Le të mendojmë për këtë: a janë dëshirat që po ndjekim kaq furishëm vërtet diçka që ne duam? Apo janë diçka që e kemi fituar?
Kur të rritem dua të bëhem astronaut, kërcimtar, mjek, veteriner: si fëmijë është shumë e lehtë të duash të jesh diçka. Kur jemi të vegjël çdo gjë është shumë më pak e filtruar, çdo gjë transparente, sepse, në fund të fundit, çfarë nuk shkon me externalizimin e asaj që duam në të vërtetë, pa u përplasur me asnjë pengesë?
Teksa rritesh gjërat ndryshojnë. Dhe kjo është arsyeja pse, ndoshta, në një moment të jetës sonë, bëhet e nevojshme të pyesim veten nëse dëshirat që po ndjekim janë tonat. Mund të duket absurde të pyesësh veten për këtë dhe, ndoshta, disa prej jush do të pyesin: si është e mundur që dëshirat e mia të mos jenë vërtet të miat? Si është e mundur që diçka që dua (mendoj se dua) kaq rrënjësisht nuk më përket vërtet? Përgjigjja është e ndërlikuar…
Imazhi ynë nëpërmjet të tjerëve
Pas fazës së fëmijërisë, e cila sigurisht është më e lirë se çdo fazë tjetër e jetës sonë, një sërë faktorësh fillojnë të hyjnë në lojë që modelojnë dëshirat tona. E para dhe ndoshta më e rëndësishmja është imazhi i vetes që u kthejmë të tjerëve. Ne fillojmë të shqetësohemi se si jemi “kurdisur” dhe të ndiejmë frikë se mos përjashtohemi ose gjykohemi, gjë që ndikon si në perceptimin që kemi për trupin tonë ashtu edhe për statusin tonë.
Ne fillojmë të ndreqim dëshirat tona, veçanërisht nëse kuptojmë se ato nuk ndahen nga komponentët që kemi zgjedhur. Vullneti personal për të ndjekur një rrugë specifike ngadalë fillon të ndryshojë dhe një lloj forme ankthi social hyn gjithashtu në lojë, gjë që na bën të pyesim veten nëse ajo që duam në të vërtetë, nëse ajo që zemra jonë dëshiron kaq shumë, do të na japë probleme dhe do të shkëpusë lidhjet që ne i konsiderojmë të rëndësishme.
Ja pse, në një moment të jetës, duhet të pyesim vërtet veten nëse ajo që po ndjekim është ajo që duam në të vërtetë. Nëse nuk ishin shpresat e të tjerëve apo bindjet e rreme që dalëngadalë i kemi bërë tonat për të na shtyrë të duam disa gjëra dhe jo të tjera. Është çështje fokusi, përqendrimi. Por për një herë, nuk kemi pse të përqendrohemi te pjesa tjetër, por te vetja jonë.
Po, është e vështirë. Është jashtëzakonisht komplekse, sidomos për ata që, për një kohë të gjatë, e kanë lënë pas dore dëgjimin e tyre. Por pikërisht duke u përqendruar mund të kuptojmë nëse drejtimi që po marrim është i duhuri. Nëse është e jona, nëse na përket neve. Dhe nëse nuk është kështu, ndrysho drejtim.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.