Në fokus

May 27, 2016 | 8:12

Petraq Kolevica: Një rrëfim për…

ARKITEKTURA & LETËRSIA

Linda në kapitalizëm dhe u rrita në socializëm. Punova shumë në atë kohë. Nuk vuajta ashtu siç kanë vuajtur shumë njerëz, por isha pjesë e këtij populli që vuajti. Pata privacionet e kohës, por megjithatë munda të bëj një shkollë, të studioj dhe të punoj. Dhashë kontributin tim në profesion, dola në plan të parë dhe duke u përpjekur të bëj diçka më mirë për këtë vend, natyrisht edhe për veten, për të pasur një karrierë të mirë. Por edhe kjo pati pasoja, tepër absurde… kur unë arrita në nivelin më të mirë të brezit tim, në profesionin e arkitekturës, në vitin 1975. Kisha mbaruar fakultetin (1957) për inxhinieri ndërtimi. Por aftësitë që kisha, të cilat m’i çmuan në shkollë, bënë që drejtoria e fakultetit t’i propozonte Ministrisë së Ndërtimit që të më vinte si projektues në Institutin e Projektimeve. Nuk më caktuan menjëherë. Edhe kjo periudhë kishte vështirësitë e saj. Punova nga ’57 në ’75. Atë kohë erdhën dhe ndryshimet. Më hoqën, sepse bëra disa ndërtime që u quajtën moderniste: mes tyre, Biblioteka e Korçës. Nuk e pëlqeu i madhi fare. Por bibliotekë më të mirë në Shqipëri se ajo nuk ka. Më hoqën nga projektimi edhe për shkak të një konflikt verbal që pata me të Madhin. Më dërguan në ndërmarrjen e projektimit, pastaj në ndërtimet e Valiasit, në fabrikën e ndërtimeve të godinave me panele, dhe që në atë kohë u mbyll karriera ime si arkitekt. Pas disa vitesh u kujtuan për të më marrë në projektimin e Muzeut Kombëtar. Duhej një kalë që të mbante pesha. Kolegët më njihnin, nuk kisha konflikt me ta. U pranua që të bëhesha pjesë e grupit të punës, pastaj prapë më larguan sërish, përfundimisht. Kam pasur një karrierë të trazuar… Mirëpo karrierën time si arkitekt e fillova paralel me përkthimet. Në ‘57 fillova si arkitekt, ndërsa në 61’ botova përkthimin e parë nga rusishtja, “Demoni”, dhe shumë të tjerë më pas. Por, prej asaj kohe nuk u mora më me përkthime, u mora me profesionin, duke u renditur ndër të parët e arkitektëve të brezit tim. Për punët që bëra, mora vlerësimet maksimale dhe dënimet maksimale të kohës. Nuk hyra në burg… por pata pasoja. Kur më hoqën nga profesioni dhe më çuan në mes të klasës punëtore, më filloi një sëmundje e rëndë që vazhdon edhe të më shoqërojë. Një sëmundje e rëndë nervore, të cilën e përballoj vetëm me vullnetin tim, sepse është tejet e papërballueshme. Duhet të qëndroj, është edhe punë karakteri…

SHQIPJA & GJUHËT E HUAJA

Arkitektura si degë kërkon doemos sa më shumë kulturë për të kuptuar dhe shprehur më mirë. Për një arkitekt (për fat të keq ka shumë të tillë), vetëm ana teknike është tepër pak. Në Itali kur shkova për të marrë materiale në një shërbim, kam blerë libra letërsie të arkitektëve të njohur si Quasimodo, Amante Architectura. Madje, më i madhi i arkitekturës franceze dhe piktori i shquar Ekovyljer shkroi “Poemën e këndit të drejtë”. Të gjithë arkitektët e mëdhenj kanë pasur kulturë të gjerë dhe kanë shkruar vepra letrare. Ky moskuptim ka qenë te të mëdhenjtë e kohës sime, të cilët nuk kuptonin si duhej bërë puna. Ata kishin halle të tjera. Gjuhët më kanë ndihmuar të vjel informacionin e dëshiruar. Në atë kohë na është dashur t’i mësojmë disa gjuhë dhe nuk ka qenë ndonjë gjë e jashtëzakonshme. Më ishte dashur për arkitekturën të lexoja libra që në gjuhën shqipe mungonin. Madje edhe tani nuk di se ç’ka. Kam mësuar në mënyrën ilegale. Duke qenë në një ambient gjerman, mësova gjuhën dhe nisa leximin e letërsisë gjermane që më pas më dha dorë në përkthim. Rusishten e mësova pak në gjimnaz dhe vetë. Lexoja në origjinal rusët e mëdhenj. Që në fakultet kam përkthyer Robert Bënsin, midis tyre një poezi me të cilën në fakultet i kam vënë vulën. Ai thotë: Disa rimojnë për fitime,/ disa për spica, ofendime,/ të tjerë duan shpërblime/ e lavdi tonë shkruaj për veten time, për eglendis… dhe kështu kam shkruar unë gjithë kohës, për qejfin tim. Pata fatin e madh që nuk isha përkthyes me rrogë për të fituar bukën, siç e fituan të mëdhenjtë, që nga Lasgushi, Mitrush Kuteli, Vedat Kokona, po themi edhe Robert Shvarc.

