FB

June 23, 2023 | 7:53

Piktura, një mjet i rëndësishëm i njohjes, pranimit dhe përmirësimit të vetvetes tek adoleshentët

 

Studioja e pikturës është mjedisi më i sigurt dhe më i bukur, ku adoleshentët me luftërat e tyre të brendshme, nëpërmjet aktiviteteve të planifikuara dhe mirëmenduara nga mësuesi, të shprehen madje ndonjëherë edhe kundër rregullave derisa gradualisht të jenë gati t’i përqafojnë ato.

k

Msc. Klevi Pove, Piktore dhe Mësuese Arti

Zbulimi i vetvetes tek adoleshentët është shpesh si një zjarr i fuqishëm që digjet brenda tyre. Ky zjarr përfaqëson luftën me të cilën përballen të gjithë adoleshentët. Duke qenë se ata nuk janë më as fëmijë dhe as të rritur, ky tranzicion i vendos ata në një pozitë të pasigurt. Vitet e adoleshencës janë vite të mbushura me ndryshime identiteti dhe për pasojë ata mund të ndikohen nga gjëra dhe ngjarje shumë të vogla, të cilat neve të rriturve mund të mos na prekin, pasi ne e kemi krijuar identitetin tonë.

Sipas psikologëve, gjatë këtyre viteve, adoleshentët fillojnë ta perceptojnë veten si njerëz unikë. Ata fillojnë të kuptojnë se janë të ndarë nga të tjerët, duke përfshirë prindërit dhe familjet e tyre, por gjatë kësaj periudhe përshtatjeje, ata shpesh shtyhen të bëjnë gjëra që janë paralajmëruar të mos i bëjnë. Me fjalë të tjera, ata janë të prirur të veprojnë kundër rregullave dhe vlerave që u janë mësuar në mënyrë që të zbulojnë limitet e tyre dhe të kuptojnë vet vendin e tyre.

Për fat të mirë, arti dhe në veçanti piktura si proces dhe si produkt, mund t’i shpëtojë adoleshentët nga kjo situatë. Siç kanë zbuluar edhe kërkimet e fundit shkencore, arti konsiderohet si një mjet mjaft efektiv për zbulimin e vetvetes, zhvillimin personal dhe rritjen e vetëvlerësimit. Prandaj, një nga mënyrat se si prindërit mund t’i ndihmojnë adoleshentët e tyre në këtë periudhë është t’i inkurajojnë ata të përfshihen në aktivitete që i ndihmojnë në zbulimin e vetvetes. Të bësh art do të thotë të kërkosh, eksperimentosh dhe zbulosh gjëra dhe këndvështrime të reja. Gama e teknikave dhe materialeve që u ofron piktura dhe vizatimi, u jep adoleshentëve çelësat për të zgjidhur situatat komplekse si në art ashtu edhe në përditshmëri, si edhe mundësinë për të gjetur përgjigjet e tyre, pasi pikërisht në këto vite më shumë se asnjëherë tjetër, gjithçka vendoset në pikëpyetje.

p-7 p-1 p-4

Një mënyrë tjetër se si arti mund t’i ndihmojë adoleshentët është duke u dhënë atyre një ndjenjë optimizmi edhe pasi ata kanë kaluar situata jo fort të këndshme. Kjo vjen nga fakti se truri është një makinë parashikuese. Të gjithë, duke përfshirë edhe adoleshentët, i bazojnë supozimet e tyre (dhe si rrjedhojë, veprimet e tyre) në përvojat që kanë pasur më parë.

Por, duke krijuar art, artistët e rinj mund të ndryshojnë atë që parashikon truri. Të dalësh në një rezultat të ri në art, do të thotë të arrish në një rezultat të ri edhe në jetë, sepse arti të mëson të kundërshtosh cilësinë parashikuese automatike të trurit. Kjo mund t’i nxisë ata drejt përsosmërisë dhe t’u japë guximin për të bërë zgjedhjet e vështira, ndërsa përparojnë drejt moshës madhore. Kjo është gjithashtu pjesë e rrugëtimit të vetë-zbulimit.

p-5 p-3 p-2

Krijimi i artit është një mënyrë e prekshme që adoleshentët të lënë gjurmë në botë.

Arti u siguron atyre një formë ditari, për t’u kujtuar atyre në një të ardhme, se cilët ishin dhe çfarë ishte e rëndësishme për ta gjatë një periudhe sfiduese në jetën e tyre.

p-6

Përpos përfitimeve që sjell piktura në jetën e një adoleshenti si në aspektin psikologjik, emocional apo social, për shumë prej tyre mund të jetë një mundësi e shkëlqyer karriere në të ardhmen, por edhe një pasion që mund të shndërrohet në profesion të dytë.

Po e mbyll me një thënie të Shawn McNiff në “Art as Medicine”:

“Arti është një artikulues i qëllimit të pacensuruar të shpirtit dhe vullnetit më të thellë”.

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top