Në kohët që jetojmë, ku gjithçka lëviz me shpejtësinë e dritës dhe marrëdhëniet janë shpesh të mbështjella me filtra, maska virtuale dhe pritshmëri të kota, fjala “mik” ka filluar të humbasë peshën e saj të vërtetë. Ne kërkojmë besnikëri në një botë që shpesh harron çfarë do të thotë besim. Kërkojmë mirësi, por shpesh harrojmë ta ofrojmë. Kërkojmë të tjerët që të jenë ndryshe, ndërsa vetë mbetemi të njëjtë.

Aristoteli e kishte kuptuar shekuj më parë atë që shumë prej nesh e zbulojmë vonë: marrëdhëniet e sinqerta nuk janë çështje fati, por pasqyrë e vetes. Njeriu që di të jetë mik, që di të dëgjojë pa gjykuar, të ndihmojë pa interes, të dojë pa kushte, ai nuk e ka të vështirë të gjejë një shpirt të ngjashëm me të. Sepse energjia e mirë tërheq energji të mirë.
Në shoqërinë e sotme, ku gjithçka matet me vlerë materiale dhe ku suksesi personal shpesh ngatërrohet me vlerën njerëzore, të qenët “shok i mirë” është bërë një akt guximi. Kërkon ndershmëri, durim dhe mbi të gjitha vetëdije. Të kuptosh se marrëdhëniet e vërteta lindin vetëm aty ku ka autenticitet, aty ku nuk luhet rol, nuk mbahen maska dhe nuk kërkohet përsosmëri, por pranohen edhe dobësitë.
Ndoshta prandaj sot shumë njerëz ndihen të vetmuar mes turmave. Sepse më shumë kërkojnë “të duhurin” sesa përpiqen të bëhen vetë të tillë. Miqësia, dashuria, lidhjet e forta, të gjitha fillojnë brenda nesh. Brenda mënyrës si mendojmë, si ndjejmë, si i qasemi të tjerëve.
Në fund, nuk ka formulë më të thjeshtë se ajo që na la Aristoteli: Nëse dëshiron të gjesh një mik të mirë, bëhu vetë një i tillë! Sepse bota na pasqyron atë që jemi, jo atë që kërkojmë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

