Psikofakt

September 2, 2016 | 11:38

Për fëmijërinë…

Nga Edmond Tupja

Nga Edmond Tupja

Fëmijëria konsiderohet, në përgjithësi, si periudha më e lumtur e jetës së njeriut, si parajsa e humbur e tij (flasim për fëmijëritë normale). Charles Baudelaire-i e cilësonte atë si “parajsën e blertë të dashurive fëminore”, domethënë si periudhën kur krijesa e brishtë njerëzore nis e çelet, dashuron dhe gëzon jetën pa kokëçarje, e rrethuar me përkujdesje e dhembshuri, e marrë në ngarkim nga prindërit e shoqëria. Këtë parajsë njeriu do ta humbasë sapo fillon e ndërgjegjësohet për përgjegjësitë e veta, për detyrimet në familje, shkollë dhe shoqëri. A nuk ka thënë Antoine de SaintExupéry që “të jesh njeri, do të thotë të jesh i përgjegjshëm?” Kalimi nga fëmijëria në moshën e rritur, pra, në atë të përgjegjësive, bëhet me më pak dhimbje kur nuk digjen etapat e tij, etapa që Freud-i i ka përcaktuar fare qartë, siç na e kujton psikologia kliniciste Catherine Marchi kur i përmend ato: “narcisizmi fillestar, stadi i pasqyrës, ankthi i muajit të tetë, pozicioni depresiv, stadi anal, stadi falik, ai edipian dhe zgjidhja e kompleksit të Edipit…”.

Nëse ndodh që ndonjëra prej këtyre fazave të anashkalohet, atëherë vihet në rrezik vetë zhvillimi normal i fëmijës nga adoleshenca deri në moshën e pjekurisë.

Kështu, për shembull, është provuar se zvjerdhja tepër e parakohshme e foshnjës lë tek ajo gjurmë që do të përcaktojnë deri edhe devianca gjatë viteve në vijim. Gjithashtu, është vënë re që një numër personash me autizëm nuk kanë ecur, në fëmijërinë e hershme, këmbadoras, para se të ngriheshin në këmbë. Së fundi, njihen mjaft raste të rriturish me çrregullime të personalitetit ngaqë nuk e kanë zgjidhur ose e kanë zgjidhur pamjaftueshmërisht kompleksin e Edipit apo ndonjë tjetër kompleks. Rëndësinë e madhe dhe vendimtare që ka fëmijëria për të ardhmen e individit e ka nënvizuar bindshëm, para gati gjysmë shekulli, Dr. Fitzhugh Dodson, me një libër të quajtur “Gjithçka luhet para moshës gjashtë vjeç”, best-seller në SHBA, që ngjalli debate të zjarrta. Edhe sot, po të lundrosh në internet, konstaton çfarë perspektivash hapi ky libër jo vetëm për publikun e gjerë, por edhe për specialistët e fushës lidhur veçanërisht me rolin që luajnë pesë vitet e para të fëmijës në formimin e inteligjencës së tij si qenie shoqërore kur të jetë rritur, por pa mohuar pasurimin e shkallëshkallshëm të personalitetit të tij edhe pas moshës gjashtëvjeçare. Të gjithë kemi qenë fëmijë, pastaj adoleshentë dhe sot jemi të rritur dhe do të hyjmë apo tashmë kemi hyrë në moshën e tretë. Kështu që, nga përvoja, e dimë se brenda nesh ende fle një fëmijë, i cili, heraherës, zgjohet për të na thënë që, pavarësisht moshës sonë madhore, ende kemi vend për zhvillim, por në funksion të pesë viteve të para të fëmijërisë sonë. Le ta dëgjojmë zërin e tij dhe ta marrim në konsideratë edhe gjatë edukimit të fëmijëve tanë. Le ta dëgjojmë zërin e tij e ta marrim në konsideratë edhe gjatë edukimit të fëmijëve tanë, në mënyrë që këta, edhe pasi ta kenë humbur parajsën e tyre të blertë, ta njohin më mirë vetveten dhe të rriten gjatë gjithë jetës së tyre.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top