Marrëdhënie

November 20, 2017 | 9:51

Të gjitha, edhe njëherë…

1

 

“Hajde ngrihu, ma jep dorën. E di që nuk e ke patur të thjeshtë. E ke patur më shumë se të vështirë rrugëtimin e deritanishëm. E di shpirt. Ta ndjej lodhjen në pafuqinë e shtrëngimit në përqafim. Ta shoh dhimbjen në sytë që mundohen aq shumë të qeshin kur më shohin. Nuk është nevoja të qëndrosh kaq stoik. Lëshoje frymën zemër. Boll shtrëngove nofullat. Lejoi vetes të ‘dobësohet’ qoftë edhe për pak.”

Anisa Zaqe, psikologe klinike, diplomuar në Francë dhe psikologe këshillimi, diplomuar në UT

Anisa Zaqe, psikologe klinike, diplomuar në Francë dhe psikologe këshillimi, diplomuar në UT

Këto të shkruaja pak më shumë se një vit më parë.

Ndërkohë që sot, më je kthyer në ‘bezdi’. Nuk po më le të shkruaj.

“Duhet të bëjmë gati pemën e të nxjerrim zbukurimet e vitit të ri.”- më thua teksa rrëmon në depo për të gjetur një Zot e di se çfarë.

Unë buzëqesh dhe nuk lëviz nga cepi im, me libra mbi krye e bllok mbi gjunj.

“Hajde pra !”
Këtë radhë ti ngre pak zërin për t’u siguruar që unë të dëgjoj e të lëviz.
Ngrihem me përtesë dhe afrohem.
“Çfarë ka?”
Më buzëqesh. Më shkel syrin. Dhe më zgjat qesen mbushur me globa e shirita zbukurimesh.
Harroj që në fakt doja të të thoja që është ende herët. Që nëse do i vëmë që tani zbukurimet, do na mërziten. Thjesht të shikoj, edhe humb. Humb në pafundësinë e syve të tu.
Aty ma kishe fshehur tërë paqen. Aty ma kishe fshehur gjithë lumturinë.

Të le të argëtohesh me zbukurimet, shkoj mbledh gjërat e mia për të ta lënë gjithë hapësirën që të duhet. Diku në cep të dhomës ku janë librat, më kap syri të gjithë albumet e fotografive. Filloj t’i shfletoj dhe shfletoj kështu gjithë jetën time para syve.

Më duket sikur jam përgatitur gjithë jetën për të qënë këtu sot. Që sot të them ty të kesh kujdes me globat e pemës, që je ti që ve yllin në majë, se sigurisht je më i gjatë se unë.

Shikoj fotot tona të para dhe kujtoj çdo gjë që na është dashur të jetojmë për tu zënë sot nëse dritat vihen të parat apo të fundit në pemë.
Ama do i kisha jetuar të gjitha edhe njëherë nga e para. Do i kisha jetuar të gjitha nervat, lodhjet e mërzitë. Sepse nuk kam besuar kurrë në det të qetë. Kam besuar gjithmonë se kjo jetë është bërë për më të guximshmit. Ndoshta çdo gjë ndodhi me ty e mua ish shkruar në yje. Ama, unë do jem gjithmonë krenare për mënyrën si ti sfidove veten, si ti forcove shpirtin të ringrihej, si ti vendose të rrezikosh sërish veten duke ma besuar në dorë zemrën.
Jemi këtu sot se ti nuk gabove duke rrezikuar, e as unë duke besuar në ty.

Më ke lënë mbi tavolinë një dhuratë të mbështjellë. E hap. Është fotoja jonë e parë, në një kornizë. Ngecur në anë kartolina:
“Sepse nëse s’je ti dashuria,
dashuria nuk ekziston!”

Buzëqesh.

Do t’i kishim kaluar të gjitha luftërat edhe njëherë,
do t’i kishim duruar të gjitha dhimbjet edhe njëherë,
sepse kjo jetë është bërë për më të guximshmit,
sepse nëse s’jemi ne dashuria, dashuria nuk ekziston!

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com