FB

May 13, 2025 | 16:30

Përse jemi supersticiozë dhe si ndikon supersticioni te njerëzit?

 

 

Nëse ndonjëherë ke vendosur të mos lash rrobat të hënën nga frika se “sjell ters”, apo ke mbajtur një hajmali në xhep për “t’u ndier më i sigurt”, atëherë je pjesë e një dukurie shumë të përhapur: supersticionit.

silvana-uka-465x620

Supersticioni është i rrënjosur në përditshmërinë tonë shpesh edhe pa qenë të vetëdijshëm për të, kjo duke filluar që nga besimi se hedhja e kripës pas shpine ndal fatin e keq, apo deri te shmangia e numrit 13 si një numër tersi.

Edhe pse jetojmë në një epokë informacioni, ku shkenca ofron shpjegime për shumicën e fenomeneve, përsëri, shumë prej nesh nuk hezitojnë të kryejnë një veprim simbolik në “çdo rast”. A është ky një paradoks i njeriut modern? Apo një nevojë e natyrshme e mendjes sonë për të kuptuar dhe kontrolluar një botë të pasigurt?

 

Po çfarë e nxit supersticionin dhe çfarë funksioni ka ai në mendjen tonë?

Një nga arsyet themelore që njerëzit zhvillojnë sjellje supersticioze është nevoja për të patur kontroll. Në psikologji, kjo lidhet me konceptin e kërkimit të rendit në një univers të paparashikueshëm. B.F. Skinner, psikolog i njohur amerikan, kreu një eksperiment me pëllumba, ku vërejti se ata përsërisnin sjellje të rastësishme sepse rastisnin të shpërbleheshin me ushqim.

Edhe kur lidhja mes sjelljes dhe shpërblimit ishte thjesht rastësore, pëllumbat krijuan “rituale” të vogla ku besonin se këto rituale do të sillnin ushqimin e tyre.

E njëjta gjë ndodh dhe me njeriun. Nëse dikush ka veshur një palë çorape të kuqe ditën që ka fituar një konkurs, ka shumë gjasa që ato çorape të konsiderohen “fatsjellëse” dhe të përdoren përsëri në raste të rëndësishme. Gjithashtu, supersticioni shpesh shërben si një mekanizëm psikologjik për të ulur stresin dhe për të rritur ndjesinë e sigurisë. Në situata të pasigurta — si provimet, garat apo intervistat — mendja kërkon mënyra për të qenë i sigurtë.

Një studim i publikuar nga Universiteti i Këlnit në vitin 2010 tregoi se pjesëmarrësit që përdorën një objekt “fatsjellës” përpara një sfide, kishin më shumë vetëbesim dhe performancë më të mirë se ata që nuk e bënë këtë gjë. Ritualet, edhe nëse nuk kanë ndikim real, krijojnë një strukturë psikologjike që lehtësojnë ankthin. Ato janë  një formë vetë-qetësimi dhe sigurie për njerëzit të cilët  besojnë në rituale.

supersticion1

Jo të gjithë njerëzit janë njëlloj supersticiozë. Psikologët mendojnë se:

  • Nivelet e larta të ankthit dhe pasigurisë personale
  • Tendencat drejt mendimit magjik, dhe
  • Faktorët kulturorë dhe familjarë, janë disa tregues që ndikojnë tek njerëzit të cilët besojnë në supersticion. Për shembull, supersticioni shfaqet shpesh tek individët që përballen me ndjenja të forta të pasigurisë, apo; në shumë kultura, përfshirë dhe atë shqiptare, fëmijët rriten duke dëgjuar shprehje të tipit “mos e hap çadrën brenda”,“mos shiko pasqyrën natën”,”hyr me këmbë të djathtë” etj.

 

A është supersticioni në shoqërinë moderne një bashkëjetesë apo kontradiktë?

Edhe në një botë të dominuar nga teknologjia dhe shkenca, supersticioni nuk po zhduket — përkundrazi, po bashkëjeton me njerëzit. Sportistë të njohur, politikanë, aktorë, e madje edhe njerëz të fushës së shkencës, kanë ritualet e tyre “të fatit”. Duket se logjika dhe mendimi racional nuk e përjashtojnë nevojën për siguri emocionale. Kjo dëshmon se supersticioni nuk është thjesht mungesë informacioni, por ndonjëherë është zgjidhje psikologjike për një shqetësim të brendshëm.

Por supersticioni mund të bëhet dhe një problem.

Edhe pse për shumë njerëz supersticioni është një zakon i padëmshëm apo një mënyrë për të menaxhuar stresin, në disa raste ai mund të kalojë kufijtë e sjelljes normale dhe të shndërrohet në një problem serioz psikologjik. Një formë ekstreme e supersticionit është kur ritualet apo besimet fillojnë të dominojnë mendimet dhe sjelljet e përditshme. Kjo ndodh shpesh në rastet e çrregullimit obsesiv-kompulsiv (OCD), ku individi ndjen ankth të fortë nëse nuk kryen një veprim të caktuar — pavarësisht se është i vetëdijshëm që nuk ka ndonjë lidhje reale shkak-pasojë. Për shembull:

Një person mund të ndiejë nevojën të hapë dhe të mbyllë derën 7 herë para se të dalë nga shtëpia, nga frika se “do ndodhë diçka e keqe”.

Dikush tjetër mund të mos marrë një vendim të rëndësishëm nëse “nuk e ka veshur bluzën me fat”, edhe kur kjo e pengon në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Njerëz të tjerë mund të shmangin vazhdimisht veprime të përditshme si prerja e thonjve të dielën apo fillimi i një pune të re në një ditë “të pafat”, duke humbur mundësi jetësore dhe të vlefshme.

Në raste të tilla, supersticioni nuk është më një ndihmë, por kthehet në një burim ankthi, shtypjeje emocionale, dhe bllokimi funksional. Ai mund të çojë në izolim social, ndjesi faji apo ndëshkimi, dhe një ndjenjë të vazhdueshme frike nga pasojat “e padukshme”.

supersticion

Psikologët klinikë e përshkruajnë këtë si një kalim nga “supersticioni kulturor” (i përhapur në shoqëri, shpesh i padëmshëm) në supersticion patologjik, ku ai shndërrohet në një detyrim irracional që ndikon në cilësinë e jetës. Në të tilla raste, rekomandohet ndihma profesionale — si terapia konjitive-bihejviorale (CBT), e cila ndihmon individin të kuptojë mendimet irracionale dhe të zhvillojë strategji për t’i sfiduar ato. Gjithashtu, ekspozimi i kontrolluar ndaj situatave që shkaktojnë frikë, pa kryer rituale, mund të ndihmojë në uljen graduale të varësisë nga supersticioni.

Në fund të fundit, supersticioni është më shumë sesa një zakon i trashëguar. Ai është një reflektim i përpjekjes së pandërprerë të mendjes njerëzore për të kuptuar, për të kontrolluar dhe për të qenë i sigurt në një realitet shpesh të paqartë. Ndonjëherë, të besosh se “rrobat nuk duhen larë të hënën” mund të mos ketë asnjë bazë shkencore, por mund të ketë një funksion të rëndësishëm psikologjik.

Nuk është problemi nëse supersticioni është i vërtetë apo jo, por se çfarë nevoje të brendshme plotëson ai në qenien tonë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top