Vetëbesimi është çelësi kur bëhet fjalë për të folurit në publik, dhe gjithçka lidhet me zakonet që kemi. Besoni ose jo, ndonjëherë mund të jemi duke sabotuar vetëbesimin tonë pa qenë të vetëdijshëm.
E shihni, ka disa zakone që minojnë aftësinë tonë për të folur me siguri përpara të tjerëve. Hapi i parë për t’i lënë pas këto zakone është t’i identifikojmë ato. Në këtë artikull do të flasim për 10 zakone që duhet t’i largosh nëse dëshiron të përmirësosh vetëbesimin dhe të bëhesh një folës i aftë e i bindshëm.
1.Mendimi negativ për veten
Le ta fillojmë me një nga shkatërruesit më të zakonshëm të vetëbesimit: mendimi negativ për veten. Je kritiku më i madh i vetes, dhe kjo ndodh shpesh, sidomos kur bëhet fjalë për të folurit në publik. Mendime si “Nuk jam i mirë në këtë” ose “Do të më tallin” të frenojnë dhe të pengojnë të shprehesh lirisht. Çelësi është të jesh i vetëdijshëm për këto mendime dhe t’i zëvendësosh ato me pohime pozitive. Thuaji vetes: “Jam i aftë”, “Po përmirësohem çdo herë që flas”.
Ndryshimi nuk ndodh brenda natës. Ji i duruar me veten dhe festo çdo përparim, sado i vogël të jetë.
2.Shmangia e kontaktit me sy
Një zakon tjetër që të pengon të dukesh i sigurt është mosruajtja e kontaktit me sy. Shumë prej nesh, nga ndrojtja apo frika, shmangim të shikojmë audiencën në sy dhe përqendrohemi te letra apo dyshemeja. Por kjo të bën të dukesh jo i sigurt, madje edhe i pasinqertë. Praktiko ruajtjen e kontaktit me sy gjatë bisedave të përditshme, dhe me kohë kjo do të vijë natyrshëm edhe gjatë fjalimeve.
3.Të flasësh shumë shpejt
Kur jemi të emocionuar apo të shqetësuar, kemi prirjen të flasim me nxitim. Por e vërteta është se një ritëm i ngadaltë dhe i kontrolluar të bën të dukesh më i sigurt dhe më i qartë. Kur flet me qetësi, audienca ka më shumë mundësi të kuptojë dhe ta përthithë mesazhin tënd. Mos harro të marrësh frymë thellë dhe të bësh pauza kur është e nevojshme.
4.Përdorimi i fjalëve mbushëse
Fjalë si “ëëh”, “dmth”, “si me thënë”, “pra” e të tjera të ngjashme janë armiqtë e qartësisë në të folur. Zakonisht i përdorim kur nuk jemi të sigurt apo kur po mendojmë ç’të themi më pas. Por nëse i përdorim shpesh, krijojmë përshtypjen e pasigurisë dhe mungesës së përgatitjes. Regjistroje veten kur flet dhe identifiko fjalët që i përdor më shpesh. Pastaj, praktiko të bësh pauza në vend që të mbushësh boshllëqet me fjalë të kota.
5.Mungesa e praktikës
E thjeshtë, por thelbësore: praktika bën mjeshtrin. Shumë njerëz mendojnë se mund t’ia dalin në moment pa përgatitje, por edhe folësit më me përvojë kalojnë orë të tëra duke ushtruar. Praktika të ndihmon të njohësh më mirë materialin, të ulësh ankthin dhe të ndihesh më i sigurt. Mësoje fjalimin tënd dhe praktikoje disa herë para ditës së madhe.
6.Frika nga gjykimi
Shumë prej nesh i tremben asaj që do të mendojnë të tjerët: “Po sikur të gaboj?”, “Po sikur të mos u pëlqej?”. Kjo frikë të bllokon. Por realiteti është që të gjithë bëjnë gabime, dhe gjithmonë do ketë dikë që nuk do të jetë dakord me ty. Mos u përqendro te frika nga gjykimi, përqendrohu te vlera që po sjell. Ji vetvetja dhe lëri njerëzit të dëgjojnë zërin tënd të vërtetë.