DIKTATURA & DEMOKRACIA

Njerëzit që dolën në plan të parë në kohën kur flitej për demokraci, njihen se ç’ishin dhe me disa prej tyre kam pasur njohje, me ndonjë edhe miqësi. Në mënyrë të natyrshme, isha patjetër në anën e erës që po vinte, dhe kam shkruar për atë periudhë. Karrierën e vërtetë poetike unë e fillova tamam në kohën kur isha në kantieret e ndërtimit, sepse atëherë e njoha edhe më tepër jetën e njerëzve. Gjithnjë kam qenë në mes të njerëzve, i kam kuptuar dhe ndjerë brengat e kohës, por sidomos kur lashë profesionin tim që i kushtova rininë. Ndjeja një dhimbje të madhe, por mua më deshën shumë punëtorët e inxhinierët e ndërtimit, madje më ndihmonin më tepër se një vëlla. Më njihnin dhe e konsideronin gabim të madh të atyre që më dërguan atje për të vuajtur. Padyshim që unë kisha vuajtjet e tjera shpirtërore dhe fizike, por kisha një ndjenjë të lartë morale mes atyre njerëzve që më prisnin krahëhapur, atëherë edhe sot. E gjitha kjo, sepse kisha lënë një të kaluar të mirë, me njerëzit, kolegët dhe punëtorët. Sepse kur shkoja që i kontrolloja për cilësinë e punimeve që bënin, nuk kisha konflikte dhe më njihnin për njeri të dashur. Në atë kohë fillova të shkruaj poezi të miat, origjinale, të cilat i botova pastaj në `91-in në numrat e parë të gazetës RD. Librin e plotë e botova në fillim të vitit `93, kur u krijuan mundësitë e botimeve. Nga koha e diktaturës, në ato poezi e kam stigmatizuar më mirë atë periudhë se kushdo tjetër. Ishte përgatitja shpirtërore për kohën që po vinte. Kam qenë prezent në atë periudhën e turbullt të ambasadave. Nuk isha nga ata që synonin të shkonin diku jashtë, sepse nuk doja të lija njerëzit e mi. Thuajse të gjithë njerëzit e prisnin këtë gjë. Nga viti `89 vinte në bibliotekën kombëtare nga Gjermania një mjeshtër i letërsisë gjermane. Ka shkruar mjaft poezi dhe shkrime që unë i kam përkthyer e botuar, menjëherë nga ’90. Atëherë kam përkthyer një shkrim me titullin “Përfundimi i Kullës”, ku gjermanët tregonin në mënyrë alegorike ndërtimin e kullës që deshën të ndërtonin babilonasit. Zoti pastaj i dënoi dhe u dha gjuhë të ndryshme që të mos merreshin vesh me njëri-tjetrin. Dhe kulla mbeti pa u ndërtuar. Pra, ndërtimi i Partisë Socialiste nënkuptohej me këtë. Erdhi dita që njerëzit nuk merreshin vesh më. Të gjithë ikën nga kulla, shkuan nëpër shtëpitë e tyre nën hijen e palmave dhe prisnin se kur do të vinte pushtuesi. Kjo ishte psikologjia dhe në Shqipëri. Aman thoshte njëri, do vijnë amerikanët; tjetri thoshte të vijë edhe shejtani, vetëm këta të mos jenë. Kjo ishte psikologjia: aman të bëhen ndryshimet; si do të bëheshin, s’kish kërkesë. Nuk besonte më njeri në përrallëzat dhe tufëzat. Dhe këtë e ndjenë dhe ata lart, sepse e panë që po prishej sistemi. Këto erëra vinin dhe predispozita ishte për t’i kapur. Isha ndër të parët që iu afruan gazetës RD. Jam shkruar i pari atje, jo se isha më i vjetri, por sepse në atë kohë isha më i njohur nga kryeredaktori dhe të tjerët, meqenëse kisha njohje në profesionin tim, por edhe si përkthyes në përkthimin e antologjisë austriake, gjermane dhe asaj japoneze; deri më sot e para dhe e vetmja. Kanë kaluar 20 vjet dhe nuk ka bërë tjetër njeri një antologji të tillë, madje i kam ribotuar. Nuk isha anëtar partie në ato instanca prandaj në mënyrë të natyrshme isha aty. Edhe kur u propozua që të isha deputet pastaj, kur vajta në Korçë, në atë kohë erdhi kryetari i partisë të bënte propagandë për mua, sepse vetë ai njihej si mjek, po partitë kështu qenë. Por te PD njerëzit prisnin shumë sepse ishte herë e parë që dilte një parti e tillë. Në Korçë isha i njohur me miq e shokë e s’ishte nevoja për propagandë. Në ato pak mbledhje që bëmë më kujtohet një mbledhje në katin e tretë të gjimnazit në Korçë. Ishte sallë e madhe. Prisnim të vinin njerëzit e të thosha ato pesë fjalë që kisha për të thënë. Erdhi dhe një plak me flokë të bardhë, i dobët. Më dha dorën dhe ma tha: “Unë kam hequr dy herë infarkt. Nuk ngjitem dot në katin e dytë. Po erdha në katin e tretë vetëm se ishe ti”. “Më fal, – i them, – por nuk ju njoh”. “Nuk e njeh profesorin tënd ti?!”, – më kthehet. Kjo ishte dhimbje e madhe që unë nuk e njoha, sepse ai ishte me të vërtetë profesori më i mirë që më bën edhe sot sentimental. Ishte profesori im i gjuhës që na thoshte shpesh parullën “Liri, barazi, vëllazëri”, tani kjo po vinte në Shqipëri.

