Kompozitori i madh i muzikës shqiptare, Aleksandër Lalo do përcillet sot me homazhe. Homazhet në nder të tij do mbahen në hollin e RTSH-së dhe nisin në orën 11:00, ndërsa në orën 13:00 kompozitori do përcillet për në banesën e fundit.
Lalo u nda nga jeta mbrëmjen e djeshme në moshën 68- vjeçare. Lajmin e dha miku i tij, Petrit Ruka me anë të një statusi në Facebook ku shkroi: “Miq po ju ju njofoj nga spitali Gjerman se sapo ndërroj jetë miku im me i afërt, kompozitori Aleksander Lalo… Dhembje pa fund”.
Mjeshtri i muzikës Lalo, njihej për karakterin rebel si edhe për faktin se ai gjithnjë si një profesionist i vërtetë ta thoshte të vërtetën në sy.
Kush ishte Aleksandër Lalo:
Aleksandër Lalo është një nga kompozitorët më në zë shqiptarë. Ai ka lindur më 27 prill të vitit 1949, në Tiranë, në një familje me origjinë nga Leskoviku. U diplomua në Fakultetin e Muzikës në Institutin e Lartë të Arteve, duke hyrë në radhën e kompozitorëve më të dashur shqiptarë.
Firmën e tij e mbajnë shumë kolona zanore të filmave shqiptarë, por edhe pjesëve teatrore si, “Treni niset në shtatë pa pesë”, “Dy herë mat”, “Një vonesë e vogël”, Shi në plazh”, etj. Ka kompozuar po ashtu këngë të muzikës së lehtë. Lalo ishte një nga zërat e rëndësishëm të muzikës shqiptare, një mbrojtës i muzikës së mirë dhe origjinale, duke kritikuar hapur degradimin e saj gjatë viteve të fundit.
Për komunikimin e tij të hapur dhe të drejtë, ai preferohej nga organizatorët e spektakleve të ndryshme muzikore, të cilët e preferonin në juritë e tyre. Jo rrallëherë kishte edhe konflikte, por të gjithë e donin Lalon. Së fundmi, ai ishte pjesë e spektaklit “C’est la vie”, të cilin e la në mes.
Në dhjetorin e shkuar, Presidenti i republikës, Bujar Nishani, e vlerësoi me titullin “Mjeshtër i Madh”, dhe ndërsa do të publikonte fotografinë e dekoratës, Lalo do të shprehej: “Titujt nuk i bëjnë të mëdhenj artistët, artistët e mëdhenj i japin kuptim titullit.”
Këto janë disa prej kompozimeve të Aleksandër Lalos:
- Tingujt e harresës (1996) (TV)
- Historiani dhe kameleoni (1989)
- Treni niset më shtatë pa pesë (1988)
- Dy herë mat (1986)
- Fjalë pa fund (1986)
- Asgjë nuk harrohet (1985)
- Fushë e blertë fushë e kuqe (1984)
- Era e ngrohtë e thellësive (1982) (TV)
- Një vonesë e vogël (1982)
- Shi në plazh (1982)
- Shtëpia jonë e përbashkët (1981)
- Thesari (1981)
- Gëzhoja e vjetër (1980)
- Nusja (1980)
- Vajzat me kordele të kuqe (1978)
- Tomka dhe shokët e tij (1977)
- Dimri i fundit (1976)
- Emblema e dikurshme (1976) (TV)
- Duke kërkuar 5-orëshin (1974)
- Odiseja e tifozëve (1972)
- Të shoh në sy(1986)
- Një gjeneral kapet rob (1980)
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.