Nga: Nora Malaj
Sociologe
Disa gjendje alarmante të frikës
Agorafobia: Është frika që na kapërthen kur ndodhemi në situata të tilla që e bëjnë të pamundur dhënien e ndihmës nga të tjerët. Si të tilla po përmendim:të qëndruarit vetëm në një urë, në lokale të mbyllura (kinema, teatër, ashensor, aeroplan etj.) por edhe në autobusë, metro e të rrethuar nga turma. Gjendje të tilla shoqërohen prej panikut.
Gjendja e panikut: Shfaqet si frikë e beftë, pa ndonjë arsye serioze, me intensitet të madh, që arrin kulmin brenda pak minutave dhe që nuk lidhet me situata frike apo me sende e dukuri që të frikësojnë. Simptomat më të zakonshme janë: ndjesia se po çmendemi, se po e humbasim vetëdijen, frika se po vdesim, parandjenja përndjekëse e një të keqeje të madhe që do të na ndodhë, takikardia e theksuar, zënia e frymës, shfaqja e të vjellave dhe marramendja.
Fobia specifike (e izoluar): Është tmerri që na pushton nga pamja e ndonjë miu, merimange por edhe nga lartësitë.
Gjendet obsesive e kompulsive: Janë mendime fikse që na mundojnë dhe përndjekin, na pengojnë të bëjmë jetë normale dhe shpesh na detyrojnë të ndërmarrim veprime aspak të arsyeshme dhe të padëshirueshme. Si shembull po sjellim neverinë deri në padurim që kanë disa për papastërtinë (paratë, sendet e huaja) të shoqëruar nga mania e larjes së shpeshtë të duarve, reagimi i sëmurë ndaj sëmundjeve ngjitëse, përsëritja e panevojshme e ndonjë fjalë apo togfjalëshi, verifikimi i përsëritur i derës së mbyllur, i sobës së shuar, i dritares së puthitur.
Fobia sociale: Shfaqet si frikë nga opinioni shoqëror, nga të qenit në qendër të vëmendjes së të tjerëve, nga frika mos bëhesh gazi i botës, nga tmerri i poshtërimit në sy të tjerëve. I sëmuri nuk pranon të ulet në vende publike, të hajë në restorante, i trembet takimit me përfaqësuesit e masmedias, i shmang argëtimit në vendet publike (në mbrëmje vallëzimi, diskoteka, në dasma).
Çrregullimet që lidhen me adaptimin: dhe shfaqen si shqetësime me natyrë emocionale që e pengojnë veprimtarinë normale të të sëmurit dhe që ndihen sidomos në ato kushte, kur atij i duhet që të adaptohet në situatat e krijuara si rrjedhojë e ndryshimeve thelbësore që i ndodhin në jetë, por edhe pas kalimit të gjendjeve stresuese. Gjendjet alarmante kanë një përhapje shumë të madhe në mjediset e sotme.
Frika është ndenja që na lind në prani të ndonjë rreziku real apo imagjinar, kur gjaku të ikën nga fytyra, frymëmarrja të shpeshtohet, të ngrijnë gjymtyrët dhe nuk je në gjendje që ta kontrollosh veten. Ajo shprehet si mospranim i prerë i asaj se cilës i trembemi dhe është një prej emocioneve tona më të fuqishme.
Frika e përndjek njerëzimin qysh prej zanafillës së vet, kanë ndryshuar vetëm disa raste dhe mënyra shfaqjeje të saj. Ne sot më pak ia kemi frikën hijeve dhe fantazmave, lugetërve dhe djajve, shtrigave dhe shtriganëve, por krahas tyre zunë vend vampirët dhe jashtëtokësorët.
Që të gjithë ne jemi të rrezikuar nga kjo sëmundje e cila shfaqet si reaksion i natyrshëm i të parëve tanë të largët ndaj botës rrethuese, të mbushur me të panjohura, fshehtësi e mistere, plot me rreziqe kanosëse, ende të pakuptueshme për ta. Pra, frikën, ne e mbartin në genet tona.
Disa luftojnë kundër frikës tërë jetën dhe dalin fitimtarë, kurse disa të tjerë dorëzohen përpara saj, o menjëherë, o gradualisht. Pra, frika ushtron një ndikim të madh në jetën tonë. Madje shumë më të madh nga ç’mund të duket në shikim të parë.
Frika dhe fobia janë dy gjëra të ndryshme: e para ka të bëjë me çastin, e dyta është një ndjesi që na përndjek.
Statistikat tregojnë se në praktikën mjekësore, numri i pacientëve me gjendje alarmante është më i madh se ai i pacientëve që vuajnë nga diabeti dhe nga astma bronkiale të marrë së bashku. Sipas të dhënave zyrtare, 9 % e popullsisë në botë vuan nga ndonjë gjendje alarmante kurse gjatë jetës së tyre gjendje alarmante u ndodhin rreth 25% të njerëzve. Frika, përvoja e kapërcimit të saj. Si ta mposhtim frikën? Mundi nuk është i madh. Ja si duhet vepruar:
1. Njihe frikën dhe bëhu i vetëdijshëm për të me gjakftohtësi. Mëso të arsyetosh, të mos thuash me lehtësi rrjedhën negative të mendimeve. Fillimisht do ta kesh të vështirë, por duhet detyruar vetja dhe sforcimi duhet bërë i ndërgjegjësuar.
2. Kupto ç’është frika dhe shkakun. Frika si ndjenjë e natyrshme që është i shfaqet njeriut që në vogëli, si frika nga rënia, nga zhurmat e forta etj. Ajo ka qëllimin e vet: i edukon njeriut kujdesin, aq të nevojshëm për sigurimin e jetës. Frika dhe kujdesi nuk janë e njëjta gjë. Në procesin e edukimit, shkollë, shoqëri apo punë, frika ose mposhtet me dhunë ose bëhet më e fortë pas kërcënimeve dhe trembjes së vazhdueshme.
3. Mos e humb vetëdijen. Nuk duhet parapërgatitur me paramendim për rrezikun e frikës, nuk i duhet sugjestionuar vetes frika. Frika nga e panjohura, sipas të gjitha gjasave, është lloji më i përhapur i frikës. Ndaj mëso të jetosh “këtu dhe tani”, në përputhje me të gjitha rrethanat konkrete, por edhe duke iu drejtuar përvojës më të mirë.
4. Depërto në situatën e frikës, duke vënë në përdorim të gjitha forcat e shpirtit, të arsyes, të ndjenjës dhe të veprimit në situatën konkrete, por jo me këshilla teorike. Më e mira e të mirave është të ndërgjegjësohesh për thelbin e frikës.
Botuar në revistën Psikologjia, Qershor 2010
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.