FB

May 18, 2021 | 8:25

“Po të gjuajti, gjuaji edhe ti” / Cili është qëndrimi që duhet të mbajmë përballë konflikteve fizike të fëmijëve?

 

“Sot një shok më gjuajti kur po luanim!”

“Po ti çfarë bëre?”

”I thashë mësueses.”

“Herës tjetër po të gjuajti, gjuaji edhe ti! Ke për ta parë që pastaj do të mendohet 2 herë!”

“Po atëherë mësuesja do të më qortojë edhe mua.”

“S’ka gjë, thuaji që të tha mami/babi. Po pati ndonjë gjë, të flasë me mua.

Nga Lorela Garuli, psikologe këshillimi dhe terapiste për fëmijë

Kujdes!

Ne të rriturit jemi përgjegjësit për të orientuar veprimet e fëmijëve dhe këtë mund ta bëjmë sipas 2 mënyrave: nga zemërimi dhe nga reflektimi.

Nga zemërimi është kur e këshillojmë fëmijën “të kthejë” sjelljen jo pozitive të shokut/shoqes. Është shumë e natyrshme të zemërohemi kur dikush na bën diçka pa të drejtë, por të mësojmë fëmijën të veprojë mbi bazën e inatit ka gjithashtu një sërë pasojash negative.

Jo vetëm që nuk e zgjidh problemin, por e bën edhe më të madh sepse kundërpërgjigjja me dhunë do të vazhdojë edhe nga pala tjetër. Në një plan afatshkurtër, kjo qasje ushqen egon e fëmijës dhe të prindit, por në plan afatgjatë po i mëson fëmijës të zgjidhë problemet me dhunë!

Kështu, fëmija do të mësojë se nëpërmjet agresivitetit do të fitojë një lloj dominimi të pashëndetshëm dhe artificial përballë të tjerëve, element që sigurisht do të pasqyrohet në marrëdhëniet e tjera të ardhshme. Kjo shpjegon shpeshherë se pse viktimat kthehen në dhunues; cikli frikë-agresivitet është i rrezikshëm!

Ndërkohë, nga reflektimi bëhet e mundur që niveli i zemërimit të ulet dhe fëmijët të brendësojnë një formë përgjigjeje më të shëndetshme. Në plan afatgjatë, fëmijët do të mësojnë të kërkojnë burime për zgjidhjen e konfliktit dhe që komunikimi është çelës shumë i rëndësishëm kur vjen puna për situatat e vështira. Vetëbesimi i tij do të zhvillohet shëndetshëm kur të shoh se arrin të zgjidhë problemet pa lënduar askënd. Njëkohësisht, nëse nxitet t’i kërkojë ndihmë mësueses apo kujtdo të rrituri tjetër përgjegjës në kontekstin e caktuar, mësohet të respektojë dhe rregullat e institucionit ku ndodhet.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top