FB

December 4, 2023 | 6:16

Për kë bien kambanat e alarmit? Nëse një brez ndryshon mentalitetin për 25 vjet përse ne për 500 vjet mbetemi të tillë?

Nga Dr. Silvana Ago, antropologe

 

Ato bien për mua, për ty, e për të gjithë ata që kanë veshë të dëgjojnë. Pothuajse çdo javë në Shqipëri dhe Kosovë dëgjojmë një dhunim ose një vrasje të femrës shqiptare. Feminicidi si term rrjedh nga latinishtia ” omicidio” “vrasje “dhe “femini” “gra, femra “dhe do të thotë: vrasja e femrave.

kepucet

Feminicidi është një fenomen tronditës në vendin tonë. Dëgjojmë shumë shpesh vrasje e gruas, nënës për motive nga me banalet. Dhuna që hasim çdo ditë po kthehet në kulturë.

Sipas një teorie të antroplogjisë kulturore, një brezi i duhet të  ndryshojë mentalitetin të paktën për 25 vjet. Marrë shkas nga vrasja e vajzës kosovare dy ditë më parë dhe nga tronditja e opinionit gjerë. Nëse kthehemi pas në kohë, që nga kanuni i Lek Dukagjinit e deri më sot, gruaja është trajtuar gjithmonë si pronë e mashkullit, e babait ose e burrit. Nëse një brez ndryshon mentalitetin për 25 vjet përse ne për 500 vjet mbetemi të tillë???

Një shoqëri që vetëm përfiton nga gruaja. Një shoqëri e cila e sheh grua/femrën si send, si një objekt për të arritur qëllimet.

Kjo shoqëri e cila e trajton femrën ende në shekullin e XXI si plaçkë të një mashkulli nuk e ka problemin edhe ta vrasë. Madje edhe ta justifikojë vrasjen, ta fshehë dhe të mos ketë as një brehje të ndërgjegjes.

 

Lind pyetja çfarë e shtyn një burrë të vrasë një grua?

Psikologjia e lidh me pasiguritë në fëmijërinë e hershme, ndoshta me episodet e dhunës/traumës që ka parë. Por e parë në këtë prizëm, a justifikohet vrasja? Sigurisht që jo!

E nëse psikologjia trajton dhunën në fëmijëri si model rritjeje, ku ndoshta babai ka dhunuar nënën e ndoshta dhuna është pranuar nga e dhunuara, ky perceptim ka kaluar në normë kulturore brez pas brezi. Në trurin dhe psikikën e një njeriu të tillë vrasja dhe marrja e jetës shihet si diçka normale.

 

Antropologjia ndalet me shumë tek kultura ndër breza.

Jemi një vend i cili pranojmë dhunën si vlerë kulturore, jemi një shoqëri ku babai pranon vrasjen e vajzës dhe të motrës/gruas për atë që ata e quajnë moral.

Një shoqëri e rritur me dhunë nuk mund të sjellë progres kulturor, një shoqëri ku femra hesht, ku nëna i mëson vajzës të ulë kokën qoftë edhe për hatër të burrit.

Një shoqëri e cila i jep pushtet një mashkulli të veprojë pas kokës së tij pa patur frikë për pasojat.

Një shoqëri e cila i zgjidh problemet mes çiftit nëpërmjet vrasjes do pasojë vrasje të tjera.

 

Çfarë mund të bëjnë gratë, çfarë mund të bëjmë ne që jemi kyçi kryesor i edukimit?

T’i themi JO dhunës/vrasjes!

Së pari: T’i rrisim fëmijët tanë me dashuri për veten, të vlerësojnë egon e tyre.

Së dyti: T’i edukojmë ata të kërkojnë ndihmë tek ne dhe tek shoqëria kur ndjehen të dhunuar.

Së treti: T’i rrisim me besimin që dhuna nuk është zgjidhje.

Së katërti: T’i mësojmë ata që kënaqësitë në jetë arrihen përmes punës dhe jo përfitimit.

E ndërsa po shkruaja këtë artikull, gjithmonë dilnin pista të reja mbi vrasjen e kësaj vajze. A është e drejtë të merret jeta e dikujt për para?

Në ndihmë na vjen psikologjia e zhvillimit dhe ajo konjitive, çfarë ka ndikuar kaq keq në rritjen e një njeriu të tillë, tek i cili as marrja e jetës së gruas në sy të fëmijëve nuk mjafton?

Sipas psikologjisë, por edhe antrologjisë, njeriu kalon disa stade të cilat nëse nuk kalohen në mënyrën e duhur, rrisim një individ sociopat, i cili mund të shkojë deri aty sa për kënaqësitë e veta të marrë jetën e nënës së fëmijëve të tij.

Nuk di nëse mund të themi që shoqëria jonë po prodhon sociopatë të tillë me tendenca feminicide apo stadet e zhvillimit nuk janë plotësuar siç duhet tek ky fëmijë që në të ardhmen do të bëhet i rritur që s’do të ketë dhembshuri njerëzore.

E nëse një filozof i famshëm si Xhon Loku thoshte që fëmija është si dërrasa e zezë, ku një  i rritur mund të shkruajë çfarë të dojë, ai e emërtonte me termin”Tabularasa” atëherë kambanat bien për të gjithë ne, dhe sidomos për nënat: “Jepni dashuri!”

Shkruani mbi fëmijët tuaj vlerën e jetës dhe frymëzoi dashurinë për tjetrin.

Edukoni fëmijët me dashurinë për veten por edhe për tjetrin, jepuni vlera njerëzore dhe mësojini që jeta e tjetrit vlen po aq sa jeta juaj.

Një thënie italiane thotë “Mos e godit një femër as me një lule” e jo më t’i marrësh jetën.

Duke shpresuar që një ditë jeta e femrës, e gruas, të vlerësohet ashtu sikurse Zoti ia ka dhënë, misionin hyjnor të rrisë fëmijë e të edukojë breza.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top