SHQIPËRIA & GJERMANIA

Kjo është më e veçanta e jetës sime. Gruaja ime e kishte nënën gjermane. Babai i Edithit ka studiuar agronomi në Gjermani. Atje gjeti dhe gruan e tij që e dënoi dhe e solli në Shqipëri. Ishte një familje ku flitej vetëm gjermanisht. Kjo më ka favorizuar. Doemos ka ndihmuar në vazhdimësi dhe vajzat e mia, të cilat e mësuan gjermanishten si gjuhë nëne dhe po kështu edhe nipi im. …Ne shqiptarët jemi të detyruar të mësojmë gjuhë të huaja. Por sa i takon Shqipërisë, padyshim që janë relative, dhe në këto çaste fillojnë e ngrihen nacionalizmat. Kështu që unë fjalë të mira mund të them vetëm për Shqipërinë, që e njoh; ndërsa Gjermaninë nuk e njoh, sepse kam qenë vetëm pak kohë në spital dhe nuk e kam shëtitur apo parë. S’kam pasur punë me njerëz. Të gjitha janë thënë nga të tjerët që kanë të bëjnë.

PROTAGONIZMI & ANTIKONFORMIZMI

Nëse flas për protagonizmin, mund të tregoj vetëm periudhën kur isha në krye të profesionit tim. Isha një nga protagonistët e asaj kohe, sepse pata mundësi të punoj mirë, të bëj vepra që kishin vlera për atë kohë dhe u bëra i njohur, ndër më të njohurit e brezit tim. Siç ju thashë, mora ato shpërblime që jepeshin në ato kohë, dekorata, çmime republike, urdhër pune, tani më dhanë atë “Mjeshtër i Madh”, dhe në Korçë një tjetër, të cilat na gëzojnë dhe na dëshpërojnë ndonjëherë, sepse nuk jemi në gjendje edhe më shumë t’i justifikojmë ato që marrim. E kështu protagonizmi padyshim vjen si pasojë e punës. Mund të bëhesh i tillë vetëm duke punuar mirë, duke bërë vepra që i vlejnë njerëzve të vendit tënd, përndryshe protagonizmat artificialë pastaj vjen dita që shuhen. Antikonformizmi është çështje karakteri, sipas meje. Më e vështirë është të jesh antikonformist, sepse do të kesh kundërshtarë, madje dhe armiq. Këtë antikonformizmin në ca aspekte edhe e kam provuar. Për të tjera nuk dua të cekem, por që e kam provuar këtë në profesion, në letërsi dhe në ambientin shoqëror. Të mëson karakteri se si je formuar në fëmijëri, në familje me kulturën që ke marrë dhe parimet që ke vendosur. Antikonformist për fatin e keq timin kam qenë dhe vazhdoj të jem.

