Në fokus

August 5, 2017 | 14:52

Përse “luftën kundër zhulit” do ta fitojmë me fëmijë, jo me ushtarë

Nga Dorina Bilbili

Shpallja e luftës kundër “zhulit”, duke dhënë koncesione për menaxhimin e mbetjeve, apo deri në nxjerrjen e ushtrisë në rrugë për të mbledhur mbeturina, thjesht janë hapa të pamjaftueshëm, sepse nuk prekin në thelb problematikën.

received_10208474277448308

Forumi Ekonomik Botëror e rendit Shqipërinë në 5 vendet e para që janë më të ndjeshme ndaj ndotjes. Për shkak të kësaj të fundit, afro 5.000 shqiptarë në vit rrezikojnë të vdesin. Agroweb.org tregon se energjia dhe transporti, pasuar nga sektorët e bujqësisë dhe të mbeturinave, janë kontribues të rëndësishëm në emetimet e gazrave serë në Shqipëri.
Përse Shqipëria vuan nga nivele të tilla ndotjeje? Shumë fajësojnë një sërë shkaqesh të dukshme, si mungesën ose infrastrukturën e degraduar për mirëmenaxhimin e mbetjeve. Pas 10 vitesh në terren, si aktiviste e Korpusit të Vullnetarëve, kam vërejtur si shkak primar të ndotjes: Mungesën e edukatës qytetare dhe sjelljen barbare ndaj mjedisit.
“I tërë planeti është shtëpia jonë. Ne jemi e vetmja specie që sistematikisht shkatërrojnë vendbanimin tonë”, ka thënë Marianne Williamson, e që na shkon fatkeqësisht kaq për shtat edhe neve. Shqiptarët vijojnë të lënë pas mbeturinat e prodhuara prej tyre, bizneset po ashtu. Andaj lipset që fondet dhe energjia e destinuar për pastrimin e vendit të investohet në një fushatë të mirëmenduar me qëllim edukimin e drejtpërdrejtë të popullit. Ky investim i qeverisë do të ndihmonte edhe udhëheqësit lokalë të shohin se si jetesa në një mjedisi të pastër nuk është vetëm “karburant” për rritjen ekonomike, por është një e drejtë thelbësore e njeriut.
Gjatë veprimtarisë sonë kemi mbledhur dhjetra tonelata mbeturina. Kemi synuar të injektojmë edukatë tek qytetarët në plazhe duke u dhuruar qese për të hedhur mbeturinat. Kam kuptuar se si një gjest kaq i thjeshtë ka prodhuar efekt. Jo i madh, por i dukshëm.
Shoqëria jonë, (e këtu s’jemi vetëm), studion se si vlerat kulturore ndikojnë në një sërë çështjesh si arsimimi, shpërndarja e pasurisë, mbikëqyrja e qeverisë, por shkalla në të cilën këto vlera ndikojnë në qëndrimet ndaj mjedisit nuk është e dokumentuar mirë, edhe pse rëndësia është kapitale.
Kemi shembullin se në çfarë terreni është luftuar në Marok që vajzat të shkolloheshin. Një natë një vullnetar i fushatës “për shkollimin e vajzave marokene” dëgjoi një trokitje në derën e shtëpisë. Pasi e hapi pa dy fëmijë të vegjël. I njohu menjëherë, pasi ishin pjesëmarrës në shkollën ku kishte prezantuar furçat e dhëmbëve dhe planin mësimor vetëm dy ditë më parë. Vullnetari kujton se fëmijët e pyetën për më shumë rreth furçave të dhëmbëve. “Por pse?”, i pyeti vullnetari me habi. Ata shpjeguan se prindërit e tyre, të pavetëdijshëm për fushatën e higjienës dentare, kishin parë një përdorim të ndryshëm për furcat: I kishin përdorur për pastrimin e thundrave të dhive. Vullnetari në atë moment kuptoi që, nga distanca kulturore, nuk u kishte dhënë mjaftueshëm informacion: Furçat e dhëmbëve janë për përdorim ekskluziv të një personi, jo anëtarëve të familjes dhe jo kafshëve të fermës. Pra ai duhet të sillte informacionin, jo vetëm në klasa, por edhe në shtëpi.
Në Shqipëri kjo është e tejkaluar, por e solla në vëmendje për të kuptuar se edhe me qasjen ndaj ndotjes, ka diçka që nuk shkon brenda botëkuptimit të shoqërisë shqiptare. Fushata për luftën ndaj saj duhet të jetë konsistente, pa afat, me cilësi të lartë, shoqëruar me një shtrirje në shënjestër edhe kulturore, e përshtatshme që nga prindërit tek fëmijët. Nëse shërojmë Tokën, ne shërojmë veten! Nëse nuk ka ndotës, nuk do të ketë ndotje. E megjithatë, kjo është më e lehtë të thuhet se sa të bëhet.
Ndaj mendimin se një fëmijë e kupton që mbeturinat dhe ndotja nuk janë të mira për mjedisin me ose pa shkollë. Pyetja që lind është: Si të mos ndikohet ai fëmijë nga prindi i keqedukuar karshi mjedisit? Cili është motivimi që me të vërtetë i bind njerëzit që të ndryshojnë sjelljen e tyre për të rritur mbrojtjen e mjedisit, duke pasur parasysh gjithashtu se shumë njerëz të tjerë nuk janë të gatshëm ta mbrojnë atë?
Edukimi dhe informimi në këtë drejtim duhet të fillojë në shtëpi. Edukimi dhe praktika, kjo është mënyra e vetme që mund të futet në psikikën e njerëzve. Ne të gjithë duhet të kontribuojmë për të, jo vetëm qeveria. E gjithë shoqëria duhet të luftojë që çështjet e mjedisit të shndërrohen në një nga përparësitë kryesore të politikave qeverisëse. Ato duhet t’u mësohen të gjithë fëmijëve nga klasat fillore në të mesme si lëndë kryesore. Kjo nuk duhet të shihet si simbolikë, por duhet të përfshijë një shqetësim realist për të gjithë shoqërinë. Madje mund të ndahen çmime dhe shprehen mirënjohje për fëmijët që tregojnë punë të mirë në këtë drejtim. Media dhe teknologjia sot ofrojnë mundësi pafund për të promovuar ide e për të stimuluar veprime të dobishme në shërbim të mjedisit. Çdo pemë e prerë për projektet e zhvillimit duhet të zëvendësohet me mbjelljen e të paktën 50-100 fidanëve. Të jepen stimuj dhe çmime për ndërmarrjet industriale që marrin iniciativa për mbrojtjen e mjedisit.
Ta nisim duke shpjeguar që të: Mos hidhën në Tokë bishtat e cigareve sepse përmbajnë kimikate jashtëzakonisht toksike; zgjidhni të ecni ose ngisni një biçikletë sa herë që të jetë e mundur; të mos përdorni kurrë zjarre të hapura për shkatërrimin e mbetjeve, sidomos kimikateve dhe plastikës; përdorni materiale ndërtimi të qëndrueshme, të riciklueshme; kurseni ujin dhe energjinë elektrike; përdorni dhe blini produkte që janë eko-miqësore; merrni gjithmonë një çantë me vete kur blini; rregulloni siç duhet mbeturinat e kafshës tuaj; mos hidhni mbeturina! E në fund në duhet të jemi “ushtarët” e mbrojtjes së kësaj kulture “Të mjedisit të pastër, për një jetë të shëndetshme”. Vetëm atëherë mund të themi se “lufta” u bë dhe betejat u fituan!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top