Mirëqenie

October 21, 2016 | 8:49

Përdorimi dhe efektet e limonit

Limoni vlerësohet për vetitë dezinfektuese dhe kundër hemorragjisë. Për qëllime mjekësore përdoren lëkura dhe lëngu i limonit.

Anila Kalleshi Dietologe

Anila Kalleshi
Dietologe

Lëkurat, pasi qërohen nga pjesa e bardhë sfungjerore e brendshme, thahen me kujdes në sobë, në temperaturë deri në 40°C. Në temperaturën e zakonshme nuk thahen, pasi myken nga lagështia e mjedisit. Limoni përmban acid askorbik (vitaminë C), vitamina P, B dhe karoten, acid citric, sheqer dhe në lëkurë ka vaj eterik.

Limoni jep efekt të dukshëm në hipovitaminozat dhe avitaminozat

Limonat konsiderohen si ilaçi më i mirë antiskorbutik dhe duhet të përdoren nga të gjithë. Në gjendje gripale përdorini kështu:

Merrni një kokërr limoni dhe lëngu i tij shtrydhet në një gotë. Hidhni një filxhan me raki rrushi të ngrohur më parë dhe përziejini. Thërrmohen dhe hidhen në gotë 1-2 kokrra aspirinë. Lëngu i përgatitur pihet njëherësh i ngrohtë, 2-3 orë para ose pas buke.

Limoni ka veti të mira tretëse në stomak, është freskues i këndshëm dhe nxit oreksin që mund të jetë ndalur nga sëmundje të ndryshme. Në sajë të vetive rrudhëse dhe antitoksike, lëngu i limonit përdoret me efekt kundër barkut dhe diarresë, me pak ose pa sheqer. Rezultate të mira ka dhënë lëngu i limonit gjatë përdorimit kundër acarimeve të mukozës së gojës dhe të grykës, duke bërë larjen dezinfektuese në formë gargarash.

Në rastet e acarimit ose qelbëzimit të bajameve, përgatisni këtë kurë: një kokërr limoni me madhësi mesatare, pritet në mes në drejtim të gjerësisë dhe të dyja gjysmat vendosen në një pjatë mbi zjarr derisa të ngrohet lëngu që përmbajnë. Pastaj, nga pjesa e prerë, të dyja gjysmat, të ngrohta, vihen në të dyja anët e qafës, në vendet mbi bajamet, lidhen me garzë dhe lihen aty derisa të ftohen. Ky veprim përsëritet për 2-3 ditë, në darkë para gjumit.

Limoni përdoret edhe për shërimin e sëmundjeve të mëlçisë
Për 20-30 ditë rresht, çdo ditë në mëngjes, një orë para buke, pihet lëngu i një kokrre limoni së bashku me një lugë gjelle vaj ulliri dhe një lugë gjelle mjaltë. Kjo këshillë përdoret edhe nga organizmat e dobësuar, ata që kanë kaluar ndonjë sëmundje, për rivendosjen e oreksit dhe të shëndetit të tyre. Këshilla e përmendur jep rezultate të mira kundër sëmundjes së verdhëzës.

Limoni ka veti të mira diuretike

Lëngu i tij përdoret me efekt në luftimin e gurëve të veshkave dhe të fshikëzës urinare. Për këtë qëllim, duhen konsumuar 2-4 kokrra limoni çdo ditë për një periudhë prej 1-3 muaj. Edhe lëvozhga e frutave (lëkura) ka gjetur mjaft përdorime. Ajo përmban vaj esencial, alkoole të ndryshme, vitaminë A, B1 etj. Vaji esencial ka aftësi për të vrarë bakteret, si dhe për të ndaluar veprimtarinë e tyre.


Kundër reumatizmës përdoret me efekt këshilla e mëposhtme:

Merren 1-2 kokrra limon dhe pasi lahen mirë, pa hequr lëvozhgën, grihen në rende. Brumi i fituar, pasi i shtohet 1-2 lugë kafeje sheqer, hahet esëll në mëngjes ose në orët e pasdites. Ky veprim përsëritet çdo ditë për 20-30 ditë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top