Në fokus

November 28, 2019 | 8:05

Pleqëria është privilegj

Plakja nuk është një humbje, është një privilegj, që nuk u lejohet të gjithëve.

E keni menduar ndonjëherë se plakja është një privilegj që pak e gëzojnë? Jo të gjithë kanë mundësinë të arrijnë moshën e tretë. Nuk mund ta dimë sa kohë kemi në dispozicion, ndaj duhet të mundohemi të shijojmë çdo çast që na jepet, duke lënë mënjanë ankesat…

Ka njerëz që ankohen se po plaken ose se kanë frikë të plaken. Në fakt, jo gjithmonë është e lehtë të plakesh në një shoqëri që na do gjithmonë të rinj, ku flokët e bardhë dhe rrudhat shndërrohen në defekte që duhen fshehur. E megjithatë, të plakesh do të thotë të kemi ende kohë në dispozicion për të bërë atë që duam në jetë dhe për të kaluar ditët tona në shoqërinë e familjes dhe të njerëzve që duam fort.

Dihet se me kalimin e moshës është normale që të vijnë edhe shqetësimet e shëndetit, por jo për këtë arsye duhet ta lëmë veten pas dore dhe të mos kujdesemi për veten që në rini, që më pas të mund të jetojmë më mirë në vitet që do të pasojnë. Për të mos u ankuar dhe për t’u motivuar mund të marrim shembull nga mësuesi i jogës, më i vjetri në botë. Në moshën 98-vjeçare është me të vërtetë shumë fleksibël dhe jep leksione joge në New York e kudo nëpër botë. Trupi i tij është ende shumë i stërvitur dhe madje thuhet se është më në formë se sa njerëzit më të rinj se ai në moshë.

Pra, nuk është mosha anagrafike që përcakton domosdoshmërisht gjendjen e shëndetit. Edhe në pleqëri mund të çoni përpara pasione të mëdha dhe të vazhdoni projektet në punë, sidomos kur e konsideroni atë si një mision jete. Ky është shembulli i një mësueseje që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe pse është 102 vjeçe ajo jep ende mësim dhe u transmeton të tjerëve urtësinë dhe mençurinë e saj.

Historitë e mësipërme janë kuptimplotë, sepse na mësojnë se mund të mundohemi të ruajmë të rinj si trupin, ashtu dhe mendjen dhe që është thelbësore të ndihemi të rinj brenda vetes dhe të jemi gjithmonë plot jetë, pavarësisht viteve që kemi mbi supe.

Mos harrojmë se rrudhat janë shenjat që na kujtojnë përvojat që kemi jetuar, jo vetëm episodet e trishta, por sidomos edhe gjërat që na kanë bërë për të qeshur. Edhe për këtë arsye duhet të jemi mirënjohës për çdo ditëlindje që kalojmë. Nëse mësojmë të kultivojmë miqësinë dhe dashuritë në kohë, nëse mësojmë ta jetojmë jetën moment pas momenti dhe të ndërtojmë të ardhmen ditë pas dite, do të jetë më e lehtë të ndihemi gjithmonë të rinj dhe të mos kemi frikë nga plakja.

Tek e fundit, të mund të fikim dhjetëra qirinj mbi tortën e ditëlindjes, në ditët e sotme është me të vërtetë një privilegj që pak e gëzojnë, ndaj mundohuni të pasuroni jetën dhe qenësinë tuaj. Janë të shumtë njerëzit që e kanë shndërruar jetën e tyre në një kryevepër, pavarësisht vështirësive dhe prej tyre mund të marrim shembull e sidomos të kuptojmë një mësim të vyer: rinia, njësoj si pleqëria, është më shumë një kushtëzim i shpirtit se sa çështje anagrafie. Nëse nuk kultivojmë pasionet tona dhe nëse nuk kemi një qëllim në jetë, mund të ndihemi të plakur dhe të fikur edhe pse jemi vetëm 30 vjeç.

Nëse mbajmë gjallë shpirtin dhe mendjen tonë, do të përjetojmë një entuziazëm të veçantë kundrejt ekzistencës sonë dhe atëherë rrudhat në fytyrë nuk do na duken shenja të tmerrshme, por dëshmi e fatit të pafundmë që kemi, që jemi ende këtu. Mund të vendosim të jemi pleq në moshën 50-vjeçare, ose 30-vjeçarë me njëzet vite përvojë. Zgjedhja na takon vetëm ne!

 

 

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 143

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top