Nga: Fleura Shkëmbi
Falsititeti i zbeh të gjitha vlerat e sjelljes apo veprimeve, sepse herët apo vonë gjithkush do të dalë në gjenezën e vet dhe atëherë kalaja prej rëre do të shembet nga vala e ujit.
Duket sikur vetëm ndodhitë e mëdha na trembin, na ndryshojnë, na japin energji apo na habisin! Harrojmë dhe zhytemi në përditshmërinë tonë, duke u përfshirë si në një rrymë të një lumi që rrjedh. Futemi në lum për t’u larë dhe pa dashur gjendemi në rrjedha të qeta apo të vrullshme të lumit, në vende të cekëta apo në vorbulla të tij. Shpesh hyjmë dhe jemi me njerëz të tjerë, por ndoshta edhe vetëm. Në rastet që jemi me të tjerë do të na duhet të shikojmë dhe të ndikohemi nga reagimi i të tjerëve, të përballemi me frikërat tona, të detyrohemi nga rrethanat të bëjmë edhe sjellje të cilat nuk do të kishim mundur t’i bënim në situata të tjera.
Ky është udhëtimi një dite të zakonshme nga jetët tona. Në ditë me diell jemi të gjithë të lumtur e jemi në breg të lumit të qetë e të gëzuar; mund të sillemi më me qetësi edhe me të tjerët, ndërsa në ditët e rrëmbyera të lumit del dhe shfaqet personaliteti ynë i vërtetë dhe e pavetëdijshmja fillon dhe reagon më fort sepse e vetëdijshmja e ka humbur forcën për të mbrojtur, kamufluar veten. Dhe ja ku shfaqemi të vërtetë: del vetja jonë!
A do të ikim me nxitim dhe të shpëtojmë veten apo do shikojmë përreth nëse dikush ka më shumë nevojë për ne? Ka njerëz të cilët mund të kenë edhe mundësi për të dhënë ndihmë dhe përsëri rrinë larg dhe nuk marrin përsipër asgjë, ndërkohë ka edhe të tjerë si bashkëshorti sirian, i cili pasi nxori gruan e vet nga barka dhe e siguroi, hoqi jelekun e shpëtimit dhe ia dha një femre tjetër sepse vet mendoi se do t’ia dilte në valët e detit.
Nëse ndodhemi në një situatë të tillë dhe jemi vëzhgues, cilën sjellje do të brendësonim? Cila ka më shumë vlera për ne qeniet njerëzore?
Përditë jemi në udhëtim jete. Do të shoqërohemi, do të shkëputemi, do të ndahemi në degëzime të ndryshme të lumit jetë, por ajo që ka ma shumë vlerë është përjetimi, ajo që ndjejmë mbetet përgjithmonë!
Përjetimi është energji, e cila do të ndryshojë jetën e personit që e jep dhe të atij që e merr. Ashtu si rrjedha e një lumi që vazhdon çdo ditë edhe nëse del dielli, karshi furtunave, ashtu është edhe jeta, ka vazhdimësinë e saj, e rrethuar nga njerëzit e njohur apo të panjohur, të ri një në këtë rrugëtim apo të ritakuar pas një shkëputjeje. Në këtë rrugëtim takohemi me të tjerë, por pyetja është nëse mësojmë prej tyre apo thjesht t’i imitojmë sepse duam të jemi “si ata”? Sa shpesh gjendemi dhe përballemi me njerëz të cilët i admirojmë për mirësinë, vlerat dhe sjelljet e tyre, të cilat do të donim t’i kishim edhe ne apo në raste të tjera kur ka brenda një imitim fals, sepse kemi parë dikë që ka pasur sukses nga një sjellje e caktuar dhe po atë gjë do të arrijmë edhe ne po të sillemi në të njëjtën mënyrë! Megjithatë, ajo që nuk është e vërtetë dallon gjithmonë. Falsititeti i zbeh të gjitha
vlerat e sjelljes apo veprimeve, sepse herët apo vonë gjithkush do të dalë në gjenezën e vet dhe atëherë kalaja prej rëre do të shembet nga vala e ujit.
Jetojmë në një kohë kur vlerësohet fasada, sepse ajo është e dukshme, por unë vazhdoj të besoj thellë se njeriu ka nevojë për atë që është e padukshme, për atë që ndihet dhe që nuk mund ta shprehësh me fjalë, për atë të cilën ti e përjeton dhe të bën të lumtur, për atë ndjesi e cila të bën të besosh se qenia njerëzore është e tillë, e bukur në shpirt. Në lundrimin e jetës do të ketë patjetër rryma të forta, por ne jemi dizajnuar në mënyrë të atillë që t’i bëjmë ballë këtyre sfidave, sepse ne jemi lum të cilit sado pengesat i vënë përpara, përsëri do të përfundojë në destinacionin e vet, në det!!!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.