Dëshmi

February 23, 2018 | 13:09

Pesha e edukimit në komunikim

 

“Duhet t’i japim edukimit të komunikimit vendin jashtëzakonisht të rëndësishëm që ai ka në çdo hap të jetës tonë”. I këtij mendimi është një prej personazheve të njohur të vendit, Prof.Dr.Arben Malaj, i cili ka një mesazh që sipas tij, duhet të jetë bazik edhe i ndërtuar në bërthamën e familjes. “Angazhimi i familjes, edukimi i prindërve që ata të edukojnë fëmijët, trajnimi i stafeve në administratën publike dhe sektorin privat, janë element konkretë të sfidës së një komunikimi sa më efikas”.

Prof.Dr.Arben Malaj

Prof.Dr.Arben Malaj

Komunikimi është sot një element me vlerë jetike në jetën e përditshme midis individëve, por edhe në çdo raport tjetër, siç mund të përfshijmë, komunikimin në familje, komunikimin e administratës publike me publikun, mësuesit me nxënësin dhe anasjelltas, komunikimi i mjekëve dhe stafit mjekësor me pacientët e tyre dhe anasjelltas. Sot mundësia për komunikim të drejtpërdrejtë apo të fokusuar, është rritur ndjeshëm nga rrjetet sociale.

Sot kemi aplikacione që e lehtësojnë komunikimin pa asnjë kufizim aksesi dhe distance. Rëndësia e komunikimit publik është rritur ndjeshëm, si për të paraqitur ide, ambicie, projekte të reja dhe për të menaxhuar më mirë krizat sociale, ekonomike dhe politike. Rëndësia e komunikimit publik konsiderohet sot jetike për të komunikuar politikat ekonomike, siç janë ato të bankave qendrore dhe për politikat fiskale.

Po kështu, lehtësimi i komunikimit nëpërmjet internetit, Facebook, Google, Twitter, What’sapp, Facetime, Viber dhe çdo mundësi tjetër, është shkurtuar ndjeshëm koha dhe kostoja e komunikimit edhe në sektorin privat. Kjo ka bërë të ecë shumë shpejt globalizimi i tregjeve, rritja e volumit të shkëmbimeve tregtare, janë rritur fitimet nga globalizimi i tregjeve dhe shërbimeve i shoqëruar fatkeqësisht edhe me rritjen e pabarazisë.

Zgjerimi i komunikimit online ka disa efekte pozitive në demokratizimin e dijes dhe të parasë. Ndoshta një tregues i efekteve të shpejtësisë së informacionit, kuptohet kur mësojmë se kur përdorej radio për të komunikuar me 50 milion banorë, duheshin 38 vite, ndërsa nëpërmjet Facebook dhe Google, koha ka zbritur në 1 muaj.

Cilët gjykoni si shkaktarë?

Lidhur me problemet e komunikimit shoqëror, edukimi familjar, edukimi në sistemin arsimor dhe edukimi në sektorin publik dhe privat kanë peshën e tyre. Lidhur me komunikimin publik nëpërmjet platformave online, ai është një vlerë në rritje, sepse të gjithë përdoruesit e aksesit të komunikimeve edhe online synojnë ta shtojnë dhe përfitojnë. Facebook me rreth 1 miliard “banorë” konsiderohet sot vendi i tretë më i madhe në botë pas Indisë dhe Kinës.

Por avantazhet e komunikimit kanë edhe rrisqet e kostot e tyre, ku mund të përfshihen, rritja e mundësive për rrjetet kriminale që të zgjerohen dhe globalizohen. Ata e përdorin me shumë efikasitet në funksione të qëllimeve të tyre çdo mundësi në rritje të komunikimit. Lehtësimi i përhapjes së ideve negative dhe rritja e joshjes së disa shtresave sociale në organizime dhe veprimeve kriminale, kanë evidentuar rrisqet nga komunikimi online. Rritja e aksesit të komunikimit ka krijuar probleme sociale edhe nga keqpërdorimi i kohës, sidomos nga fëmijët dhe nxënësit.

Çfarë e bën komunikimin efikas?

Edukimi, duke filluar nga edukimi familjar, edukimi i mësuar çdo ditë në familje, që në hapat e para edukimi në sistemin arsimor, ku në çdo nivel të tij duhet të ketë edukim të mirëfilltë deri tek arti i komunikimit që iu dedikohet liderëve të komuniteteve lokale, liderëve kombëtarë e globalë, liderëve në politikë, ekonomi dhe jetën shoqërore. Lidhur me efikasitetin e komunikimit, po ndaj me ju një leksion në komunikim gjatë debateve politike të Condoleezza Rice, pyetjes se si ju i fitoni të gjithë debatet publike. Ajo u përgjigj se: “Unë gjithnjë e filloj përgjigjen duke i thënë kundërshtarit: – Ju falënderoj për pyetjen, por unë mendoj se… Duke e filluar me fjalën ju falënderoj, unë çarmatos qoftë edhe përkohësisht kundërshtarin dhe krijoj një marrëdhënie respekti me audiencë.

Komunikimin e bën efikas, dëshira pozitive për të komunikuar me dëshirë dhe vullnet pozitiv, një komunikim që ta bën ditën më të mirë dhe jo më të vështirë, një komunikim që lehtëson dhe shëron plagë dhe jo që hap plagë. Ne jemi ndoshta vendi me nivelin më të lartë të krimeve që kanë lindur nga një komunikim acarues, provokues apo denigrues. Pikërisht këto duhet të eliminojmë nga komunikimi ynë i përditshëm, denigrimin, provokimin, acarimin.

Një ditë e bukur fillon përgjithësisht si ditë e mbarë. Ajo mbetet e tillë kur komunikimi gjatë gjithë kësaj dite është i mbarë. Duhet t’i japim edukimit të komunikimit vendin jashtëzakonisht të rëndësishëm që ai ka në çdo hap të jetës tonë. Angazhimi i familjes, edukimi i prindërve që ata të edukojnë fëmijët, trajnimi i stafeve në administratën publike dhe sektorin privat, janë elementë konkretë të sfidës së një komunikimi sa më efikas.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr.121

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com