Editorial

November 24, 2015 | 13:25

Gjuhëdashës

Orjona TresaNga Orjona Tresa

Viti i ri shkollor nisi në messhtator. Por bashkë me urimin për një fillim të mbarë, si gjithmonë ka dhe nga pak helm për problemet që kurrë nuk mbarojnë. I pari është alterteksti. Mesa duket do të durojmë edhe ca për të përmbysur tekstet nga e para e për t’i bërë ato më cilësore. Por tek e fundit e mira pret, gjithmonë. Duket se falë këtyre shprehjeve frazeologjike na duhet të mbajmë ndezur dhe entuziazmin.

Mbase nuk na ka mbetur dhe gjë tjetër…

Duhet ta shkëputim mendjen nga mendimet negative. Shpresa shëron. Eh, po deri kur ama? Si t’ia bëjmë kur ndodh që keqpërdoret e na shëmtohet edhe ajo që e kemi ndër vlerat e rralla, gjuha shqipe? Nuk e kam për të folurën, se ajo është liri e të shprehurit me të gjitha dialektet që ta ka ënda, por tek e shkruara, ajo që dukshëm po e humbasim dita-ditës e që më dhemb ta pranoj si fakt.

… Jam duke shfletuar me sy. Kudo ku kaloj, lexoj emrat e lokaleve, tabelat elektronike, parullat propagandistike. Nuk bëj shaka. Kështu më ndodh kur jam në lëvizje. Nuk lë gjë pa lexuar. Edhe pse një pjesë e tyre janë në gjuhë të huaj, m’i has syri pa e pasur ndërmend. Nuk ka rëndësi prejardhja, por kur është në shqip kujdesem ta shqiptoj siç duhet me mendjen time. Eh, por sa gabime gjej? Nuk e mbaj veten për eksperte, njohëse të thellë të gjuhës shqipe. Megjithatë edhe për kaq sa di e ndjej se baza, ajo që çdo shqiptar duhet ta ketë të vetën në të shkruar, çalon. Madje çalon rëndshëm.

Po ja, nga u ngacmova për qortimin në fjalë. Te një prej institucioneve të edukimit parashkollor në vend, fjala “kopsht” ishte shkruar “kopësht”. E njëjta pasaktësi ndodh dhe me fjalën “shqiptar” e cila shkruhet “shqipëtar”. Lëre pastaj ç’bëhet më tutje. Mendoni se sa e sa të tjera emërtime janë stampuar me probleme në drejtshkrim te dyert e institucioneve publike dhe jo vetëm. Në shkresa e formularë zyrtarë.

I kujt është faji sipas jush?

Mendoni se brezi, në fakt brezat e dy dekadave e gjysmë, po edukohen në një mjedis ku shqipes po i tronditen themelet! Akademiku i njohur, Prof.Dr. Xhevat Lloshi jo rastësisht e quan “nakati” dëmin që po i bëhet gjuhës shqipe. E këtu e ka fjalën për gjuhën e veprimtarisë shtetërore-administrative, së cilës i lind ngutshëm nevoja për të përcaktuar modelet e akteve dhe shkresave, bashkë me terminologjinë e sferës përkatëse. Po i referohem sërish këtij gjuhëtari të njohur kur ai flet për domosdoshmërinë e botimeve dhe ribotimeve specifike për punonjësit e të gjitha llojeve të zyrave, duke kërkuar që ato të jenë detyrim. Pa lënë mënjanë mësuesit, për të cilët pa asnjë sens humori thotë se: “është turp t’i dëgjosh kur flasin vetë në klasë dhe si pastaj do të mësojnë prej tyre nxënësit”.

E pra, a ka ardhur koha të bëhemi bashkë e të mendojmë seriozisht për thesarin e çmuar që kemi, gjuhën tonë? A ka ardhur koha të pendohemi për këto vite tranzicion ku askush nuk e ka patur mendjen te gjuha shqipe, a ka ardhur të koha të bindemi dhe pranojmë se duhet të jemi më gjuhëdashës e të korrigjojmë veten në çdo fjalë që shkruajmë?!

Unë besoj se po!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top