Çfarë e motivon sjelljen njerëzore? Sipas psikologut humanist Abraham Maslow, veprimet tona kanë për qëllim plotësimin e nevojave të caktuara. Për ta shpjeguar këtë koncept, Maslow paraqiti piramidën e nevojave në vitin 1943. Kjo shkallë sugjeron se njerëzit janë të motivuar për të përmbushur nevojat e tyre themelore para se të kalojnë në nivelin më të përparuar.
Ndërsa disa nga shkollat e mendimeve ekzistuese në atë kohë, të tilla si psikanaliza ose biheviorizmi, kishin tendencë të përqendroheshin në sjelljet problematike, Maslow ishte shumë më i interesuar të zbulonte dhe kuptonte se çfarë i shtynte njerëzit të silleshin ashtu si veprojnë, dhe pse disa zgjedhje prodhuan një shkallë të ndryshme lumturie. Si humanist, Maslow besonte se njerëzit kanë një dëshirë të lindur për vetëpërmbushje. Me fjalë të tjera, përpiqemi të arrijmë nivelin më të lartë të mundshëm. Përdorim burimet në dispozicion për këtë qëllim, para së gjithash duke përmbushur nevojat themelore të tilla si ushqimi, siguria ose dashuria.
Piramida e nevojave të Maslow është një teori motivuese që ndan nevojat njerëzore në 5 nivele, të pozicionuara në një mënyrë hierarkike nga poshtë-lart. Sipas Maslow, njerëzit janë të motivuar për të përmbushur disa nevoja në një mënyrë hierarkike. Nevoja kryesore e çdo qenieje njerëzore është ajo e mbijetesës fizike, e para për të motivuar sjelljen. Sapo të arrihet ky nivel, niveli tjetër do të ketë përparësi mbi nivelin tjetër, etj. Më poshtë po paraqesim pesë nivelet e piramidës së nevojave të Maslow, nga poshtë-lart.
- NEVOJAT FIZIOLOGJIKE
Ky grup përfshin elementët e nevojshëm për mbijetesën njerëzore (ajri, ushqimi, pija, strehimi, veshja, nxehtësia, seksi, gjumi, etj.). Nëse këto nevoja nuk plotësohen, trupi i njeriut nuk mund të funksionojë siç duhet. Nevojat fiziologjike janë më të rëndësishmet, gjithë të tjerët bëhen dytësorë derisa të plotësohen këto.
- NEVOJAT PËR SIGURI
Përfshijnë mbrojtjen, sigurinë, rendin, ligjin, stabilitetin, lirinë, mungesën e frikës, etj.
- NEVOJAT PËR SHOQËRIM
Miqësia, intimiteti, besimi, pranimi, marrja dhe dhënia e dashurisë ose përkatësia në një grup… Pasi të jenë përmbushur nevojat fiziologjike dhe të sigurisë, niveli i tretë i nevojave njerëzore ka të bëjë me sferën shoqërore dhe ndjenjat e përkatësisë. Nevoja për marrëdhënie ndërpersonale motivon sjelljen.
- NEVOJAT PËR VLERËSIM (EGOJA DHE VETËVLERËSIMI)
Maslow e klasifikoi këtë nevojë në dy kategori: vetëvlerësim (dinjitet, sukses, zotërim, pavarësi) dhe dëshirë për reputacion ose respekt nga të tjerët (statusi, prestigji). Nevoja për respekt ose reputacion është më e rëndësishme për fëmijët dhe adoleshentët dhe i paraprin vetëvlerësimit apo dinjitetit të vërtetë.
- NEVOJAT PËR VETËREALIZIM
I referohemi realizimit të potencialit personal, kërkimit të rritjes personale dhe përvojave përkatëse. “Një njeri duhet të jetë ai që mund të jetë”, thotë Maslow, duke iu referuar nevojës njerëzore për të zhvilluar potencialin maksimal. Njerëzit që ndihen të përmbushur janë të vetëdijshëm që kujdesen më shumë për rritjen e tyre personale dhe më pak për mendimet e të tjerëve. Në të njëjtën mënyrë ata janë të interesuar të zhvillojnë potencialin e tyre maksimal.
NEVOJAT NË MUNGESË KUNDREJT NEVOJAVE PËR RRITJE
Katër nivelet e para të piramidës së nevojave shpesh quhen nevoja nga mungesa, ndërsa niveli më i lartë njihet si nevojë për rritje. Nevojat nga mungesa lindin për shkak të privimit, dhe na motivojnë kur ato nuk plotësohen. Për më tepër, motivimi bëhet më i fortë nëse mungesa vazhdon me kalimin e kohës. Në fillim të studimeve të tij, Maslow deklaroi se nevojat nga mungesa të nivelit më të ulët, duhet të plotësohen përpara se të vazhdoni me ato të nivelit më të lartë. Më vonë, megjithatë, ai deklaroi se plotësimi i një nevoje nuk është një fenomen ‘i ngurtë’, por është më tepër një çështje përparësie.
QËLLIMI I VETËREALIZIMIT
Çdo person dëshiron dhe është në gjendje të ngjitet në piramidën e nevojave për t’u ndjerë i plotësuar. Për fat të keq, megjithatë, kjo rritje shpesh ndërpritet sepse plotësimi i nevojave të niveleve më të ulëta kërkon shumë burime. Nga ana tjetër, përvoja dhe situata të ndryshme mund ta bëjnë individin të luhatet midis niveleve të ndryshme të piramidës. Jo të gjithë do të lëvizin përgjatë piramidës në një drejtim, por ata mund të lëvizin para dhe prapa midis nevojave të ndryshme.
Maslow na kujton në fakt, se rendi në të cilin plotësohen këto nevoja nuk ndjek gjithmonë një progres standard. Për shembull, për disa njerëz, nevoja për vetëvlerësim është më e rëndësishme sesa nevoja për të dashur. Për të tjerët, nevoja për përmbushje krijuese mund të zëvendësojë edhe nevojat më themelore.
Përgatiti: Orjona TRESA | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 161
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.