Mirëqenie

August 5, 2017 | 11:10

Plagët diabetike, nga se shkaktohen dhe si mund të parandalohet humbja e gjymtyrëve

Plagët diabetike apo ulçerat janë një nga komplikacionet më të rënda të diabetit. Mjekja endokrinologe, Ersida Golemi, thotë se 25 për qind e diebetikëve janë të predispozuar për ulçer.

ersida-golemi

“Ulçerat dhe infeksionet e këmbëve janë shkaku kryesor i amputacioneve të gjymtyrëve të poshtme apo thënë ndryshe, humbjes së gjymtyrëve”.

Në këto kushte, fokusi nuk është i përqendruar te trajtimi më shumë sesa te parandalimi. Këshilla e parë është që të mos neglizhohen shenjat klinike.

Sëmundja, thekson doktoresha, manifestohet kryesisht me mpirje apo miza në këmbë, djegie të shputave të këmbës, ulje të ndjeshmërisë ndaj të ftohtit, të nxehtit apo dridhjes, dhimbje të forta apo mungesë të dhimbjes. Testet e vazhdueshme janë po ashtu një mënyrë për të parandaluar avancimin e sëmundjes.

“Çdo i sëmurë me diabet rekomandohet të bëjë hemoglobinën e glukozuar çdo 3-6 muaj”, pohon mjekja. Veç kësaj rekomandohet edhe kryeja e testeve, konkretisht testi i ndjeshmërisë së presionit, testi i vibracionit dhe testi i temperaturës.

Me rëndësi është edhe kontrolli i faktorëve të riskut, si duhanpirja apo alkooli, yndyrat e larta në gjak, niveli i acidit urik. Sipas statistikave, sot në botë janë 415 milionë njerëz që vuajnë nga diabeti. Çdo 10 sekonda në botë shtohen dy persona të tjerë dhe çdo 8 sekonda vdes një njeri nga shkaqe që lidhen me diabetin.

Në një vit në botë zbulohen 7 milionë raste të reja, nisur nga kjo tendencë, në 2040-n numri i të prekurve pritet të shkojë në 642 milionë.

MBI PLAGËT DIABETIKE APO ULÇERAT

Ulçerat diabetike janë një nga komplikacionet më të rënda të diabetit dhe janë shkaku kryesor i hospitalizimeve. Rreth një e katërta apo 25 për qind e pacientëve me diabet bëjnë ulçer të gjymtyrës gjatë jetës së tyre. Ulçerat dhe infeksionet e këmbëve janë shkaku kryesor i amputacioneve të gjymtyrëve të poshtme (prerja e gjymtyrëve).

Diabeti dhe komplikacionet e tij po rriten me ritme të shpejta në të gjithë botën. Aktualisht vuajnë 415 milionë njerëz nga diabeti dhe pritet që në 2040-n të shkojë në 642 milionë. Me rritjen e diabetit është rritur dhe numri i amputacioneve të gjymtyrëve, duke u shndërruar në një problem global shëndetësor, social dhe ekonomik.

Rreth 15 për qind e ulçerave diabetike do të rezultojnë në amputim të gjymtyrës. Amputacionet, përveçse dëmtojnë cilësinë e jetës, rrisin dhe vdekshmërinë. Mbijetesa postamputacion shkon 5 vjet.

FAKTORËT E RISKUT

Nuk ka vetëm një faktor në formimin e plagës diabetike, por janë disa të tillë. Ndër faktorët kryesorë mund të përmendim: Neuropatia diabetike (dëmtimi i nervave nga diabeti), arteriopatia diabetike (dëmtimi i enëve të gjakut nga diabeti), së fundmi minitraumat, deformimet e këmbëve. Kur kombinohen të tre këta faktorë, atëherë edhe risku është më i madh.

Ndër ta neuropatia diabetike është faktori kryesor që ka të bëjë me humbjen e ndjeshmërisë protektive të këmbës. Ajo është sensore, motorre dhe autonome. Neuropatia sensore është më e shprehur te personat me diabet dhe ka të bëjë me humbjen e ndjeshmërisë.

Trauma të përsëritura të këmbës do bëhen shkak për zhvillimin e inflamacionit apo dhe infeksionit. Nga ana tjetër, neuropatia motorre bën që muskujt e këmbës të atrofizohen dhe të prishet forma normale e këmbës, duke krijuar hark.

Ndërsa neuropatia autonome redukton djersitjen, ndaj këta diabetikë kanë këmbë më të thata, që favorizon çarjet dhe ulçeracionet. Pacientët që kanë neuropati dhe deformim të këmbës, janë 12 herë më të rrezikuar. Në deformimet e këmbës bëjnë pjesë proeminimet e artikulacioneve (gungat), prania e artriteve. Gishti i madh i këmbës, duke qenë se preket më shpesh nga artritet, tregon pse ulçerat shpeshherë janë të lokalizuara në atë zonë. Neuropatia diabetike është shkaku kryesor i plagëve diabetike.

SHENJAT KLINIKE QË MANIFESTON SËMUNDJA

Sikundër e përmenda edhe më sipër, neuropatia diabetike periferike është shkaku kryesor i formimit të ulçerave diabetike. Ajo përbën shfaqjen e shenjave dhe simptomave nga dëmtimi i nervave si rezultat i nivelit të lartë të sheqerit në gjak. Glukoza shkakton stres oksidativ, duke dhënë ishemi të nervit dhe vdekje të qelizave nervore.

