“Në xhunglën sociale të ekzistencës njerëzore, nuk ka ndjesi të të qenit gjallë, pa një sens identiteti”- Abraham Maslow
Për të patur një sens Identiteti, nuk mjafton vetëm fakti i njohjes së emrit e mbiemrit që mbart çdo individ, por njohja e vetes me cilësitë, besimet, qëllimet e tiparet e personalitetit që e karakterizojnë e të cilat shfaqen përmes mënyrës si prezantohemi ( pamja , shprehitë e përdorura dhe ajo që bëjmë).
Përgatiti Rudina Koromani, Psikologe Klinike
Në psikologji quhet Sensi i Identitetit kur bëhet fjalë për individin, e kur flasim për një grup njerëzish diskutojmë identitetin kolektiv në këndvështrimin sociologjik. Nga vijmë, çfarë na dallon nga një kulturë tjetër? Ku po shkojmë?
Psikologjia konjitive i referohet Identitetit si kapacitet individual për vetreflektim dhe vetëdijesim ndaj vetes. Të njohësh Veten është një proces përtej njohjes së ngjyrës së syve të tua e tipareve të tjera fizike e të personalitetit- nevojitet pasja e një qëllimi.
Ku dëshiron të shkosh? Çfarë të bën të lumtur?
Për realizimin e qëllimeve nga ana tjetër nevojitet dhe njohja se si kërkon t’i realizosh këto qëllime, cilat janë parimet ku mbështetesh për të realizuar qëllimet e tua? Këtu çështja bëhet pak më e komplikuar, pasi individët sot udhëhiqen nga sisteme të ndryshme vlerash e parimesh e disa madje nuk kanë fare sisteme të tilla duke mbetur në stadet e konsumit e stanjacionit.
Kur individi i përmbush nevojat që i japin siguri e ngrohtësi (ka një punë që i jep të ardhura, ka një shtëpi e një familje) synon të përmbushi nevoja të tjera të cilat lidhen me Vetaktualizimin e potencialeve maksimale të vetes- kërkon të ketë Sukses, kërkon të lër një gjurmë, kërkon të bëhet i njohur, kërkon të respektohet, kërkon që Emri i tij të përmendet e të kujtohet gjatë dhe pas ekzistencës së tij.
Matematikisht, nga ana statistikore jo të gjithë mund ta arrijnë këtë gjë. Vlerësimi dhe vetaktualizimi i vetes së tyre janë dy stade që pak kush i arrin. Pjesa më e madhe e popullatës orientohen drejt plotësimit të nevojave fiziologjike për tu ushqyer, drejt nevojave të sigurisë (puna), e nevojave të dashurisë e përkatësisë (miqësia).
Vetëaktualizimi përfshin arritjen e potencialit të dikujt, por jo domosdoshmërisht prezantimi i tij/saj ka një imazh të këndshëm. Kështu, dikush mund të na duket i parealizuar, mund të na duket sikur humbet kohën, nuk kujdeset për veten, nuk ka makinë e nuk ka krijuar familje, i pasjellshëm dhe serish të vetëaktualizohet.
Nga studiuesit konsiderohet se më pak se 2% e popullsisë e arrin Vetaktualizimin, pjesa tjetër kënaqen me sigurimin e të ardhurave, një shtëpie, një makine, një mirëqenieje e krijimin e një familjeje. Shumica e njerëzve i realizojnë këto por, në një moment të jetës, pas realizimit të tyre, ato nuk janë mjaftueshëm. Çfarë u mungon?
Nevoja për rritjen e vetes nuk buron nga mungesa e diçkaje, por nga dëshira për t’u rritur si person. Fatkeqësisht, progresi i individit shpesh pengohet nga dështimi për të përmbushur nevojat e nivelit më të ulët. Përvojat e jetës, duke përfshirë divorcin dhe humbjen e një pune, një sëmundje mund të bëjnë që një individ të luhatet midis niveleve të hierarkisë. Prandaj, jo të gjithë do të lëvizin nëpër hierarki në një mënyrë të njëanshme, por mund të lëvizin përpara dhe prapa midis llojeve të ndryshme të nevojave.
Ajo drejt së cilës rendim varet dhe nga rrethanat e jashtme ose dallimet individuale tona. Për shembull, për disa individë, nevoja për vetëvlerësim është më e rëndësishme se nevoja për dashuri. Për të tjerët, nevoja për përmbushje krijuese mund të zëvendësojë edhe nevojat më themelore.
Mënyra që ka ndjekur individi për të plotësuar nevojat e mëparshme, të cilat kanë reflektuar sistemin e parimeve dhe vlerave të tij individuale, ndikon drejtpërdrejt në stadin e Vet-aktualizimit…. ka krijuar familjen por ajo nuk i jep ngrohtësi e dashuri, ka një punë por jo vetëm që nuk i jep kënaqësi por e streson, ka blerë shtëpi e makina e ka krijuar fuqi financiare por nuk Blen dot Respektin e masës apo Dashurinë pa kushte që i mungon teksa përpiqet të Vet-aktualizojë Identitetin e tij.
Një proces i tillë vetëdijesimi ndodh rrallë sot, teksa të gjithë vrapojnë e vrapojnë pa ditur se ku është Finishi…. Ku është ky Finish për ty?
Ku kërkon të shkosh?
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.