PORADECI & KADARE

Lasgushi ka qenë një nga poetët e mi më të dashur. Prej poezive të tij kam mësuar, siç kam mësuar dhe nga të tjerët e mëdhenj të letërsisë shqipe. Por kam mësuar edhe nga vetë personi i Lasgushit, të cilin e kam njohur edhe nga afër, në një miqësi të vërtetë të përzemërt, tridhjetëvjeçare. E kam takuar, kam biseduar, kam përfituar prej tij ato gjëra që mund të përfitoja dhe kjo ka qenë nga fillimi deri në fund një miqësi tepër e përzemërt. Këtë favor ma ka bërë ai dhe unë pata mundësinë që të afrohesha me të, të bëja ndonjë ndihmë të vogël që i duhej atij. Kadarenë nuk e kam studiuar shumë. Kam pasur njohje të mirë meqenëse ishin rrethanat e tilla. Kam qenë dhe në shtëpinë e tij ku kam diskutuar nja dy çështje. Pra, s’bëhet fjalë për armiqësi. Thjesht një njohje normale. I njihnim veprimtaritë e njërit-tjetrit. Njohje kam pasur edhe me Dritëro Agollin, deri vonë, pavarësisht se kam pasur dhe keqkuptime ndonjëherë, por këto janë gjëra të natyrshme. Edhe me shkrimtarë të tjerë mjaft më të mëdhenj dhe me shumë piktorë të kohës, kam qenë nëpër studiot e tyre. Edhe sot e kësaj dite kam prej tyre letra dhe kartolina që m’i dërgonin piktorë e skulptorë të njohur të brezit tim, të cilët ishin në poste të rëndësishme në atë kohë. Unë nuk kam pasur armiqësi. Nuk kam pasur kontradikta. Unë isha në pozicionin tim. Na patën thënë ne arkitektëve që të bëheshim anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve, por ne nuk pranuam, se profesioni ynë ishte një gërshetim i artit me teknikën…

GRUAJA & FËMIJËT

Me gruan, në vitin 2011, mbushim 50 vjet bashkë. Jemi njohur, dashuruar dhe fejuar gjysmë shekulli më parë. Kemi kaluar për fat të mirë një jetë. Kemi ndërmend dhe një 50-vjeçar të jemi bashkë. Ajo ka sakrifikuar shumë më tepër se unë për shtëpinë, si të gjitha gratë, e sidomos të asaj kohe, ka sakrifikuar për vajzat. Edithi mbaroi shkollën teknike të ndërtimit me nota shumë të mira, por nuk i dhanë të drejtë studimi. Megjithatë, mundi të hynte në Institutin e Projektimit si teknike. Ndërkaq vazhdoi fakultetin pa bursë, pa shkëputje nga puna dhe u kthye në institut si inxhiniere. U vu në poste të rëndësishme jo vetëm si projektuese me një karrierë me të vërtetë shumë të ngarkuar, sepse ka bërë të gjitha ndërtimet industriale, duke filluar nga Fushë-Arrëzi e deri poshtë në jug. Është vlerësuar me fletë lavdërimi, dekorata pune dhe një më të lartë që jepej atëherë si punonjëse shkencore, që nuk e ka marrë ndonjë grua tjetër. Ishte koha kur Ramiz Alia donte të bëhej zemërgjerë dhe i dashur… në ’89. Ndërsa vajzat, Stela e vogla dhe Ana e madhja, janë pjesa tjetër e rëndësishme. Të dyja janë të martuara dhe kanë nga një djalë. E madhja është në Gjermani bashkë me të shoqin, shqiptar. Ka mbaruar për kimi industriale. Baballarët dëftohen nga fëmijët, por ajo ka qenë me të vërtetë shumë e mirë në mësime. E mbajtën si pedagoge në fakultet. Prej andej shkoi në Austri në fillim, ku njohu diplomën dhe pastaj në Gjermani, ku punon sot në një laborator kimie. Ndërsa vajza e vogël ka studiuar arkitekturë, por nuk ka punuar në profesionin e saj. Në vitet ’90-të, kur mbaroi fakultetin, nuk gjeti terren. Ndërsa e madhja kishte më tepër prirje shkencore, e vogla kishte më shumë prirje artistike dhe ne menduam që mund të ecte. Por erdhën kohëra të tjera… Dhe Stela tani punon në ambasadën angleze.

Psikologji Janar 2011

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top