorim çadre. Ndoshta sepse janë mësuar me të dhe s’ju bën më përshtypje.
Ah…edhe aroma e lirisë. Në këtë qytet liria ka aromë, ja ndjen. Bëhet e prekshme liria këtu, e shikon që nga rënia e gjetheve e deri tek dridhja e tokës nën këmbë nga trenat që nuk pushojnë kurrë.
Ka edhe një kolonë zanore. Do gjesh patjetër, qoftë edhe në një rrugicë, një artist rruge që me kitarë, a violinë, a trombë ndonjëherë, luan ‘La vie en rose’. Natyrshëm që të vjen të kërcesh nën ritmin e saj, por ndonjëherë mjaftohesh duke buzëqeshur.

1

Kjo buzëqeshja nuk ikën kollaj, qëndron ashtu stampuar, tek vërdallisesh rrugëve të qytetit. Duke ju drejtuar asaj që shpesh me shaka i jam referuar si shtylla e tensionit më e famshme në botë, se ngjan ashtu fiks, fillova të mendoj për dashurinë. Se, në të njëjtën kohë, kulla Eiffel, është simbol i romanticitetit. Një tjetër ngjarje që nuk mungon kurrë në Paris, është të marrësh pjesë në një propozim në barin e shampanjës tek kulla, apo poshtë kullës, apo tek Trocadero që ta kesh kullën mbrapa, sidomos në muzg kur sapo ka ndezur dritat. Në njërën prej tyre patjetër do jetë një djalë i ulur në gjunjë, që ka menduar gjithë udhëtimin për këtë çast (Nuk kam rastisur ende një vajzë të ulur në gjunjë… ).

Hëh…si të ul në gjunjë dashuria…Gjithmonë ja kam adhuruar pushtetin kësaj ndjenje.
Dashuria nuk njeh kufinj të asnjë lloj natyre. I kapërcen të gjithë ata.
Dashuria ta provon durimin, ta provon këmbënguljen, ti sfidon të gjitha frikërat një e nga një, të vë në provë gjithë kohës.
E përfytyroj gjithë kohës duke nënqeshur Dashurinë.  Ashtu siç e përfytyroj duke kërcyer e duke ndezur fishekzjarrë sa herë triumfon. Ose thënë më mirë, kur më së fundi triumfon, sepse dashuria gjithmonë triumfon. Unë e besoj fort këtë. Unë jam tifoze ëndërrimtare e pandreqshme e dashurisë. Nëse babagjyshi ka elfë, dashuria ka ndihmësit e saj, edhe unë e quaj veten patjetër një prej tyre. Do të luftoj gjithmonë për dashuritë që besoj, sepse pa to, asnjë Krishtlindje, asnjë festë, apo asnjë Eiffel i ndriçuar, nuk mund të sjell magji. Magjinë e sjell dashuria, Eiffeli maksimumi mund të ndihmojë në atmosferë.

Ndërsa bëja këtë refleksion me vete, ja ku erdhe edhe ti nëpërmjet telefonit. Tashmë buzëqeshja e Parisit ishte zhdukur, doli në pah buzëqeshja që mban emrin tënd. Buzëqeshja që më ndez sytë e çmendurinë e zemrës.
Filloj të qesh kur më lutesh që mos të lejoj Parisin të më rrëmbejë e të kthehem sërish tek ty. Mbyll telefonin duke qeshur, se kur të jemi ulur përballë me gotën e verës që do të sjell që këtu, nga ky shtet që më mësoi mua ta dua verën kaq shumë, do të të tregoj se si do kthehem gjithmonë tek ty, në emër të të gjitha kohërave që kalova duke të të kërkuar. Në emër të të gjitha provave të kaluara e frikërave të sfiduar a, në emër të të gjitha dyshimeve të mia, të cilat me dashuri i zhduke, qyteti im i dashurisë nuk do jetë asnjëherë Parisi, por e jona xhungël.

Do e kemi gjithmonë Parisin, për të na kujtuar që nuk ka një qytet për dashurinë, për të na kujtuar që të gjitha dritat e botës nuk mjaftojnë për të ndezur magjinë në zemra bosh.
Dashuria do të na shërojë, ajo është përgjigjja. Parisi, si të gjithë ne, është thjesht një elf i dashurisë!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top