7.Refuzimi i kundërpërgjigjes
Ka qenë një kohë kur mendoja se nuk kisha nevojë për komente nga të tjerët. Por u gabova. Kundërpërgjigjja është thelbësore për rritjen. Na ndihmon të kuptojmë se çfarë funksionon dhe çfarë jo. Mos e merr personalisht kritikën, shikoje si një mundësi për përmirësim. Pyet kolegë, miq apo anëtarë të audiencës për mendimin e tyre. Përfito nga çdo sugjerim që të jepet.
8.Përpjekja për të qenë i përsosur
Perfeksioni mund të duket si qëllimi përfundimtar, por në të vërtetë është një armik i vetëbesimit, sidomos kur bëhet fjalë për të folur në publik. Kur synon të jesh i përsosur, i vendos vetes presion të panevojshëm, gjë që rrit ankthin dhe ndikon negativisht në performancën tënde. E vërteta është se audienca nuk pret që të jesh i përkryer. Ata janë aty për idetë e tua, për energjinë që sjell dhe për këndvështrimin tënd unik. Prandaj, në vend që të përpiqesh të jesh perfekt, syno të jesh autentik. Ji i vërtetë, ji vetvetja dhe prano papërsosmëritë e tua. Kjo jo vetëm që rrit vetëbesimin tënd, por krijon edhe lidhje më të fortë me audiencën.
9.Nënvlerësimi i gjuhës së trupit
Fjalët janë të rëndësishme, por nuk janë mënyra e vetme si komunikojmë me audiencën. Trupi flet po aq, ndonjëherë edhe më shumë se fjala. Qëndrimi, gjestet, shprehjet e fytyrës, të gjitha këto ose mund të përforcojnë mesazhin, ose ta dobësojnë atë. Për shembull, nëse përkulesh apo mban duart e kryqëzuara, mund të dukesh i pasigurt. Në të kundërt, qëndrimi drejt dhe gjuha e hapur e trupit përcjellin vetëbesim dhe e mbajnë audiencën të angazhuar. Kushtoji vëmendje gjuhës së trupit. Përdor gjeste për të theksuar pikat kyçe dhe sigurohu që shprehja jote e fytyrës të përputhet me atë që po thua. Kjo do të bëjë që fjalimi yt të jetë më bindës dhe më i fuqishëm.
10.Mospasja besim në vetvete
Në fund të ditës, pengesa më e madhe ndaj vetëbesimit tënd mund të jetë mungesa e besimit në vetvete. Është thelbësore të besosh se ke diçka me vlerë për të ndarë dhe se je në gjendje ta bësh këtë në mënyrë efektive. Heshte zërin e dyshimit dhe zëvendësoje me bindjen se ti mundesh. Je shumë më i aftë sesa mendon. Kur ta besosh vërtet këtë, do ta shfaqësh vetëbesimin në çdo hap që bën.
Mendime përmbyllëse
Të folurit në publik është një art dhe një aftësi, dhe si çdo aftësi tjetër, kërkon praktikë, durim dhe besim. Nuk ka ndonjë ilaç magjik që të bën menjëherë një folës të sigurt. Por është një udhëtim që ia vlen me mësime, gabime dhe rritje personale.
Ji i butë me veten gjatë këtij rrugëtimi. Do të ketë herë që do të gabosh, do të ngatërrohesh, dhe ndonjëherë do të dyshosh në vete. Por çdo rrëshqitje është një hap më afër për t’u bërë një folës më i mirë.
Siç ka thënë Mark Twain: “Ekzistojnë vetëm dy lloje folësish në botë: ata që janë të nervozuar dhe ata që gënjejnë.” Pra, nëse ndihesh i nervozuar, je në shoqëri të mirë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.