Shenjat klinike janë: mpirje apo miza në këmbë, djegie të shputave të këmbës, ulje të ndjeshmërisë ndaj të ftohtit, të nxehtit apo dridhjes, dhimbje të forta apo mungesë të dhimbjes, dëmtimin e nervave sensitive. Dëmtimi i nervave sensitive rrit rrezikun për ulçeracione nëpërmjet humbjes së ndjeshmërisë.

Pacienti nuk ndien nëse është çarë nga një xham, dëmtuar nga një gozhdë, nëse këpuca që vesh është e ngushtë dhe duhet ta heqë atë. Me përparimin e neuropatisë, kur dëmtohen dhe nervat motorre, pacienti ndien lodhje, muskujt e brendshëm të këmbës do të atrofizohen dhe këmba do të deformohet, duke e bërë më të pamundur aktivitetin fizik.

Mungesa e aktivitetit fizik rrit mundësitë për një diabet të paekuilibruar, rriten vlerat e sheqerit në gjak, i cili është elementi më toksik i nervave. Me progresionin e neuropatisë nervat që janë përgjegjëse për dhimbjen dhe temperaturën do të preken, duke bërë që pacienti të ndiejë dhimbje të këmbëve dhe të mos ndiejë nxehtësinë apo të ftohtin.

MUNDËSIA PËR PARANDALIM

Sigurisht që qëllimi kryesor është parandalimi, i cili arrihet nëpërmjet diagnostikimit të hershëm të neuropatisë diabetike. Krahas saj, rol kryesor ka kontrolli i mirë
i diabetit. Çdo i sëmurë me diabet rekomandohet të bëjë hemoglobinën e glukozuar çdo 3-6 muaj. Ajo vlerëson mesataren e sheqerit në gjak për 3 muajt e fundit dhe duhet të jetë nën 7 për qind.

Vlerësimi i neuropatisë diabetike nëpërmjet testeve të ndryshme është shumë i rëndësishëm, pasi vlerëson dhe popullatën më të rriskuar. Testet për vlerësimin e neuropatisë diabetike janë: – Testi i ndjeshmërisë së presionit Me anë të një monofilamenti, 10 gr, i cili përshkohet përpendikular mbi pjesën e poshtme të këmbës, në 4 zona, dhe pyetet pacienti nëse e ndien. – Testi i vibracionit Pacienti qëndron shtrirë me sy të mbyllur. Vendoset fillimisht në gishtin e madh të këmbës, pastaj në artikulacionet diapazoni 128 HZ.

Pyetet pacienti nëse e ndjen vibrimin në zonat e ndryshme. -Testi i temperaturës Përdoren 2 tuba, një me temperaturë 5-10 gradë celsius dhe tjetri 35-45 gradë celsius dhe pyetet si e ndien në këmbë. Humbja e ndjeshmërisë ndaj temperaturës shoqërohet me humbjen e ndjeshmërisë ndaj dhimbjes, që lidhet me nervat e vegjël të pamielinizuar.

-Refleksi i Akilit Goditet me çekiç në pjesën e pasme të artikulacionit të këmbës dhe shihet reagimi i muskujve. Diagnostikimi i hershëm dhe trajtimi i neuropatisë diabetike është një hap përpara për parandalimin e plagëve diabetike. Trajtimi farmakologjik i dhimbjes neuropatike (antidepresant/antiepileptik), por dhe kontrolli i mirë i glicemisë nëpërmjet medikamenteve orale apo insulinës, duke mbajtur një HBA1c nën 7 për qind.

Gjithashtu, kontrolli i faktorëve të riskut si duhanpirja apo alkooli, yndyrat e larta në gjak, niveli i acidit urik. Siç e përmenda dhe më lart, krahas nervave, dëmtohen edhe enët e gjakut nga hiperglicemia. Ulja e fluksit të gjakut vonon rikuperimin dhe rrit rrezikun për ulçceracione. Klinikisht shprehet me vështirësi dhe dhimbje gjatë ecjes, këmbë të ftohta në prekje dhe mungesë të pulseve te këmbët. Vlerësohet me anë të doplerit të vazave apo angiografisë.

watermark

METODAT E TRAJTIMIT

Qëllimi kryesor është trajtimi i hershëm, mbyllja e plagës, duke parandaluar amputimin, i cili ul cilësinë e jetës dhe rrit vdekshmërinë. Ulçerat diabetike kërkojnë një trajtim në grup nga mjeku endokrinolog, kirurgu vaskular dhe podiatrist.

Faza e parë e trajtimit është menaxhimi i ndonjë infeksioni të mundshëm (bakterial apo mykotik) me antibakterialë e antimykotikë dhe kontrolli i glicemisë. Nëse enët e gjakut janë të bllokuara, atëherë kirurgu vaskular mund kryejë disa procedura nga angioplastika deri te bypass-i vaskular, duke siguruar fluksin e gjakut.

Ne rastin e ulçerave të gishtit të madh të këmbës mund bëhet dhe artroplasti. Heqja dhe pastrimi i zonave të dëmtuara të plagës përmirëson oksigjenimin e saj. Rastet më fatale janë ato ku duhet kryer amputimi i këmbës.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top